Ismail Kadare, i katerti ne listen per “Nobel”

Shkrimtari Ismail Kadare është i katërti në listën e favoritëve për të fituar çmimin “Nobel” për letërsi të vitit 2012. Në krye qëndron shkrimtari japonez Haruki Murakami, i botuar në shqip nga “Skanderbeg Bokks” me romanet “Kronika e zogut kurdisës”, “Pylli norvegjez” dhe së shpejti me “Kafka në breg”. Lista vazhdon me kinezin Mo Yan, holandezin Cees Nooteboom, shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare që këtë vit pasohet nga poeti sirian Adonis, i cili ka rënë nga lista. Mes favoritëve gjenden emrat e Philip Roth, Amos Oz, Alice Munro, Umberto Eco-s, etj. Kjo listë e publikuar nga “The Guardian” i është referuar sondazhit online të “Ladbrokes”. Në fakt, pavarësisht sondazheve, fituesit e “Nobel”-it kanë qenë gjithnjë surprizë, përveç rastit të vjetshëm, kur suedezi që fitoi, Tomas Tranströmer, renditej jo më larg se i dyti në këtë listë. Kjo është e disata herë që shkrimtari shqiptar Ismail Kadare gjendet në listën e kandidatëve për “Nobel”. Shkrimtari japonez Haruki Murakami ishte edhe në listën e pretendentëve për çmimin e “Asturias”, të cilin e fitoi Kadare në vitin 2009. Pas këtij suksesi, u komentua se shanset që shkrimtari shqiptar të fitonte “Nobel” ishin të shumta, por çdo herë kandidimi i tij është shoqëruar edhe me polemika mes botës shqiptare. Kadare ka qenë këtë vit edhe kandidatura që Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka dhënë me ftesë të Akademisë Suedeze. “Në emër të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kemi nderin t’i propozojmë Komitetit të Çmimit Nobel që çmimi ‘Nobel’ për Letërsinë për vitin 2012 t’i shkojë shkrimtarit të shquar shqiptar, Ismail Kadare. Duke njohur vlerat e tij të veçanta si një njeri i artit dhe i kulturës, ky shkrimtar i madh është zgjedhur si anëtar i jashtëzakonshëm i Akademisë sonë dhe është nderuar me një numër të madh çmimesh ndërkombëtare për një numër të madh veprash, të shkruara në një stil brilant dhe të pasur shqiptar dhe tashmë i përkthyer në shumë gjuhë të botës. Sipas këndvështrimit tonë, ai është i denjë për të merituar çmimin ‘Nobel’, i cili gëzon një prestigj kaq të lartë ndërkombëtar. Po bashkëngjisim një vlerësim të arritjeve të Ismail Kadaresë dhe një bibliografi të veprave të tij letrare.

Me shpresën që propozimi ynë të merret parasysh, ju shprehim respektin tonë të thellë”, shkruhej në letrën që Akademia Shqiptare e Shkencave i dërgonte Akademisë Suedeze. Ndërkohë, në sitet online vazhdojnë lobimet për të mbështetur njërin apo tjetrin shkrimtar. Në fillim të këtij viti kreu i akademisë suedeze, Peter Englund, zbuloi se 46 emra nga 210 të dominuar për çmimin e madh ishin zgjedhur për herë të parë. Edhe për këtë çmim, nuk kanë munguar diskutimet se zgjedhjet e bëra nga Akademia Suedeze kanë kontekst politik. Mbetet për t’u parë nëse këtë vit shkrimtari shqiptar Ismail Kadare do të ketë një shans real për të qenë fituesi i “Nobel për Letërsi 2012”.

Lista

1) Haruki Murakami

2) Mo Yan

3) Cees Nooteboom

4) Ismail Kadare

5) Adonis

6) Ko Un

7) Dacia Maraini

8) Philip Roth

9) Cormac Mçarthy

10) Amos Oz

Author: admin