Nga Arsim Kolari
Nga wefaqja www.dibraime.com
U promovua sot në amfiteatrin e Qendrës për Kulturë në Dibër libri “Anekdota shqiptare 6” i profesor Salih Zogiani nga Prishtina. Në promovim morën pjesë personalitete të letërsisë, kulturës e artit dibran, të cilët shijuan nga afër vlerat e kësaj vepre, të sjellura me mjeshtëri nga vetë autori dhe bashkëpunëtorët. Pas fjalës së kryetarit të grupit letrar z.Nebi Samarxhiut, ishte momenti për të lexuar ca anekdota, të cilat u lexuan mjeshtërisht nga Bena Kërluku e Fatime Turkeshi. Ndërkaq, mori fjalën recenzenti i librit, profesor Sulejman Dërmaku, i cili mes tjerash veçoi vlerat e anekdotës si tregime me domethënie në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar. Ajo që madhështoi më shumë këtë takim qe prezenca e filozofit të madh shqiptar Daut Demaku, i cili në fjalën e tij Dibrën dhe dibranët i cilësoi me historinë e shënuar ndër shekuj, të gjithë ata që ishin prezent i quajti mendje të ngritura e me vizion të madh, rrëfeu shumë momente të jetës së tij, sa të hidhura, poaq domethënëse për një shoqëri të shëndoshë. Z. Demaku tha se pas Anton Çetës, mbledhësi më i madh i anekdotave shqiptare, është Salih Zogiani. Publiku u shkri në të qeshur kur profesor Demaku i tregonte përpikshërisht anekdotat e trevave të ndryshme. Në fund, fjala ishte e nikoqirit të takimit, njëherit dhe autori i gjashtë vëllimeve me anekdota, Salih Zogiani. Ai foli për vlerat e librit të gjashtë, në të cilin dha kontribut dhe tregimtari dibran, Arsim Kolari. Anekdota, tha profesori, është ushqimi shpirtëror I një populli dhe si I tillë na identifikon ne si popull. Zogiani përmendi Dibrën si djep të anekdotës dhe mençurisë, përshëndeti pjesëmarrësit e organizatorët, të cilëve ua bëri me dije rrugën e bashkëpunimit në vëllimet e ardhëshme.
Promovime të këtilla do ngelen në kujtesën e letërsisë shqiptare, sepse ky nuk qe vetëm promovim i librit, por dhe promovim i mikpritjes e odës dibrane.