Kryeministri Sali Berisha theksoi të mërkurën se dhunimi qoftë edhe i një vote të vetme jashtë kritereve të ligjit, dhunon votën e gjithë shqiptarëve.
“Janë vota qytetarësh të ndershëm që gabuan. Ato vota do numërohen me transparencën më absolute”, tha kryeministri në mbledhjen e qeverisë, duke shtuar se votat e panumëruara që janë hedhur në kuti të gabuara, janë vota demokratike që duhen numëruar.
Zoti Berisha tha se prej dy ditësh me rradhë, “në dhunim të gjithë ligjeve të vendit, po bëhen përpjekje për të paralizuar punën e KQZ-së, funksionimin e saj, vendimarrjen e saj, me rrugë kryekëput të papajtueshme me rendin demokratik”.
Kryeministri tha se kryetari I opozitës po përpiqet të imponoje që rezultati paraprak të dalë rezultat përfundimtar. “Nëqoftëse ne do pranojmë rezulatin paraprak për rezultat përfundimtar, do asgjsojmë sistemin e zgjedhjeve të lira”, tha ai, duke shtuar se nuk ka edhe më tutje rezultat përfundimtar, i cili do të jetë rezultati që do të certifikohet nga KQZ-ja.
Asnjë parti nuk mund të shpallë rezultatin përfundimtar, kemi sistem ankesash që ka faktikuar veten, tha ai. Kryeministri vuri në dukje se për Tiranën, në dallim nga gjithë qytetet e tjera të vendit, ligjvënësit shqiptarë por edhe forcat politike, PD dhe PS, kanë vendosur në ligjin elektoral që komisioni zonal të jetë KQZ-ja, që do të thotë që ka tagrin ligjor, detyrimin ligjor të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin, të finalizojë në cilësinë e komisionit zonal tabelën përfundimtare të rezultateve për Tiranën dhe mbi bazën e saj të shpallë rezultatin përfundimtar.
Zoti Berisha i kërkoi kryetarit të opozitës Rama të “largojë njerëzit nga rrethimi, të mos rrethojë një institucion të pavarur, të mos kërcënojë njerëzit në detyrë” sepse “pasojat do jenë jashtëzakonisht të rënda nëse cënohet puna e KQZ-së