Shqiptarët të synojnë postin e kryeparlamentarit dhe ministritë kyçe

Organizatat joqeveritare shqiptare në Maqedoni kërkojnë që shqiptarët përfundimisht pas këtyre zgjedhjeve të marrin një nga postet kyçe shtetërore siç është kryetari i Parlamentit dhe ministri të rëndësishme. Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropiane (OBRIE) vlerëson se është momenti i fundit që shqiptarët të marrin hisen e tyre sa i përket drejtimit të institucioneve kyçe në vend, siç është Parlamenti i Maqedonisë.

“Duke qenë si një popull i dytë në Maqedoni duhet që përfundimisht të shkohet me kërkesat për të marrë njërin nga postet kyçe në shtet dhe ministrit, që deri tani kanë qenë të mbyllura për tu udhëhequr nga shqiptarët. Faktori politik shqiptar që merr mandatin e popullit duhet të shtrojë si kërkesë dhe kushtëzim pozicionimin në resore kyçe ministrore siç janë Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave. Por njëherë e përgjithmonë duhet të vendoset funksionimi i qeverisë me vetëm një zëvendëskryeministër, i cili do të duhet të ketë fuqi politike në vendimmarrjet e Qeverisë, menjëherë pas kryeministrit”, thekson OBRIE, njofton INA.

Kjo organizatë thekson se kërkesën e saj do t`ia adresojë edhe partive politike, por do të kërkojë mbështetjen edhe të organizatave tjera joqeveritare për të ngritur zërin për pozicionimin e shqiptarëve në institucione. Deri tani partitë politike vetëm në mënyrë indirekte dhe si pjesë të fushatës kanë përdorur kushtëzimet për synuar postet kyçe në drejtimin e qeverisjes. Mbështetje këtij propozimi i ka dhënë edhe organizata IGFM, e cila thekson se shqiptarët duhet të kenë vendin e tyre që i takon edhe në drejtimin e institucioneve kyçe shtetërore

Author: admin