PRESHEVA PA LAPIDAR, SOT NË PROTESTË

Pjesëtarët e xhandarmerisë së Serbisë të dielën herët në mëngjes e kanë larguar përmendoren e luftëtarëve të rënë të UÇPBM-së, para Kuvendit të Komunës në Preshevë

Preshevë- Afro 150 pjesëtarë të xhandarmerisë, pak para orës 7 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit, ku gjendej përmendorja, e kanë mbuluar me një thes të bardhë të plastikës dhe e kanë ngarkuar në kamion, i cili i përcjellë nga 20 makina të policisë, është larguar nga Presheva.

Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmerisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media.

Pas largimit të përmendores gjatë ditës subjektet politike të Luginës së Preshevës kanë dënuar ashpër heqjen e lapidarit të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës dhe në shenjë indinjate, kanë thirrur një protestë gjithë popullore për të hënën.

Vendimi është marrë gjatë një takimi të liderëve politikë të Luginës së Preshevës, pas aksionit të xhandarmërisë serbe, e cila largoi lapidarin në orët e hershme të mëngjesit.

Kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, në një konferencë për gazetarë, ka dënuar veprimin e autoriteteve të shtetit serb,ndërkaq ka kërkuar që liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të përfshihen në bisedimet Kosovë – Serbi, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ai ka kërkuar që faktori ndërkombëtar të përfshihet në qetësimin e gjendjes në këtë pjesë dhe njëherësh ka ftuar qytetarët që të hënën të dalin në protesta gjithë popullore.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa asnjë dyshim, edhe më tutje do të jenë gjakftohtë dhe me forma paqedashëse dhe me forma absolutisht demokratike do të veprojnë dhe në këtë drejtim, parimisht e kemi fituar edhe mbështetjen e parezervë të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Mustafa.

Kurse, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, është shprehur se “Qëndrim i përbashkët i të gjithë liderëve politikë është që të qëndrojmë në realizimin e të drejtave legjitime individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

Edhe liderët tjerë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë heqjen e lapidarit duke vlerësuar se qeveria serbe po vazhdon dhunën sistematike ndaj shqiptarëve ngjashëm si në kohën e Sllobodan Millosheviqit.

Pas heqjes së lapidarit ka reaguar edhe ambasada e Britanisë në Beograd, duke shprehur keqardhje për shkak të vendimit të njëanshëm të qeverisë së Serbisë për largimin e përmendores në Preshevë, në momentin kur zgjidhja e kënaqshme ishte “shumë afër”.

Më tutje, në kumtesën e Ambasadës britanike theksohet se vendimi i njëanshëm i qeverisë së Serbisë, pa konsultime me komunitetin lokal, është për keqardhje dhe ka shtuar se për këtë hap qeveria kishte vendosur në momentin kur dukej se zgjidhja e kënaqshme për të dy palët ishte shumë afër.

Ambasada britanike i ka përshëndetur përpjekjet e OSBE-së, përfaqësuesit e së cilës kanë ndërmjetësuar në negociatat ndërmjet qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në pjesën jugore të Serbisë, lidhur me përmendoren e pjesëtarëve të rënë të UÇPMB-së. Ambasada u ka bërë thirrje të gjitha palëve që “të tregojnë përmbajtje dhe t’u shmangen lëvizjeve dhe deklaratave, që mund të sjellin nxitje të tensioneve”.

Edhe ushtruesja e detyrës së shefes së misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Serbi, Paula Thiede, ka shprehur keqardhje që negociatat për gjetjen e zgjidhjes së kompromisit për “monumentin kundërthënës” në Preshevë, ishin dobësuar nga largimi i monumentit nga ana e qeverisë këtë mëngjes, ka njoftuar Misioni i OSBE-së në Beograd.

Author: admin