Vetëm 6 % e nxënësve e mësojnë shqipen në diasporë

Zyrtarë të Ministrisë së Diasporës, thonë se pjesëmarrja e nxënësve në procesin mësimor në nivel Evrope nuk është më shumë se 6 për qind.

Ndërkohë, javën e ardhshme do të fillojnë punën grupet punuese të formuara në konferencën e fundit për institucionalizimin e mësimit plotësues në diasporë.

Udhëheqësi i divizionit për arsim në diasporë, në Ministrinë e Diasporës, Ymer Avdiu, thotë për Radio Kosovën, se faktorët kryesor për pjesëmarrjen e vogël të fëmijëve shqiptar në mësimin plotësues janë të shumtë.

“Nuk paguhen mësuesit, ka pengesa për arsye se në disa shtete nuk ka fare mësim plotësues. Nuk është punuar boll, ndërkohë edhe prindërit janë shumë pak të interesuar. Në Suedi dhe Finlandë, ku shteti i paguan të gjitha shpenzimet e mësuesve, pjesëmarrja është shumë e madhe. Në Suedi pjesëmarrja është rreth 65 për qind, në Finlandë është 90 për qind. Ndërsa, në vendet e tjera pjesëmarrja e nxënësve është e vogël”, tregon Avdiu.

Avdiu bëri të ditur se janë formuar pesë grupe punuese, të cilat javën e ardhshme do të fillojnë punën për institucionalizimin e mësimit plotësues, ku do të rregullohet legjislacioni në kuadër të ligjeve të vendeve ku jeton mërgata, si dhe do të krijohet një sistem unik i mësimit plotësues jashtë vendit.

Këto grupe punuese janë formuar në dhjetor të vitit të kaluar, në një konferencë kombëtare, të mbajtur në Prishtinë, me qëllim të institucionalizimit të mësimit plotësues në diasporë dhe mërgatë:

“Është një takim tre ditor i përbashkët, ku marrin pjesë ekspertë specialistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe ndonjë nga diaspora, pastaj do të vazhdohet puna. Grupi i parë është për rregullativë ligjore për mësimin plotësues në diasporë, grupi i dytë është për unifikimin e plan programeve e teksteve mësimore dokumentacioni pedagogjik, grupi i tretë është për licencimin e mësuesve, grupi i katërt është për financimin e mësimit plotësues dhe grupi i fundit është për sensibilizimin dhe propagandimin e nevojës për dërgimin e fëmijëve në shkolla”.

Ndërkohë, pritet që deri në fund të vitit 2014 të nxirret dokumenti përfundimtar, ku do të jetë gati rregullativa ligjore si dhe plan programet për të vazhduar mësimin plotësues në diasporë.

Author: admin