Prizreni i tha jo ligjit për Qendrën Historike

Organizatorët e protestës në Prizren, kundër Ligjit për Qendrën Historike, janë shprehur të kënaqur me protestën e sotme. Sipas tyre, Në nkundërshtim të projekt-ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, janë tubuar me mijëra qytetare në protestën me moton “Nuk e duam ligjin”. Protesta e mbajtur në Sheshin Shadërvan të Prizrenit, e organizuar nga shoqëria civile e Prizrenit ka dëshmuar edhe një herë mospajtueshmërinë e qytetarëve të Prizrenit me këtë projekt-ligj.

“Në protestën qytetare u bë thirrje për heshtjen e fundit 15-minutështë, pas së cilës janë paralajmëruar veprimet edhe më të forta të shoqërisë civile dhe qytetarëve, deri në mosbindje qytetare ndaj ligjit nëse ai miratohet përfundimisht në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë të organizatorëve.

“Edhe një herë është potencuar se protesta është protestë qytetare e organizuar nga shoqëria civile, gjatë së cilës, qytetarët pa marrë parasysh bindjet dhe orientimet e tyre politike, fetare, apo etnike protestuan të bashkuar nën moton “Nuk e duam ligjin”. Nuk e duam këtë ligj sepse Kosova posedon me legjislacion të avancuar dhe institucione adekuate për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, derisa mangësia kryesore është mos-respektimi dhe mos-zbatimi i ligjit. Nëse nuk respektohen ligjet ekzistuese për trashëgiminë kulturore, çka na garanton që një ligj i ri do të respektohet?! Kjo është vetëm edhe një dëshmi që ligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk e ka për qëllim mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, por krijimin e situatave të reja favorizuese për një bashkësi të caktuar fetare, që paraqet diskriminim të qartë të qytetarëve të Prizrenit”.

Koalicioni i OJQ-ve në Mbrojtje të Qendrës Historike të Prizrenit ditëve në vijim do të njoftojë për veprimin e ardhshëm qytetar në kundërshtim të projekt-ligjit. Njëherit, është bërë e ditur se Koalicioni i OJQ-ve e ka përgatitur parashtresën për Gjykatën Kushtetuese, në rast se projekt-ligji miratohet në Kuvendin e Kosovës

Author: admin