Shqiponja e lirisë (Përjetime nga leximi i librit të Sokol Demakut: ”Sadulla Zendeli – Daja, në aventurë me drojën e një emigranti të “pa atdhe”)

Shqiponja e lirisë

(Përjetime nga leximi i librit të Sokol Demakut: ”Sadulla Zendeli – Daja, në aventurë me drojën e një emigranti të “pa atdhe”)

Shkruar nga Viron KONA

Në foto Viron Kona

vironi

Më 30 mars 2013, në Boras të Suedisë, në prani të një auditori të gjerë suedezë e shqiptarë, u përurua libri ”Sadulla Zendeli-Daja, në aventurë me drojën e një emigranti të “pa atdhe”. Autori, poeti, shkrimtari, mësuesi dhe gazetari i njohur Sokol Demaku, në hyrje të librit njeh lexuesin me qytetin e lindjes së Dajës, Gostivarin, me natyrën e tij mahnitëse, me demografinë dhe bashkëjetesën e banorëve nga disa kombësi, me pasurinë e vlerave atdhetare dhe të traditës, me personalitetet nga të gjitha fushat e jetës, me historinë dhe, deri, etimologjinë e emrit Gostivar ( Goca e Tivarit ). Demaku e prezanton lexuesin me heroin e  Gostivarit Xhem Gostivari, të cilin  e cilëson “ikona e trimërisë shqiptare”. Në vazhdim, ai tregon për Bilal Selimin, Malik Azizin, Ahmet Peren dhe të tjerë personalitete të asaj treve me histori të lavdishme atdhetare.                       

Dhe, shpejt, në faqet në vijim,  vjen çasti të njohim heroin kryesor të librit, personalitetin e madh shqiptar: Sadulla Zendeli, të pagëzuar me emrin Daja nga vetë shqiptarët me banim në Suedi dhe që autori e cilëson ”Drita shqiptare e Skandinavisë”.

kopert daja

Demaku  shkruan se Daja është poet, pedagog, mësues, shkrimtar, leksikograf dhe atdhetar i madh. Ai lindi në fshatin Sërmnovë të Gostivarit më 3 qershor 1935. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Vrapcisht, kurse gjimnazin, dega e ekonomi, e filloi në Gostivar dhe e përfundoi në Strumicë. Më tej, flitet për punët që Daja ka kryer në vendlindje, por edhe për atdhetarizmin e tij, duke kundërshtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë  nacionalistët sllavë, që kërkonin t`i zhbënin shqiptarët. Duke cituar fjalët e  Dajës, autori shprehet  se Zgjodha më të mirën e së keqes dhe emigrova ! Përse? Sepse ndryshe duhej të bëhesha spiun i vëllezërve të mi, i atyre që mbanin kësulë të bardhë, i atyre që e donin flamurin shqiptar, i atyre që këndonin dhe kërcenin valle shqiptare, i mësuesve dhe mjekëve, i të burgosurve politikë, që për “faj” kishin dashurinë për Shqipërinë dhe trojet tona të shkëputura nga shteti amë. E këtë nuk ma lejonte ndërgjegjja ta bëja, prandaj edhe zgjodha të keqen më të vogël, duke emigruar nga vendi im i dashur, nga ai vend ku çuditërisht gurët, që më vrisnin këmbët e zbathura, më dukeshin të butë. Më dukej sikur ecja në barin e njomë të vendlindjes  sime të dashur! Pa i harruar pllajat e bukura shqiptare, vendosa të largohem kudo qoftë, në qiell, në hënë, në ferr!”

Mjafton ky paragraf për një histori të tërë, për të treguar  se çfarë forcash atdhedashurie  gjëmojnë dhe jehojnë me krisma bubullimash brenda shpirtit të njeriut që e do atdheun si Atin e tij; e do Mëmëdheun si nënën e tij. Atdheu është gjithçka: edhe nënë edhe babë, mbase prandaj dhe ne shqiptarët e cilësojmë me të dy këta emra që përmbajnë bukurinë e madhe jetësore: Atdhe, Mëmëdhe.

Rruga e jetës së Dajës, në libër është përgjithësuar me rrugën  e qindra mijëra shqiptarëve në shekuj, në dekada e vite. Daja është shndërruar në simbol të qëndresës, të rezistencës, të betejave të vazhdueshme  për liri.

Të nguliten thellë  mendimet që autori i këtij libri ka arritur t`i shkëpusë atdhetarit të madh, i cili te Suedia gjeti besimin tek ëndrra e tij për  arsim e kulturë, aty gjeti mbështetje për  lirinë e shumëkërkuar të bashkëkombësve të tij shqiptarë.

daj

Sadulla Zendeli-Daja, në studion e tij

 

Duke përfunduar universitetin e Upsallës, njërin ndër universitetet e njohura të botës, Daja me shpirtin e tij të ndjeshëm atdhetar, rrënjosi bindjen se, me dije dhe kulturë, do të mund t`i ndihmonte sadopak  popullit të vendit të tij të shtypur nga nacionalizmi sllav. Daja, do të ishte ndër të parët mësues të gjuhës amtare në Skandinavi, në këtë vend me liri dhe demokraci si rrallë tjetër vend në botë. Ndoqi rrugën e mësuesisë, duke pasur si lajtmotiv në radhë të parë arsimimin e fëmijëve të emigrantëve shqiptarë të ardhur në Suedi për mbijetesë dhe për një jetë më të mirë.

 

Krenohesh me një njeri si Daja, kur lexon se, nga nxënësit shqiptarë të cilëve ai u ka dhënë mësim, kanë dalë 95 intelektualë. Vetëm në qytetin Nybro, ku Daja hapi të parën shkollë shqipe në Skandinavi dhe punoi për 27 vjet me radhë,  janë mbi 40 vetë të punësuar në sektorë të ndryshëm të rëndësishëm. Po kështu edhe 30 nxënës të tjerë në qytetin suedez Kallmar kanë dalë profesionistë të shquar.

 

Demaku shkruan se 16 vjet të Dajës, e përqendruan atë në universitetin e Upsallës, në Sofje, në Boras dhe në punën madhështore të hartimit dhe botimit të  fjalorëve themelorë. Por, edhe në vazhdim, kjo punë e nderuar dhe fisnike në dobi të mësimit të gjuhës amtare të fëmijëve të bashkëkombësve, mbeti kredo e të gjithë jetës së Dajës, këtij njeriu të urtë në mendim, të shkathët dhe plot guxim në veprim, të dashur dhe mirëbërës, humanist në karakter thellësisht njerëzor.

 

Duke qenë edhe vet në emigracion, në rrugën e Dajës, Sokol Demaku i ndjen thellë jetën dhe privacionet e mikut të tij më të ngushtë, vëllait të tij më të madh, atdhetarit të shquar. Fjalët e Sokol Demakut, si autor i librit, rrjedhin pastër e të kristaltë, me bukuri dhe hijeshi, me shpirt e zemër, dhe, teksa i lexon, gjaku të zjenë ndër deje, lëviz vrullshëm dhe sikur të  fton të njohësh doemos këtë njeri të madh, teksa ndjen dëshirën t`i shtrëngosh duart  e munduara nga jeta, t`i njohësh shpirtin e sfilitur nga brenga, t`i ndjesh rrahjet e zemrës që vrullojnë  nga malli për vendlindjen, nga respekti për suedezët, që e mirëpritën, që iu gjendën pranë në ditë të vështira si miq të vërtetë.

 

E pata fatin ta njoh këtë Njeri dhe e përjetoj çdo fjalë e frazë të Demakut, sidomos kur e takova Dajën 78 vjeçar të zhytur në studion e tij, të rrethuar nga dallgë librash në gjuhë të ndryshme të botës, por sidomos të gjuhës shqipe: fjalorë, libra poetik, tregime, romane, libra gjeografikë dhe historikë, një galeri e tërë jete njerëzore, mes të cilës qëndronte duke medituar e shkruar pa kurrfarë ndalese dhe pa u lodhur heroi ynë, Sadulla Zendeli-Daja.

daj8

Të falënderojmë nga zemra Sokol Demaku që, me librin tënd jetësor dhe të shkruar fund e krye me dashuri e ngrohtësi vëllazërore, po na njeh me Sadulla Zendelin, njeriun që e do dhe e njeh çdo shqiptar në Suedi; njeriun që e njohin edhe pa e takuar, njeriun që e respekton sapo e sheh sesi ecën, sesi të vështron butë, ngrohtë e bisedon me ty si me një vëlla me zërin e tij të qetë, të dashur, të urtë. Edhe kundërshtitë e tij janë të buta, por, fjalë-mençura, mendim-bukura,  sokratike.

 

Duke vijuar leximin e librit për Dajën, mëson  se, heroi ynë, vendosi të jetonte në ishullin Oland, një ishull i mrekullueshëm, ku, mbi detin Balltik,  të çon një ndër urat më të gjata në Evropë. E, pikërisht në këtë ishull, ku edhe mbreti i Suedisë ka rezidencën e tij verore, ku ndodhet një kështjellë madhështore e kohëve të vjetra, ku ngrihet monumenti simbol i Birgitës, pikërisht, në këtë ishull të Veriut të largët, Daja ka ngritur shtëpinë dhe “tempullin” e tij, ka ngritur lokalin e tij me emrin Shqiponja, në ballë të të cilit janë vendosur dukshëm dy flamuj: njëri i Shqipërisë dhe tjetri i Kosovës. Shqiponja u qëndron të dyve mbi krye, shqiponja e lirisë.

daj1

Lokali i Dajës me emrin “Shqiponja” në ishullin Oland

Vepra pa fund  ka  shkruar në këtë ujdhesë Daja, dhe, siç kuptohet, shumica e tyre i kushtohen Kombit, Shqipërisë, Kosovës, trevave shqiptare, kudo. Librat u dedikohen  fëmijëve shqiptarë, mësimit të gjuhës shqipe, e sidomos bien në sy fjalori i parë suedisht-shqip me 17 mijë fjalë, fjalori i dytë suedisht-shqip me 28.500 fjalë, i treti….i katërti…Pastaj libra radhë, si vargmalet, si dallgët…prozë, poezi, përkthime, publicistikë…Dhe studioja e Dajës, vazhdimisht ngushtohet nga… librat rrezatues, që flasin për jetën, për dashurinë, për paqen dhe mirësinë…

Libri i Sokol Demakut për Dajën, stacionohet në shumë periudha interesante të heroit, veçanërisht,  kur ai shpreh fjalët, mendimet dhe ndjenjat e tij  të mbrujtura me atdhedashuri për vendin, për bashkëkombësit e varfër  që regjimi nacionalist sllav i kishte lënë të pa arsimuar”Kur zgjohesha në mëngjes për të shkuar në punë, para banesës rrinin 10-15 shqiptarë që prisnin për t`i ndihmuar, duke u shkruar lutje se do t`i shisnin: kalin, lopën, gomarin a ndonjë gjel ose pulë, që e sillnin nga fshati 20 – 25 kilometra larg për t`i shitur në pazar për një kafshatë buke!?”

Është ky, një paragraf ku të fiksohen fortë sytë dhe mendja, që e lexon dhe nuk largohesh dot prej tij; një paragraf që, në pak fjalë, i ka thënë të gjitha.

Kështu shprehet Daja, me fjalë të mençura, me sentenca, me fjalë që kanë kuptime të gjera dhe të mëdha, me shprehje filmike, që kur i lexon ose i dëgjon, të duket se sheh një film, përjeton  ngjarje nga jeta e vërtetë.

Autori, Sokol Demaku, ka ditur të qëmtojë dhe të japë kuintesencën e karakterit dhe kulturës së këtij njeriu largpamës, që di se ku të godasë me forcën e kritikës dhe të shigjetojë regjimin nacionalist sllav, i cili përdorte si mjet injorancën dhe paditurinë për t`i mbajtur të shtypur, të përçarë dhe të nënshtruar shqiptarët.

Fragmente mbresëlënëse gjen shumë në këtë libër, madje tepër emocionuese e deri drithëruese. I tillë ishte rasti i shoferit të autobusit, që me mikrofon në dorë lajmëronte udhëtarët të zbrisnin në stacione. Ai u fliste në tre gjuhë: E para suedisht, e dyta anglisht dhe  e treta…shqip. E kishte zgjedhur vetë gjuhën e tretë, shqipen e nënës së tij, shqipen e babait të tij, shqipen e atdheut të tij, teksa kur zbuloi gjoksin, një shqiponjë krah-hapur dukej se do fluturonte nga  malli dhe dashuria në atdheun amë. Dhe Daja, i ardhur në Suedi, ngaqë nuk ngopej së dëgjuari atje larg  gjuhën e shenjtë dhe të artë shqipe, nuk zbriti nga autobusi, por qëndroi deri te stacioni i fundit

daj4

Lexoj këto radhë të shkruara dhe të nënvizuara mjeshtërisht nga Sokol Demaku dhe sjellë në mendje njerëzit e mëdhenj të lashtë, kur flisnin për dashurinë për gjuhën e  nënës, dashurinë për mëmëdheun. Lukiani thoshte “Edhe tymi i Atdheut do të duket më i ndritshëm se zjarri në vise të largëta”. Dhe më tej: ”Është thënë qëkuri se”nuk ka asgjë më të ëmbël se atdheu. Dhe, me të vërtetë, a ka gjësendi tjetër që të jetë jo vetëm më e këndshme, por edhe më e shenjtë, më e lartë se atdheu? Çdo gjë që njerëzit e quajnë të shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar atdheu, sepse ky i lind, ky i rrit dhe i edukon. Shumëkush mund të mahnitet nga madhështia dhe fuqia e qyteteve të huaja, nga bukuria dhe shkëlqimi i ndërtesave të tyre, por për të dashur të gjithë duan atdheun….”

 

E kush nuk i ka kënduar atdheut? Më të mëdhenjtë poetë, shkrimtarë e gazetarë. Studiues e shkencëtarë, akademikë dhe ushtarakë, punëtorë dhe fshatarë, të vegjël dhe të mëdhenj në moshë. Të tërë, në mendje dhe në zemër, në shpirt, kanë atdheun, atdheun e tyre të mirë, të butë, më të dashurin, më të bukurin, më të shtrenjtin  nga gjithçka. Sot, këtë aksiomë e provojnë mijëra emigrantë shqiptarë të përhapur në të gjithë shtetet e botës, e kanë provuar edhe më parë. Edhe autori i këtij libri e provon çdo ditë. Me mund, vendosmëri, besim e shpresë, me karakter të qëndrueshëm dhe të palëkundur, ai jeton dhe mbijeton. Jeton dhe ndihmon, mbështet dhe tregon vlerat e një njeriu human, duke pasur në mendje dhe në zemër vendlindjen.

 

Kam fatin dhe lumturinë t`i njohë këta njerëz:  Dajën dhe Sokol Demakun. Them me vete se këta janë vëllezër në mendim dhe në veprim, aty ku është njëri është dhe tjetri, aty ku përfundon diçka njëri e vazhdon tjetri, ata janë ngushtësisht të lidhur me njëri –tjetrin, ngushtësisht, dy vëllezër,  dy shqiptarë me zemër,  forcë, qëndresë, guxim, sy  dhe krahë shqiponje.

 

Libri i Demakut të jep mundësinë të njohësh mirë Dajën dhe veprimtarinë e tij sepse është i ndërtuar në formë interviste, me pyetje të gjetura, që çlirojnë energjitë e brendshme të njeriut. Pas pyetjeve pikante të poetit Demaku, rrjedhin fjalët dhe mendimet e urta të Dajës. Ato kullojnë edhe lot e dhembje, por tek ato mbisundon besimi, shpresa. Fjalët e këtij Mentori modern rrjedhin edhe mjaltë, edhe nektar. Te fjalët dhe mendimet e Dajës, “takon” gjithë stinët e vitit, sepse, edhe jeta e njeriut  ka stinët e saj. Stinët kanë edhe bukuritë, por edhe të papriturat, edhe kohën e bukur me diell, por edhe shtrëngatat e stuhitë, uraganët; edhe thatësirën, por edhe dendurinë e shirave, vërshimin e lumenjve, edhe vjeshtën e kuqërremtë në fletët e drurët, por edhe pranverën plotë bukuri e freski, plot gjelbërim, cicërima zogjsh, ëndrra e fantazi,  imagjinatë e  dashuri.

 

Dashuria për Dajën është vendlindja, është Gostivari, atje ai ka dëshirë të prehet edhe kur…

 

Na priti Daja në familjen e tij, me bashkëshorten dhe njërin nga djemtë, Ismetin. Na pritën krahëhapur, na gostitën me më të mirat gjëra që kishin, na rrëfyen për qytetin ku jetonin, për banorët, komshinjtë e mirë dhe të dashur suedezë.

 

-Kam 36 vjet që fle me derën pa çelës, – tregoi Daja. Pastaj, pas vizitave në qytetin e tij dhe në rezidencën verore të familjes mbretërore, Daja na shtroi një drekë me të gjithë të mirat, ku biri i tij, Ismeti, na ofroi specialitetin, një picë nga më të rrallat që kishim shijuar si dhe gatime të tjera tradicionale shqiptare. Ndërsa bashkëbisedonim për jetën në emigracion, për Kosovën, për shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, për Shqipërinë, për shqiponjën…

 

E, teksa shtrëngonim duart dhe nuk ndaheshim dot, në retinën e syve të Dajës pashë se, nga ndarja, në faqet e tij u rrokullisën dy-tri  pika loti…Ishin lot të artë, lot dashurie për bashkëkombësit, për atdheun, për shqiptarinë…Eh, Dajë, jeta është dhembje, por, edhe dhembja ndonjëherë është e bukur, kur e motivon jetën, kur krijon dhe, kur krijesa i shërben të sotmes dhe të ardhmes.  Ti, Dajë, me veprën tënde i shërben të sotmes dhe të ardhmes. Ti e ke kthyer shtëpinë në një tempull të prodhimtarisë shkencore dhe letrare, publicistike dhe leksikografike. Studioja jote është një tempull i dijes dhe i kulturës, është tempull i dritës rrezatuese, tempull i atdhetarizmit dhe shqiptarizmit. Qoftë jeta jote me dritë dhe begati, Dajë! Qofsh me jetë të gjatë! Gjithnjë i fortë, siç ke qenë, dhe siç do të jesh në vitet që do të vijnë. Faleminderit Dajë!

 

Faleminderit Sokol Demaku që bëre me një frymë 700 kilometra rrugë për të na shpurë gjithë gaz e dëshirë në ujdhesën e Dajës dhe për të na kthyer pastaj përsëri në Boras. Ia vlejti shumë ai udhëtim, sepse takuam njeriun e rrallë, magjeps, që ti Sokol e përshkruan aq bukur, me aq dashuri dhe me aq vërtetësi në librin tënd të mrekullueshëm. Qofsh kurdoherë i lumtur dhe energjik siç të njohim sot, Sokol Demaku. Ashtu dëshirojmë të shohim edhe nesër, kurdoherë!

 

Kjo është jeta e njerëzve, jeta e shqiptarëve në emigracion. Dhe, kur ata, ashtu si Daja ynë, lënë gjurmë, jeta nuk i harron, ajo i shtrëngon fortë në gjoks dhe ua transmeton e trashëgon  brezave historinë, historinë  e bijve të saj….

 

Në librin e tij, Demaku fokuson shkrime dhe përshtypje të diplomatit Shaban Murati, të shkrimtarëve: Skënder Hasko, Riza Sheqiri, Baki Ymeri, Nehat  Jahiu, prof. Murat Gecaj, prof Fetah Bahtiri, prof. Rexhep Jashari, prof. Haxhi Birinxhiku, etj. Autorët shprehin konsiderata të larta dhe vlerësime për veprën e jashtëzakonshme të Sadulla Zendelit – Dajës, shprehen për ndihmesën e tij të shquar në çështjen kombëtare.

daja3

Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me fjalët e Sadulla Zendelit, që na i ofron Demaku në këtë libër. Kur Daja do të kryente një operacion të rëndë, shprehu nëpër ëndërr dëshirën e tij, që të jetonte sa të mbaronte fjalorin e nisur. Pas operacionit, mjekët që e kishin dëgjuar dëshirën e tij, i thanë:  ”Zotëri Zendeli, do të shkruash edhe 10 fjalorë !” Dhe Daja shton“Gjashtë libra (fjalorë) i bëra. Më kanë mbetur edhe katër”.

 

Kurse, unë, autori i këtyre radhëve, them: “Eh, mor Dajë ! Je i mençur dhe modest si çdo njeri i madh. Me 10 fjalorë, Ti, i vetëm, po bën punën e një Akademie Shkencore”.

 

Nëpërmjet këtij shkrimi uroj dhe përgëzoj Sokol Demakun, poetin, gazetarin, shkrimtarin, mësuesin e pasionuar dhe energjik, njeriun e vrullshëm, mirëdashës dhe gjithnjë të qeshur, për këtë vepër që na ka dhuruar, duke na njohur me botën e brendshme, ritmin e jetës, karakterin dhe shpirtin  kristal të një atdhetari të madh, Dajës.

 

Natyrshëm, uroj Dajën: ”Jetë të gjatë, o miku i shqiptarëve  Sadulla Zendeli-Daja! Qofsh përherë rreze dielli për jetën dhe bashkëkombësit! Në të vërtetë, Ti, rreze dielli je. I tillë do të mbetesh. Gjithnjë.

 

 

 

 

Author: admin