Shtegtari i lirisë dhe denoncuesi i barbarisë
Në botën shqiptare shpeshherë emrat e veçantë, personalitete të njohura të së kaluarës dhe të tanishmes, kanë kryer punë të mëdha në dobi të përgjithshme, madje shpeshherë edhe më shumë sesa kanë kryer apo kanë pasur obligim të kryejnë edhe institucionet relevante.
Dr. Nusret Pllana, militanti i njohur i lirisë, i burguari politik, folësi i parë i Radios-Kosova e Lirë, tashmë ka krijuar një bagazh të pasur si veprimtar dhe intelektual me punën, mundin dhe angazhimin e tij të pandashëm gjatë më shumë se 30 viteve, në shërbim të kombit e Atdheut.
I çiltër dhe komunikues për nga natyra, energjik dhe tejet i disponuar për punë dhe aktivitete ndër më të ndryshmet dhe më sfidueset, Nusret Pllana vazhdon hapërimin e tij në ndriçimin dhe evidentimin faktik e faktografik të së vërtetës lidhur me tragjedinë shekullore shqiptare, të cilën e kanë shkaktuar sidomos serbët dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar në krijimin e shtetit xhandar të Ballkanit, ish Jugosllavinë dhe tani Serbinë, e cila edhe aktualisht ka mbetur peng i mendësisë njëdimensionale të politikave diskriminuese, kolonialiste dhe hegjemoniste në Ballkan.
Nusret Pllana i takon Lëvizjes kombëtare qysh në vitet e rinisë, në vitet 80, pastaj brezit të luftëtarëve të parë të lirisë, i cili në verë të vitit 1998 u inkuadrua në radhët e UÇK-së në Zonën e Dukagjinit, në Jabllanicën legjendare të Agim Zenelit dhe trimave e trimëreshave të kësaj ane.
Në kohën themelimit dhe fillimit nga puna, ai iu bashkua stafit të Radios-Kosova e Lirë dhe ishte folësi i parë, që kumtoi fjalinë më kuptimplote të luftës: “Ju flet Kosova e Lirë”. Është kjo fjalia në të cilën u mbrujt besë-betimi i lirisë, nën jehonën e krismave të legjendarit Adem Jashari dhe të gjithë luftëtarëve të lirisë nga Kosova dhe nga mbarë trojet shqiptare.
Pas luftës, Nusret Pllana për asnjë çast nuk reshti në rrugën e tij për ta ndriçuar luftën e UÇK-së, duke botuar libra, duke gjiruar filma dokumentarë për dëshmorët, duke organizuar ekspozita, përurime librash e akademi përkujtimore dhe gjithnjë duke mbledhur fakte e dëshmi për krimet sistematike dhe institucionale që ka kryer regjimi serb në Kosovë e më gjerë, krime që kishin për qëllim zhdukjen biologjike të shqiptarëve, shfarosjen e tyre kolektive, madje edhe djegien e tokave ku ata kishin jetuar me shekuj të tërë, shumë shekuj para dyndjes së ardhacakëve sllavë në këto troje të Ballkanit dhe Evropës.
Duke kuptuar rëndësinë e fakteve për historinë, aktualitetin, përditshmërinë, por edhe për sensibilizimin e opinionit përparimtar në luftë kundër dhunës e barbarisë, Nusret Pllana, krahas shumë veprave nxori në dritë librin antologjik: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët prej vitit 1844 deri në vitin 1999”. Me këtë libër dokumentar të ilustruar me foto autentike, të përkthyer në disa gjuhë të botës, ai ka nisur rrugëtimin e tij këmbëngulës, po thuajse në të gjitha qendrat e botës, me qëllim që opinionit përparimtar ndërkombëtarë t’ia bëjë me dije shembujt e shumtë të dhunës sistematike serbe kundër shqiptarëve, qysh prej kohës kur Serbia ishte krijuar si një Pashallëk i Beogradit, shtet vasal i Sulltanit në shekullin 19-të, e deri në qershor të vitit 1999, kur falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës nga ajri të forcës më të madhe ushtarake të botës, NATO-s, përfundoi për gjithmonë regjimi gjakatar dhe kolonialist i Serbisë në këto troje të Shqipërisë etnike.
Angazhimin dhe aktivitetin që po e zhvillon, dr. Nusret Pllana nëpër qendra të ndryshme të botës, në denoncimin e krimeve monstruoze të Serbisë, kundër shqiptarëve, sidomos gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të duhej ta zhvillonte Tirana dhe Prishtina, zyrtare, akademitë e Kosovës dhe të Shqipërisë, institutet e historisë dhe diplomacia e shtetit tonë, do të duhej ta zhvillonin ambasadat tona kudo në botë, por ja që ky aktivitet ka munguar dhe mungon në masën e duhur, po thuajse nga të gjitha institucionet përkatëse.
Libri: “terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët prej vitit 1844 deri në vitin 1999” po nxjerrë në sipërfaqe, para opinionit botëror, monstruozitetet e regjimit tiranik dhe despotik të Serbisë. Ky libër me gjuhën e fakteve po i flet botës demokratike dhe po i tregon sesa kanë vuajtur shqiptarët në rrugën e tyre të gjatë dhe plot sakrifica për liri e pavarësi dhe po u bën me dije diplomatëve kudo në botë se e drejta dhe e vërteta janë suplemente universale, të cilat gjithmonë dhe në vazhdimësi kanë ngadhënjyer mbi terrin, terrorin, gjenocidin, etnocidin dhe të gjitha barbaritë e sodomtë e tiranëve dhe diktatorëve.
Në rrugëtimin e tij nëpër qytetet e Evropës, Azisë, Amerikës, Australisë, në misionin e tij për ta zbardhur një të vërtetë të madhe të një kombi të robëruar gjatë shekujve dhe me qëllim për ta përhapur mesazhin e paqes, Nusret Pllana tashmë është bërë pjesë e një misioni të veçantë, sui generis, është bërë zëdhënës dhe mbrojtës i së vërtetës, në kohën kur koniukturat politike dhe diplomatike të prejardhjeve dhe bindjeve të ndryshme ideologjike dhe ideopolitike po bëjnë përpjekje t’i përmbysin vlerat e lirisë, humanizmit, pavarësisë, duke kërkuar madje edhe gjykimin e çlirimtarëve.
Në kohën kur qarqet antishqiptare në bashkëpunim me forcat pacifiste retrograde në vendin tonë, po përpiqen t’ i bëjnë gjykim kolektiv luftës për liri, në përpjekje për ta krijuar bindjen se ka kaluar koha e luftërave për çlirim nga robëria, dhe Evropa nuk duhet të lejojë të shpërblehet një koncept i tillë, libri: “terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët prej vitit 1844 deri në vitin 1999”parqet dëshminë më autentike, me qëllim për të kuptuar se kush kanë qenë kriminelët dhe cilët kanë qenë çlirimtarët, për të kuptuar se kurrë, asnjëherë në historinë e qytetërimit njerëzor nuk është pranuar përpjekja e barazimit të xhelatit me viktimën. Terrori i Serbisë pushtuese… e ilustron më së miri të vërtetën, e cila doemos se do të shpërblehet me të drejtën, edhe nëse ajo e drejtë mënon gjatë rrugës, ajo kurrë nuk harron, as nuk do të lejojmë të fundoset…
Ahmet Qeriqi
Mars, 2014