Kosovë-Slloveni, nënshkruhet marrëveshje për ripranim

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi u takua të martën me ministren e Punëve të Brendshme të Sllovenisë, Katarina Kresal, ndërsa me këtë rast u nënshkrua marrëveshja për ripranim. Kjo marrëveshje u tha se është vazhdimësi e punës së MPB-së për agjendën evropiane dhe liberalizimin e vizave.

Ministri Rexhepi falënderoi Qeverinë e Sllovenisë për përkrahjen e dhënë shtetit të Kosovës për kontributin e madh në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe tani  në procesin e liberalizimit të vizave.

“Në emër  të Qeverisë së Kosovës dua t’i falënderoj për kontributin e madh të Sllovenisë në tërë proceset që kemi kaluar si shtet, sidomos në iniciativat për liberalizimin e vizave që burojnë nga Sllovenia, pasi që kemi një përkrahje parimore nga ky shtet, sidomos pasi që u bë anëtare e Unionit Evropian”, tha ministri Rexhepi.

“Ne jemi shumë të kënaqur edhe me punën e pjesëtarëve sllovenë në KFOR ku numërojnë mbi 300 trupa. Po ashtu jemi të kënaqur me përfaqësuesit e Policisë së Sllovenisë në kuadër të EULEX-it”, theksoi ministri.

Ndërsa ministrja sllovene Kresal, tha se takimi me ministrin Rexhepi është si rezultat i një bashkëpunimi të mirë në mes të dy shteteve dhe në veçanti në mes të dy policive. Ajo theksoi se “Një nga arsyet e këtij takimi është nënshkrimi i Marrëveshjes për Riatdhesim, që është një bazë e mirë për Procesin e Liberalizimit të Vizave”.

Kresal tha se Sllovenia ka qenë shteti që ka filluar këtë procedurë për liberalizimin e vizave për të gjitha ish-republikat e ish-Jugosllavisë dhe se ende janë forca që e udhëheqë këtë proces më tutje.

“E di që është një dëshirë e madhe këtu në Kosovë për liberalizimin e vizave dhe është komplet e kuptueshme. Ne do të luajmë rolin tonë pozitiv edhe më tutje. Hapi më i vështirë është të merret Udhërrëfyesi për të ardhur në procedurat e negocimit dhe shpresoj që nuk do të zgjasë shumë gjatë”, tha ministrja Kresal.

Gjatë kësaj vizitë u bisedua edhe për sigurinë në rajon dhe u tha se së shpejti pritet të nënshkruhet një marrëveshje për siguri në mes të dy shteteve dhe në trajnimin e policive

Author: admin