MËRGATA

Me një numër aktivitetesh, “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012” u shënuan edhe në Komunën e Suharekës. Pjesë e tyre ishte edhe promovimi i librit “Mbi Uraganin e Dhimbjeve”, i autores Zyrafete Kryeziu-Manaj.Përveç aktiviteteve, pjesë përcjellëse e Ditëve të Diasporës janë edhe takimet e mërgimtarëve me ministrin e Diasporës, Ibrahim Makolli. Kështu ndodhi edhe n Suharekë.

Sipas ministrit, i cili ishte i pranishëm në promovimin e librit “Mbi Uraganin e Dhimbjeve”, promovimet e këtij lloji rikonfirmojnë se mërgata kosovare nuk është vetëm konsumuese, por edhe krijuese e përditshme e vlerave kulturore.

Si rrjedhojë, Makolli apostrofoi se, Ministria e Diasporës, por edhe institucionet tjera të nivelit lokal apo qendror, këtyre ditëve organizuan promovimin e një numri krijimesh të mërgimtarëve tanë, edhe pse ka zëra kritikë, sipas të cilëve, mërgata s’ka nevojë për aktivitete kulturore.

“Edhe pse herë-herë ka pasur zëra se mërgata nuk ka nevojë për aktivitete kulturore, e as për promovim të veprave të tyre, por ajo ka nevoja tjera, them se pikërisht ky promovim dhe promovimet tjera të përditshme, dhe vetë ofrimi i vlerave krijuese të mërgatës tonë, i demantojnë më së miri këta zëra kritikë, që tashmë janë të vetmuar.

Ministria e Diasporës do të vazhdojë edhe më tej të përkrah krijimtarinë që zhvillohet jashtë vendit. Natyrisht, duke pasur parasysh që kjo krijimtari është pasuruar, sepse mërgimtarët tanë, përpos që bartin kulturën e origjinës së vendit, edhe e kanë bashkëdyzuar atë me kulturën e vendeve ku jetojnë”, nënvizoi ministri Makolli, derisa përgëzoi autoren për veprën e shkruar.

Lëvdata për autoren shprehu edhe kryetari i komunës, Blerim Kuçi, sipas të cilit Kryeziu-Manaj gjithmonë ka rrezatuar energji pozitive.

“Kam kënaqësinë që, në kuadër të festës të diasporës, të jem pjesëmarrës në promovimin e librit të një autoreje që vendlindjen e ka në Therandë. Të autores që të gjithë e njohin për energjinë e madhe pozitive që ka për artin, për kontributin për Kosovën, për sportin, dhe për shumëçka tjetër. Besoj se autorja këtë energji pozitive e ka bartur edhe atje ku sot punon”, theksoi, mes tjerash, ai.

Ndryshe, në kuadër të Ditëve të Diasporës, në Komunën e Suharekës janë mbajtur edhe disa aktivitete tjera të ngjashme, të organizuara nga Ministria e Diasporës dhe nga Kuvendi Komunal, si shfaqja nga artistit arbëresh, Pino Cacozza, koncerti ‘DiaFest’, etj.

Author: admin