Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (1468), njeriut që për më se dy dhjetëvjeçarë drejtoi një luftë sa heroike, aq edhe të pashpresë kundër perandorisë osmane, dhjetëra mijëra shqiptarë mërguan në Itali
Nga Paolo Petta
Emigrimi i shqiptarëve në Itali, të paktën duke nisur nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, ka qenë një dukuri thuajse e qëndrueshme në historinë e dy vendeve. Në periudha historike të veçanta, siç është kjo që po kalojmë, ky fluks ka marrë përmasat dramatike të një vërshimi. Prapa tyre ata linin një vend të rrënuar, ku po konsolidohej një regjim që për ta ishte i huaj dhe armiqësor, por që me kalimin e kohës do të hidhte rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare. Ky libër rreket të ndjekë fatin e një grupi tepër të veçantë të ikurish, atë të pinjollëve të familjeve fisnike të Shqipërisë së krishterë, të cilët gjetën strehim në Itali, duke mos pranuar të ktheheshin në fenë islame, gjë që do i kishte lejuar ata të ruanin qoftë edhe pjesërisht zotërimet e veta. Në krye të tyre qëndronin, të paktën idealisht, pasardhësit e Skënderbeut, por bashkë me ta mund të shquajmë gjurmët e një pjese të mirë të familjeve që kishin qenë në krye të listës para pushtimit osman. Nuk përfshihen në këtë studim ato familje shqiptare (si Buat), që erdhën në Itali nga Greqia, ku gjithashtu kishin arritur të bënin emër. Siç pohonte Paolo Sarpi, ajo ç’ka i jep shtysa historianit është gjithmonë “shija e gjërave njerëzore”: shija e përhershme që qëmtohet në çdo histori dhembjesh e pasionesh, pushteti e intrigë, pavarësisht nga fakti se në të përfshihen pak persona, grupe të gjëra shoqërore apo popuj të tërë. Në rastin tonë historia zhvillohet në botën gjithë shkëlqim të Rilindjes italiane, edhe pse protagonistët e saj nuk janë italianë: ata janë fisnikë të shpronësuar, që luhateshin mes dëshpërimit të një rrënimi të pakthyeshëm dhe shpresës për një integrim të mundshëm në klasën sunduese; që vuanin fatalisht sa inercinë e një jete të karakterizuar nga solidariteti i familjes, i grupit ose i fisit, aq edhe joshjen për t’u përshtatur, për t’u bërë italianë, ndonjëherë madje më shumë se vetë italianët. Në mënyrë të pashmangshme ky trajtim lë në hije masën kryesore të mërgimtarëve, ata që nuk patën fatin të priteshin në pallatet e papëve, të mbretërve e të princërve, ata që, edhe nëse u lejuan të zbrisnin në tokë, gjë që nuk ndodh sot, gjithsesi nuk u lanë t’u afroheshin qyteteve, që i shihnin ata me dyshim e frikë. “Të zë një trishtim i madh, Imzot, kur sheh të vijnë këta njerëz të ngratë e mjaft të varfër të shoqëruar nga fëmijë, të cilët nuk lejohen të hyjnë në qytetet e në zotërimet tuaja dhe janë vendosur në fushë të hapur, të zhveshur ose të veshur si mos më keq”: kështu i shkruante më 1467 një oficer aragonez mbretit të tij1 . Do të ishte e padrejtë të akuzoheshin Kastriotët, Arianitët, Muzakët që nuk e kishin vënë ujin në zjarr për fatin e këtyre njerëzve: por historitë e tyre ishin pa dyshim shumë të ndryshme.
Paolo Petta (1942 – 1999, një ndër studiuesit më interesantë të historisë së Shqipërisë të këtyre dekadave të fundit, u lind në Feltre të Italisë në një familje me origjinë nga Piana degli Albanesi. Ai është autor i disa shkrimeve historike, mes të cilave dhe i dy librave, si dhe i një sërë shkrimesh me temën shqiptare. Ndër veprat e tij mund të veçohet “Stratiotët, ushtarë shqiptarë në Itali”, shek. XV – XIX, Argo, 1996. Këto ditë ka dalë në treg edhe libri “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”, që për herë të parë vjen në gjuhën shqipe.)