Mehmet e Faik Konica, vellezerit e njohur diplomate

Mehmet Konica, ka qenë dy herë ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Vëlla i shkrimtarit shqiptar Faik Konica, ai ka qenë i pranishëm edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913-ën. Ai mbahet mend për bisedimet me Eduard Grein, ministër i Jashtëm i Mbretërisë Britanike dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve së Fuqive të Mëdha për Ballkanin. Mehmet Konica, si njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa lordëve më të fuqishëm në vend, me një zë të shtuar i tregoi ministrit që qëndronte me kurriz, se në Shqipëri ishte zbuluar një minierë e pasur me flori dhe se qeveria shqiptare e Ismail Qemalit kërkonte që mbretëria britanike të merrte koncesionin e saj. Gray u kthye dhe me mjaft delikatesë e ftoi të uleshin së bashku në tavolinë. Një minutë më vonë, me po aq elegancë Mehmet Konica i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte se si do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë… Si përfaqësuesi i “Vatrës”, Mehmet Konica ishte kryetar i Kongresit të Durrësit dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpunimin e programit të qeverisë së re. Ai ka marrë pjesë edhe në Kongresin e Lushnjës. Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar. Ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”. Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Author: admin