Gëzim MUÇOLLI
Në organizim të komunës së Koprit , të premten me 6 shkurt , në qytetin kufitar të Istrës sllovene , me një ceremoni kulturore të përgatitur nga Biblioteka e qytetit “Srecko Vilhar”, në sheshin Brol ,ku ndodhet selia e saj u shënua 300 vjetori i Pallatit Bruti.
Si zakonisht në ngjarje të tilla kulturore , ku shenohen përvjetorë të rëndësishëm për jetën dhe kulturën e një qyteti, nuk mungon asnjëherë kontributi i autoriteteve institucionale dhe kulturore lokale. Në këtë manifestim morën pjesë edhe nënkryetari i komunës së Koprit Peter Bolčič , drejtori i bibliotekës David Runco me bashkëpuntorët e tij, pastaj Jurij Bizjaksi imzot i Koprit ,e historianë lokalë që i kanë kushtuar kujdes të veçantë studimit të historisë së qytetit antik të tyre.
Drejtori aktual i bibliotekës z. David Runco duke folur për rëndësinë dhe peshën e këtij përvjetori treshekullor , falenderoi komunën e Koprit për interesin e treguar në vlerësimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, e sidomos për kujdesin e treguar në ruajtjen e këtij pallati i cili pos vlerës historike, kulturore dhe arkitektonike të kohës kur është ngritur tash ruan memorien e qytetit duke shërbyer si bibliotekë e qytetarëve të Koprit.
Për historinë e këtij institucioni kulturor me emrin e fisnikut Agostino Bruti foli zonja Helena Seražin. Ky pallat i komisionuar nga ky fisnik shqiptar me prejardhje nga qyteti i Durrësit i cili shërbeu në të gjallë të tij edhe si Imzot i Kishës Katolike të Koprit u ndërtua sipas projektit të arkitektit italian Giorgio Massari në vitin 1714 dhe konsiderohet mrekulli artistike për vlerat e simbolikën e tij.
Në hapësirën e Bibliotekës me këtë rast filatelistët sllovenë hapën një ekspozitë ku u shpalos edhe një publikim i ri për familjen Bruti –librin e imzot Agostin grof Bruti, kurse në pagëzimoren e pallatit në kujtim të imzotit Bruti u nga autoritetet e karta kishtare u mbajt mesha përkujtimore.
Organizatori i këtij manifestini kulturor ishte kujdesur që të nderojë me ftesë speciale edhe komunitetin shqiptar të Koprit , duke ftuar z. Heset Ahmetin ,kryetar i Shoqatës Kulturore “Iliria” e cila ka shumë vite që përfaqëson me sukses vlera artistike dhe trashëgiminë kulturore të mërgimtarëve shqiptarë sidomos me prejardheje nga Kosova , të cilët janë ngulitur në këtë qytet qe disa dekada ku jetojnë dhe punojnë duke qenë shembull i integrimit dhe bashkëpunimit midis kulturave dhe regjioneve.
Z . Heset Ahmetit iu kërkua me respect nga organizatori që për kënaqësinë e të pranishmëve dhe për të nderuar me respekt origjinën e familjes së Agostino Brutit, të del në foltore dhe ta fillojë fjalimin e tij të rastit në gjuhën shqipe e pastaj të vazhdojë në sllovenisht.
-Kjo ftesë , nuk mund të mos e theksoj , më krijoi një ndjenjë të veçantë emocioni , nderi e përgjegjësie. Ka shumë vite që jetoj në Kopër por nuk më kishte shkuar asnjëherë mendja se kaq afër gjendet kjo ndërtesë që e kishte ndërtuar 300 vite më parë një shqiptar dhe që tash sllovenët po e kujtojnë me respekt për jetën , punën dhe trashëgiminë që i kishte lënë qytetit. Isha i vetmi shqiptar i ftuar në ceremoni dhe i respektuar me gjurmën dhe vlerat që kishte lënë Bruti duke mbijetuar edhe tre shekuj , kurse deritash nuk kisha lexuar asnjëherë për të ndonjë shkrim për këtë figure historike nga historianët tonë.
Z. Heset Ahmeti duke përshëndetur të pranishmit .
Familja Bruti ishte shpërngulur nga Shqipëria ( Durrësi ) në Kopër ,me ç’rast pranuan shtetësinë veneciane dhe duke marrë titullin fisnik Grof ( në mes të shekullit – XVI . ). Imzot Agostini gëzonte post të lartë në mesin e autoriteteve kishtare katolike dhe ishte “Maestro di Camera” në oborrin e Papës me prejardhje shqiptare ,
Klementit të XI , i lindur si Gjon Françesk Albani .
“Në në mes të mburojës në stemë, familja fisnike Bruti ka shqiponjën, në brendësinë e stemës katrore gjendet feniksi i kthyer ka dielli kurse në fushën tjetër qëndron dora me shpatë të ngrehur dhe me mbishkrim Libertas – liria”- spjegoi me dashamirësi
udhëheqësi i Bibliotekës së qytetit Peter Štoka njëherit organizator i këtij manifestimi.
Prandaj duke shfrytëzuar këtë rast u morëm vesh me udhëheqësin e Bibliotekës së Koprit z. Peter Štoka, për projekte bashkëpunimi me Shoqatën “Iliria” në të ardhmen.
Hap i parë do të jetë me 13 shkurt në vigjile të festimeve të organizuara nga kjo shoqatë shqiptare e Koprit me rastin e 7 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë së Kosovës , kur Z. Ahmeti do të organizojë një takim të këtyre autoriteteve të Koprit me ambasadorin e Shqipërisë z.Pëllumb Qazimi si dhe me sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës z. Mentor Borovcin për të kordinuar mundësinë e përkthimit të këtij libri me rëndësi të madhe për historinë e kësaj familje fisnike me origjinë nga Shqipëria.
Poashtu me kontributin personal të z. Heset Ahmeti dhe të shoqatës më të madhe shqiptare në Slloveni së shpejti në këtë bibliotekë do të hapet edhe këndi me libra të ndryshëm në gjuhën shqipe.