Mërgimtarëve u kërkohet të ruajnë atdhedashurinë

Prekaz, 5 gusht – Në Prekaz, në platenë e kompleksit përkujtimor “Adem Jashari”, është mbajtur manifestimi qendror “Ditët e Diasporës 2012”. Ato kanë pasur për moto shprehjen e rilindësve “Një jetë e tërë në shërbim të kombit”. Filarmonia e Kosovës është përkujdesur për programin artistik, ndërkohë kanë interpretuar edhe disa këngëtarë.
Para kësaj, një delegacion në krye me ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli, kanë bërë homazhe në varrezat e Jasharëve. Pjesë e këtyre homazheve nuk është bërë nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili nuk mori mundin të lëvizte nga karrigia.
Ministri Makolli ka thënë se është obligim që nga vendi i shenjtë për të gjithë shqiptarët, ku u flijuan tri gjenerata të Jasharëve, t’ua a shpjegojmë historinë gjeneratave të reja.
“Mërgata tradicionalisht ka qenë strumbullar i lëvizjeve për liri, pavarësi e identitet kombëtar. Të tillë ishin rilindësit tanë nga mërgata, arbëreshët e Italisë, shoqatat e Stambollit dhe Bukureshtit etj. Mërgata luajti rol të rëndësishëm edhe në pavarësimin e Shqipërisë, 100-vjetorin e së cilës do ta shënojmë sivjet”, ka thënë Makolli.
Edhe Rifat Jashari i ka përshëndetur mërgimtarët duke iu uruar atyre pushime të këndshme në vendlindje, teksa i ka porositur ta ruajnë dhe kultivojnë atdhedashurinë dhe ta përcjellin këtë edhe të fëmijët e tyre. Kanë folur edhe Agim Rexhepi, nga mërgata e ShBA-së, dhe arbëreshi i Italisë, Pino Cacozza. Kjo u ka lënë vend ndarjes së mirënjohjeve që Ministria e Diasporës ka bërë për Rita Oran, Lorik Canën, Gjelosh Gjokajn, Hysen Tërpezen, Shoqatën “Vatra” nga ShBA-ja, etj.
Ndryshe, gjatë ditës, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, është bërë promovimi i librave të katër autorëve që jetojnë në diasporë. Fatmir Brajshori ka promovuar librin e tij “Toplica, një foshnjë mbi Berlin”, që flet për shpërnguljet e shqiptarëve nga ajo trevë, ndërsa Dashnim Hebibi, solli librin “Intervista në transicion”, që përthekon një sërë intervistash, të cilat autori i ka realizuar gjatë punës së tij si gazetar. Sali Zogiani, ka përmbledhur anekdota shqiptare në veprën e tij “Anekdota 5”, derisa autori Abdurrahim Ashiku ka prezantuar një sërë librash, nën titullin “Njerëzve që i dua”. Në mbrëmje, në kryeqytet është hapur ekspozita me fotografi e fotografit që jeton në Belgjikë, Asllan Krasniqi.

Author: admin