Gratë duhanpirëse janë të rrezikuara më shumë se kurdoherë nga sëmundjet që ndërlidhen me duhanpirjen, si: kanceri i mushkërive apo sëmundjet kardiovaskulare.
Kjo është konfirmuar në një studim që ka publikuar revista “New England Journal of Medicine”.
Studimi është përqendruar në të dhënat mjekësore të më shumë se 2.2 milionë grave në Shtetet e Bashkuara, në periudhën 2000-2012.
Ai tregon se femrat duhanpirëse, në vitet e fundit, kanë pasur 25 herë më shumë gjasa të vdesin nga kanceri në mushkëri sesa ato që nuk kanë tymosur kurrë – një nivel ky që meshkujt e kanë arritur në vitet 1980.
Ndërkaq, në vitet 1960, kjo ka qenë vetëm 2.7 herë më e lartë.
Sarah Williams, zyrtare për informim në Institutin për Hulumtim të Kancerit në Britani, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky trend ka gjasa të rritet në vendet në zhvillim.
“Në ato hapësira të botës ku njerëzit kanë nisur të pinë duhan më vonë ose së fundmi, është padyshim shqetësuese se numri i grave që vdesin nga sëmundjet, si kanceri në mushkëri, do të nisë të rritet”, thotë Williams.
Sipas saj, përhapja e llojit të cigareve “të lehta” dhe “të buta”, që kryesisht konsumohen nga gratë, mund të shpjegojë po ashtu rritjen e pasojave të pafavorshme shëndetësore.
“Dëshmitë kanë treguar se mënyra se si njerëzit i thithin këto cigare është pak më e ndryshme. Ata kanë tendenca t’i thithin më fort dhe kështu tërheqin tymin më thellë në mushkëri. Andaj, cigaret e tilla nuk janë më pak të dëmshme”, thotë Williams.
Hulumtimet e mëhershme kanë treguar se duhanpirësit humbasin rreth 10 vjet nga jeta e tyre, krahasuar me njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan.
Më pozitiv është hulumtimi i fundit, i cili tregon se burrat dhe gratë që ndalojnë duhanpirjen rreth moshës 40-vjeçare, shmangin pothuajse të gjitha rreziqet shtesë nga vdekja prej duhanit.
Richard Peto është profesor i statistikave mjekësore në Universitetin e Oksfordit.
“Ajo çfarë ka treguar studimi i ri, është se nëse gratë pinë duhan si burrat, ato vdesin si burrat, se rreziqet e pirjes së duhanit janë shumë më të mëdha seç është llogaritur më parë, por edhe përfitimet nga ndalimi janë më të mëdha seç është menduar”, thotë Peto.
Sipas tij, rreziqet që ndërlidhen me duhanin janë veçanërisht shkatërruese në Rusi, Ukrainë, Bjellorusi dhe vende të tjera të Evropës Lindore, ku duhanpirja është shkaku i dytë më i madh i vdekje të parakohshme – pas alkoolit.
“Duhani shkakton rreth një të katërtën e të gjitha vdekjeve të parakohshme në Rusi. Po ashtu ka rritje të numrit të vdekjeve nga duhani në mesin e grave ruse, edhe pse kjo shifër është shumë më e madhe te burrat”, thotë Peto.