Anila Dushi Ka punuar në profesione të ndryshm, të diktuara këto dhe nga ekonomia e tregut dhe domosdoshmëria e mbijetesës në të, dhe ia ka dalë mbanë. Por nuk e kishte menduar se do të bënte dhe një punë krejt të veçantë për një femër: atë të kameramanes. Lidhur me këtë Kozeta tregon se kamerën e ka përdorur për herë të parë në vitin 2006. “Arsyeja ishte disi banale. Operatori mjaft dembel neglizhonte të niste punën në mëngjes. E mësuar me një ritëm tjetër jetese, nuk mund ta pranoja humbjen e kohës. Mësimet e para për kamerën i mora nga ai, që në fakt i bëri gropën vetes, sepse pas dy javëve mbeti pa punë.
Momentet e para të ekspozimit në qytet me kamerën në sup qenë sfilitëse shpirtërisht. Paragjykimet vërshuan. Disa menduan se isha turiste angleze. Shpesh teksa shihnin llojin e kamerës binin në dilemë, sepse kamera të tilla vetëm televizionet kanë. Zgjodha një stil mashkullor në sjellje, duke e zhdukur delikatesën femërore. Sa herë që vinin personalitete në Shkodër, futesha mes operatorëve meshkuj, të cilët filluan të mësoheshin me idenë. Pas disa muajve pati përpjekje edhe nga dy gazetare të tjera femra për të bërë të njëjtën gjë, por hoqën dorë shpejt. “Kamera është pasioni im dominues në angazhimet e mia televizive. Fakti që jam operatore femër më sjell shumë favore, sidomos kur të intervistuarit janë femra. U heq drojen dhe ndihen më të lirshme. Por dhe pamjet apo intervistat më të vështira merren me lehtë nëse je femër. Kjo pasi ata që pyeten, e marrin si lojë dhe nuk përpiqen ta mbulojnë shumë problemin”, rrëfen Kozeta.
Vështirësitë nuk kanë qenë të pakta. Edhe mentaliteti për të cilin ajo nuk ka pyetur shumë, por për faktin se i duhej të bënte filmime për reportazhe apo cikle emisionesh në zona të ndyshme dhe të thella. Duke folur për dokumetarët në zonat malore, Kozeta kujton se terreni në zonën e Dukagjinit është i vështirë. “Shpesh nuk ka rrugë automobilistike në Alpet shqiptare dhe duhet të kacavirrem shkëmbinjve, ndërsa dukshëm shfaq krenarinë dhe nuk dua të më ndihmojë askush kur u ngjitem shkrepave. Kjo më sjell respekt tek burrat që më shoqërojnë dhe përveç rritjes së autoritetit, sidomos në ato zona ku mentaliteti nuk të favorizon, shmanget totalisht çdo përpjekje për keqkuptim”, thotë Kozeta.
Kozeta ka filmuar në Pukë, Fushë-Arrës, Vermosh, Vukël, Tamarë, Theth, Fierzë, Mirditë, Kalimash etj, por edhe ne Shqipërinë e jugut, Berat, Përmet, Vlorë. Gjithashtu në Maqedoni për dasmat shqiptaro- maqedonase, në Ohër e deri në Prishtinë. Më 2011-n ka bërë një reportazh në Romë për tregjet e fermerëve. Kozeta tregon se nga prindërit ka trashëguar disiplinën në punë, prirjen letrare dhe vendosmërinë për të mos u tërhequr ndërsa dy djemtë e saj Andrea 12 vjeç dhe Mateo 7 vjeç janë ata që e motivojnë për gjithçka. Puna e kameramanes e gërshetuar me atë të gazetares i jep kënaqësi pasi, siç shprehet vetë Kozeta, komunikimi me njerëzit dhe natyra e virgjër i japin kënaqësi. “Kur ngjitem me kamerë në majë të malit dhe shoh natyrën, nuk ka ilaç më të mirë për shpirtin dhe gjithmonë më jep një lloj dehjeje emocionale.
Njerëzit e mësuar në zonat urbane mes pallateve të betonizuara nuk mund ta kuptojnë kurrsesi këtë. Duke njohur natyrën dhe këndvështrimet e kapjes së planeve më të bukura, zgjedh që filmimin ta bëj vetë. Sot operatoret punojne pa ide dhe pa passion. Të paktë janë ata që e adhurojnë natyrën e behën një me gazetarin në ide dhe konceptim.
Në fillim, kur shkoja për filmime, më pyesnin se kush do e filmonte, ndërsa sot thonë, të lutem do të filmosh ti. Kur përdor kamerën, nuk kam si qëllim në vete të bëj revolucion në emër të të drejtave të grave. As që e mendoj kështu. Kamerën e kam pasion dhe nëse unë arrij të kem një lloj suksesi me reportazhet e mia.
Kjo vjen për faktin se operatorët dhe gazetarët sa vijnë e mësohen me komoditetin që ofron qyteti, zyra, etj. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur ata që jetojnë në zonat rurale tregojnë shpella, lëndina, gurë të mëdhenj të çuditshëm të paparë e njohur ndonjëherë edhe mrekullohesh e të duket sikur e ke zbuluar ti botën”, përfundon Kozeta Bruçi.
Jeta ime Kozeta Bruçi ka lindur më 1974-n në Përmet dhe që nga mosha 10 vjeçe familja e saj, babai mirditor dhe nëna përmetare, janë vendosur në Shkodër. Kozeta ka mbaruar arsimin e lartë për gjuhë–letërsi dhe aktualisht punon mësuese në një shkollë të mesme, por dhe gazetare. Në jetë ka provuar të punojë dhe rrobaqepëse, kërcimtare, parukiere, menaxhere etj., në Shqipëri e Greqi dhe që nga viti 2004 e ka gjetur veten si gazetare në një nga mediat vizive të Shkodrës. Ajo që e bën të veçantë Kozetën, është fakti se është e para femër që shihet me kamerën në krah teksa filmon për emisionet e saj, të cilave u bën skenarin dhe i prezanton. Janë rreth 270 reportazhe, dokumentarë etj., të bëra nga Kozeta, ku edhe si kameramane ka lëvizur në mjaft zona të vendit, jo vetëm në qarkun e Shkodrës. Është e martuar me dy fëmijë
Udhëtimet Në Theth apo Dukagjin, Shosh, Shllak, Kozetën e njohin të gjithë. Kjo pasi ajo me thjeshtësi u përshtatet të gjithëve, hyn në biseda dhe nuk pretendon për kushtet e akomodimit. Ajo thekson faktin se shpesh gjatë xhirimeve provon vetminë totale, ku ka zona mundësia për rrjet celularësh mungon dhe çdo aksident që mund të ndodhë, bëhet më i vështirë.
“Humbet pa lënë gjurmë. Zona të tëra janë braktisura dhe nuk gjen frymë njeriu në shumë fshatra në veri të Shqipërisë. Udhëtimi më i vështirë së fundmi ishte në muajin gusht në Shosh, në bjeshkët e Palajve. Përmes filmimeve të bëra me kamerën që nuk m’u nda nga supi, shoqërova 60 burra kryesuar nga kryepleqtë e zonës dhe famullitari i Shkodrës, Don Gjovalin Sukaj. Ka qenë udhëtim i lodhshëm sa më duket sikur ende ndiej dhimbje në gjunj kur e kujtoj. Shtigjet ishin mbyllur totalisht nga bimësia pasi aty nuk kalonin më njerëz dhe shkurret na përplaseshin në fytyrë