Topalli: Ndre Mjeda prijës i letrave shqipe

SHKODËR- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina
Topalli, e cilësoi Ndre Mjedën si prijës të letrave shqipe, ndërsa poezitë e tij
si më të papërsëritshmet gjatë aktivitetit “Përkujtimi i Mjedës” i organizuar
sot në Kukël të Shkodrës, në homazh të 74 vjetorit të vdekjes së këtij
personaliteti të shquar të letrave shqipe.
Aktiviteti u organizua nga
Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda”, në mbështetje edhe
të Arqipeshkvisë Shkodër.
Zonja Jozefina Topalli vizitoi ambientet ku jetoi e
shërbeu Dom Ndre Mjeda, ekspozitën me fotografi dhe vepra të Mjedës, si dhe
panairin e mbajtur me këtë rast me produkte karakteristike të zonës.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi këtë iniciativë të mrekullueshme dhe të
merituar, që sipas saj i fton të gjithë në një moment reflektimi, meditimi dhe
kujtese në nderim dhe respekt të trashëgimisë kulturore të Ndre
Mjedës.
“Ndre Mjeda ishte kalorës prijës i letrave shqipe, pionier i
hapjes së shkollave shqipe, më eleganti në poezi , më i papërsëritshmi në
sonetet e tij. Ndre Mjeda ishte ndër deputetët e parë të Parlamentit të parë
shqiptar më 1921”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Duke u ndalur tek një nga
poezitë e mirënjohura të kollosit të letrave shqipe, “Andrra e Jetës”, Topalli
tha se, “kjo poezi simbolizonte ëndrrën e jetës së kombit si dhe dashurinë e tij
për kombin, për flamurin, për lirinë, për demokracinë”.
“Edhe sot, Mjeda me
veprat e tij, na nderon ne të gjithëve dhe për këtë ne duam vetëm t’i shprehim
mirënjohje këtij gjeniu. Ky qark dhe Shqipëria ka nxjerrë njerëz të mëdhenj dhe
të jashtëzakonshëm, të cilët edhe sot përmes kontributit të tyre, e bëjnë jetën
e çdo shqiptari më të bukur”, vlerësoi Kryetarja e Kuvendit.
Për
kontributin në studimet mbi personalitetin e shquar të letrave shqipe të Mjedës,
zonja Jozefina Topalli, i dha Çmimin “Ndre Mjeda”, zotit Mentor Quku.

Author: admin