DEKLARATAT SI REAGIM ZYRTAR NDAJ HEQJES SË LAPIDARIT

Heqja e lapidarit të të rënëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit (UÇPMB) nga xhandarmëria serbe në Preshevë, ka nxituar reagimet e institucione e partive politike në Kosovë e Shqipëri. Zyra e presidentes, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, e të gjitha paritë politike parlamentare në Kosovë, e kanë cilësuar këtë veprim të qeverisë serbe si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha e ka quajtur aktin si dëshmi të albanofobisë nga ana e serbëve

Alban Zeneli

Prishtinë – Presidentja Atifete Jahajaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe të gjitha partitë politike shqiptare në Kosovë kanë dënuar aktin e heqjes së lapidarit të UÇPMB-së, nga sheshi qendror i Preshevës.

Në deklaratën e zyrës së presidentes Jahjaga, thuhet se heqja e përmendores është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

“Heqja e përmendores nuk është në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Luginës së Preshevës, të shprehur nëpërmjet institucioneve të kuvendeve komunale, që janë institucione legjitime dhe legale.

Kjo tregon mungesën e gatishmërisë që nëpërmjet dialogut të gjendet zgjidhja si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik”, është thënë në reagimin e presidentes në të cilin po ashtu bëhet thirrje për qetësi dhe për krijimin e një klime të mirëbesimit që do të rivendoste dialogun me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme.

Po ashtu, zyra e kryeministrit, Hashim Thaçi përmes një deklarate për medie ka shprehur indinjatën e saj për veprimin e shëmtuar të heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviqit.

Dështimi i Qeverisë së Serbisë që përmes dialogut të gjejë një zgjidhje për vendosjen e Memorialit tregon se dialogu ende nuk është pjesë e politikës qeveritare të Serbisë kur janë në pyetje shqiptarët”, është thënë në deklaratën e kryeministrisë sipas së cilës ky veprim jocivilizues i Qeverisë së Serbisë i heqjes së Memorialit nuk e ndryshon dot historinë dhe kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, përkundrazi, vetëm sa e forcon atë dhe na rikujton se Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato të shekullit të kaluar.

Në këtë deklaratë, Qeveria e Republikës së Kosovës u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Kosovës që të mos i përgjigjen këtij provokimi qyqar të Serbisë. Sipas komunikatës, qytetarët shqiptarë duhet të besojmë në vlerat civilizuese dhe jo në antivlera, të cilat i promovon Serbia, e që janë dënuar nga e gjithë bota perëndimore demokratike.

Në deklaratën e kryeministrit po ashtu thuhet se ky akt i shëmtuar i Qeverisë së Serbisë e rrezikon seriozisht procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe përgjegjësia direket bie mbi Serbinë.

Përmes një deklarate ka reaguar edhe kryeparlamentari Krasniqi, i cili ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një deklarate, ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), nga ana e policisë dhe xhandarmërisë serbe sot në Preshevë”, thuhet në reagimin e Krasniqit sipas të cilët ky veprim qyqar i Beogradit, dëshmon edhe njëherë se pushteti aktual i Serbisë nuk ka ndryshuar asgjë nga logjika, mentaliteti dhe veprimet e pushtetit të Sllobodan Milosheviqit.

Krasniqi ka bërë thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e kësaj treve të mos bien pre e provokimeve të Beogradit, sado të dhimbshme qofshin ato.

“Veprimet e tilla nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon, e as procesit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kjo është edhe një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit, nxitës i konflikteve dhe urrejtjeve ndërmjet kombeve”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Kuvendit.

Pas heqjes së lapidarit në Preshevë, ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila përmes një komunikate e ka cilësuar si të papranueshme sjelljen e shtetit serb.
“Ky akt është në vazhdën e veprimeve të njohura të regjimeve të Beogradit, kundër të cilave kanë luftuar dëshmorët shqiptarë të Kosovës Lindore, emrat e të cilëve janë skalitur në atë lapidar, të cilin Beogradi zyrtar sot e vodhi brutalisht”, është thënë në reagimin e LDK-së.

Kjo parti ka vlerësuar këtë akt si një mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta shtojë kujdesin për qytetarët e atjeshëm shqiptarë, të cilët janë më të shtypurit dhe më të diskriminuarit në Evropë.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje!, e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për heqjen e lapidarit në Preshevë. Sipas kësaj partie politike opozitare, vetëm tri ditë pas takimit të zëdhënësit të Milosheviqit, Daçiq si dhe Kryeministrit Thaçi, xhandarmeria serbe filloi aksionin për largimin e lapidarit për dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Në mungesë të veprimeve shtetërore të Kosovës, në media dhe rrjete sociale kanë qarkulluar thirrje të ndryshme për revanshizëm në caqe të ndryshme brenda Kosovës. Përderisa zemërimi është i kuptueshëm, çfarëdo revanshizmi nuk e përmirëson situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe e dobëson pozicionin e Kosovës. Ky zemërim duhet të shndërrohet në trysni ndaj përgjegjësit kryesorë në Kosovë, qeverisë Thaçi”, është thënë në komunikatën ne Vetëvendosjes në të cilën po ashtu është kërkuar ndërprerja e menjëhershme e procesit negociator të Kosovë me Serbinë.

Kundër heqjes së lapidarit të UÇPMB-së, ka reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj të dielën gjatë një vizite në Gjilan, duke kërkuar nga Serbia që të ketë kujdes me shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Nuk më ka ardhur mirë për heqjen e lapidarit. Unë do të isha përulur para çdo lapidari dhe nuk do e kisha problem, sepse janë vlera të një populli. Dua të jap fjalë të kujdesshme me këtë rast, por edhe Beogradi duhet të ketë kujdes se si po sillet me shqiptarët e Luginës”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Aleanca Kosova e Re, përmes një njoftimi për media ka shprehur indinjatën dhe keqardhjen më të thellë ndaj veprimit të dhunshëm dhe të egër të qeverisë së Serbisë, siç e kanë quajtur ata, të heqjes së memorialit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë.

“AKR vlerëson se me këtë akt johuman, shteti serb edhe njëherë tregoi se ndaj shqiptarëve të luginës së Preshevës vazhdon të përdorë mjetet e dhunës dhe diskriminimit, mjete këto të cilat i njeh më së miri.

Ky memorial, përmbante vetëm emrat e dëshmorëve të cilët u flijuan për lirinë dhe demokracinë e vet, vlerë të cilën e kërkojnë dhe ushqejnë shoqëritë e civilizuara. Shqiptarët kudo që janë, do të ruajnë respektin e përjetshëm për këta dëshmorë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Berisha: Akt i dëshmisë së albanofobisë

Qeveria e Shqiptarisë ka dënuar aktin e largimit me autoblinda, mitraloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në luftë për liri e dinjitet njerëzor dhe kombëtar, kundër regjimit barabar të Millosheviqit.

Në reagimin e zyrës së kryeministrit Berisha, thuhet se ky akt është një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit, që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti-shqiptare e Slobodan Millosheviqit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.

“Me këtë akt të rëndë, autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Evropës, si dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Evropës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë”, thuhet në reagim sipas të cilit qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë, pa asnjë lëkundje, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat, nuk mund të kenë, në asnjë rast, standarde të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e Veriut.

Qeveria shqiptare përmes reagimit po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë, që po shfaqet rëndom në rajon, si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.

Ndaj largimit të lapidarit të UÇPMB-së ka reaguar edhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka ftuar qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës që të mos e linin bosh vendin ku qëndronte lapidari.
“Vendi i zbrazur forcërisht nuk mund të lihet bosh, dhe thirrja ime do të ishte që çdo qytetar, çdo familje në Preshevë ta mbushte atë vend me lulet në kujtim të të rënëve. Ata janë të rënët e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm të Luginës, dhe në respekt të tyre në të gjithë përulemi”, ka thënë Rama.

Ai e dënoi aktin e heqjes së lapidarit, siç tha ai, vendosur aty për një çështje të drejtë, duke shtuar se Serbia nuk po arrin të ndahet nga e shkuara.

Ish-luftëtarët e UÇK-së shprehen të gatshëm për reagim në çfarëdo forme

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, ka dënuar ashpër heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, nga ana e policisë dhe xhandarmërisë serbe.
“Ky veprim i Beogradit e tregon qartë se politika atje nuk ka ndryshuar, vazhdon të punojë me politikën gjenocidiale të kryekriminelit Miloseviq. Këtë e vërteton se sot në pushtet është zëdhënësi i tij Daçiq. Me politikën e vazhdueshme antishqiptare dhe me aktin e sotëm Serbia me çdo kusht po mundohet të bëjë spastrimin e trojeve shqiptare në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc”, thuhet në një kumtesë të Këshillit, të nënshkruar nga kryetari Xhevdet Qeriqi.

Sipas kësaj komunikate edhe veriu i Mitrovicës është çështje e brendshme e Kosovës dhe ky problem duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës.
“Veriu i Mitrovicës është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe këtë problem duhet ta zgjedhë Prishtina vetë. Krejt në fund, jemi në çdo moment dhe në çdo kohë pranë vëllezërve tanë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc dhe jemi të gatshëm në çfarëdo forme t’u përgjigjemi”, është thënë në reagim.

Të indinjuar me heqjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, tifozët e njohur të Kosovës, si “Plisat”, të dielën mbrëma kanë organizuar protestë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Me moton “Në Mbrojtje të ushtarëve të lirisë dhe vlerave të tyre” dhe me pankarta të ndryshme si: “Deri ku do të na poshtërojnë”, “Plisat” kanë kërkuar që të reagohet fuqishëm pas heqjes së Lapidarit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇPMB).

Protesta është mbyllur në mënyrë të qetë. Ndërkohë, edhe tifozët e Vushtrrisë, “Forca”, kanë organizuar po ashtu të dielën mbrëma protestë në përkrahje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

 

Author: admin