Sipas një studimi italian, ekzistojnë disa zona cerebrale që duket se e përkthejnë xhelozinë në fiksim. Specialistët tregojnë se truri i një subjekti xheloz duhet studiuar me kujdes dhe të kurohet, në mënyrë që t’i rikthehet normalitetit
Truri i njeriut është i programuar biologjikisht që të prodhojë ndjenja ekstreme të xhelozisë, me qëndrime ekstreme kundër partnerit ose ish-partnerit. Këto janë të dhënat e fundit të një studimi të kryer nga studiuesit e Departamentit të Psikiatrisë dhe Shkencave Neurologjike të Universitetit të Pizës. Studimi është botuar gjithashtu edhe nga revista “Spekterat” e SNQ-së dhe “Cambridge University Press”. “Për herë të parë studimi ynë nuk është me natyrë eksperimentale, por metodike. Ne u nisëm nga analiza e pacientëve me Parkinson, por mund të themi të njëjtën gjë edhe për disa lloj të droguarish dhe alkoolistësh, që kur marrin barnat e tyre shfaqin një xhelozi patologjike. Lajmi i madh është se pas vëzhgimeve, zonat e trurit të përfshira duket sikur e përkthejnë këtë xhelozi në fiksim”, thotë Donatella Marazziti, një studiuese në Universitetin e Pizës. “Praktikisht, në një zonë të trurit, diku sipër ballit (kortecia frontale), zhvillohen të gjitha emocionet që lindin karshi partnerit, duke përfshirë këtu edhe ato më shkatërrueset, siç është për shembull frika për një braktisje të mundur. Këto fiksime, nëse bëhen të shpeshta, kthehen në zakon dhe mund të nguliten thellë në kokën e partnerit xheloz”, shton studiuesja.
Në sajë të testeve, studiuesit zbuluan tre karakteristika të trurit të një xhelozi të fiksuar. E para: është i prirur të besojë se marrëdhënia me partneren është e vetmja gjë që ka rëndësi; e dyta interpreton keq pafajësinë e sjelljeve, mendimeve dhe ndjenjave të partneres dhe e treta, e percepton humbjen e partneres si katastrofë për jetën e vet. “Kjo mori bindjesh mund të shkaktojë reagime ekstreme deri në vrasje madje”, thotë studiuesja, e cila shton: “Te këto subjekte prodhohet me shumicë dopaminë, gjë që çekuilibron sistemin. Xhelozia është si pickimi i një merimange. Vjen papritur dhe me një shpejtësi që ndonjëherë nuk mund ta kontrollosh. Qëllimi është që të studiohen personat e rrezikuar, ndoshta duke u bërë atyre një rezonancë magnetike kur janë në fazën e xhelozisë ekstreme, si dhe në parandalimin e rasteve më ekstreme”.
Marazziti thotë se edhe ajo vetë është viktimë e xhelozisë së sëmurë të një personi. “Ka 20 vjet që më telefonon, por fatmirësisht tani i ka rralluar telefonatat. Më merr vetëm dy herë në vit: për festën e Shën Valentinit dhe kur kam ditëlindjen. Në fillim e kisha të vështirë ta kontrolloja, por tani kam mësuar të bashkëjetoj. Nëse ky person do të pranonte të trajtohej, do të zbulonim shumë gjëra interesante, ndërkohë që xhelozia dhe deliri i tij vazhdojnë të rriten”, thotë ajo. “Problemi është se ne po jetojmë një moment dramatik të krizës familjare, gjë që pasqyrohet edhe në këto gjendje deliri. Ja pse është i domosdoshëm identifikimi i hershëm i një subjekti, zbulimi i një xhelozi të sëmurë, që shpeshherë mbulohet edhe nga familja e tij. Ndoshta studimi ynë mund të ndihmojë për të dhënë disa elemente më shumë. Jemi ende në fillim, prandaj shpresojmë të kemi fondet e nevojshme për të ecur përpara, përndryshe edhe kjo punë do të kalojë në duart e studiuesve amerikanë”.
Ekipi i studiuesve italianë dëshiron t’i shkojë më tej këtij zbulimi, për të gjetur ilaçet që mund ta kurojnë. Studimi në fjalë tregon se në të vërtetë bëhet fjalë për një çrregullim mendor, madje në format më ekstreme. Duke u nisur nga kjo, studiuesit do të përpiqen të gjejnë kurat e duhura.