Kidnapohen punëtorët e KEK-ut

Në Podujevë, në Lagjen e Kuvajtit, të hënën  gjatë ditës, për disa orë janë mbajtur peng katër punëtorë të KEK-ut.Ata, sipas banorëve,  kishin shkuar në këtë lagje, ku banojnë kryesisht banorë me gjendje të vështirë ekonomike, për t’i shkyçur banorët e “Kuvajtit” nga furnizimi i mëtejshëm me energji elektrike për shkak të borxheve të mëdha, por banorët e lagjes i kidnapuan inkasantët. Madje, nuk i lëshuan për orë të tëra.

KEK-u ka reaguar për kidnapimin e punëtorëve. Në reagim thuhet:  KEK  reagon ashpër me rastin e mbajtjes peng të punëtorëve të korporatës dhe sulmit të tyre nga persona të pandërgjegjshëm në lagje të Kuvajtit. KEK kërkon nga organet e rendit dhe drejtësisë që kidnapuesit të marrin dënimin e merituar në mënyrë që raste të tilla mos të paraqiten në të ardhmen.

Korporata është thellësisht e indinjuar, sidomos me faktin se punëtorët kishin shkuar t’u ndihmonin banorëve. Madje, kjo ishte bërë pas marrëveshjes së arritur me përfaqësuesin e lagjes, i cili më pas nuk është lajmëruar fare.

“Rasti kishte ndodhur pasi persona të pandërgjegjshëm kishin vjedhur kabllon 10(kilovolt), që furnizon këtë lagje me energji elektrike. Ekipi i KEK , edhe pse ditë pushimi kishte shkuar për të gjetur një zgjidhje. Banorët e kësaj lagje në vend të zgjidhjes, kanë sulmuar dhe kidnapuar punëtorët e korporatës në detyrë.

Ky rast i paprecedent tregon qartë se më çfarë ballafaqohen punëtorët e KEK-ut në terren. Korporata nuk do të tolerojë asnjë rast të tillë, pra nuk do të ndalet asnjë çast së kërkuari nga organet e rendit dhe drejtësisë me shpresën se fajtorët do të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e KEK-ut.

Author: admin