Ku ti gjeje parate ne vere nje student

Nga mund ta dallosh një student gjatë verës? Nga… asgjë. Studentët, mund të dallohen disi gjatë vetëm dimrit, dhe kryesisht vetëm brenda oborrit të fakultetit të tyre. Gjatë verës, në mungesë të impenjimeve universitare, shumica e studentëve “dredh zinxhirin”. Gjithçka një student mund të bëjë gjatë verës varet nga sasia e parave që prindërit do ti japin në përdorim. Ose… një student mund të përpiqet të fitojë vetë paratë e veta. Ka studentë, që në verë punojnë, ose të paktën janë në kërkim të ndonjë pune.

Realisht ata përbëjnë një forcë punëtore për sezonin e verës me benefitet e veta, sidomos për faktin që shpesh, kjo forcë puntore është e padeklaruar. Ata nuk para kërkojnë sigurime, dhe dihet që me fundin e verës, mund dhe të mos i shohësh më. Një pjesë, mbeten. Nisur dhe nga kjo ofertë joshëse për biznesin, vitet e fundit janë hapur së tëpërmi shumë vende pune për studentët, të cilët dhe pa një CV impresionuese të mirë mundet të sigurojnë një vend pune që nuk ka kritere shumë të larta pranimi.

Në dy vitet e fundit kompani telefonike të huaja, kryesisht italiane, si Telecom Italia, TIM italia, WIND Italia, etj, kompani kanë hapur vënde të shumta për studentët dhe kriteri bazë i tyre për të punuar është gjuha italiane. Kjo punë konsiston në formatin e një operatori telefonik, vetëm se jo në gjuhën shqipe por atë italiane. Një person që telefonon në Itali shërbimin e klientelës, për shembull, nuk flet me një italian në telefon por me një shqiptar. Ky i fundit duhet të zotërojë mirë gjuhën italiane në mënyrë që të mos ndjehet dallimi dhe biseda të bëhet normale. Kjo taktikë e përdorur nga ana e kompanive italiane është tepër pozitive për to, pasi ul së tepërmi shpenzimet e firmës. Nëse, për shembull, firma do të merrte në punë një punonjës italian ajo do të paguante të paktën 500 euro në muaj për të, kurse në Shqipëri paguan jo më shumë se 250 euro personin. Një tjetër vend pune tepër i përhapur është edhe operatori nëpër qendra interneti, të cilat vitet e fundit janë përhapur së tepërmi në Shqipëri. Tjetër ofertë për punë është pozicioni i kamarierit nëpër lokale, sidomos me lokalet e stinës që hapen vetëm gjatë verës.

Për studentët është një treg i gjerë pune por shpesh i padeklaruar. Sigurisht që studentët janë një shtresë shoqërore relativisht në nevojë për lekë por kjo nuk mund ët justifikojë abuzimin ndaj tyre në pagesat e kontributeve shoqërore. Nëse do të ndodhte një aksident në punë, kush paguan për një student? Përsëri, mami dhe babi.

Disa nga vendet e punës më të zakonshme nga studentët:

Kamarier dhe banakier.

Fitimi në këto pozicione të paktën për kamarierin nuk bazohet në rrogën që ai merr mujore pasi ajo është relativisht e ulët dhe rroga mesatar për një kamarier është 15000 lek, por janë bakshishet ato që i sigurojnë atij një fitim më të mirë. Zonat më të preferuara për të punuar janë zona e Ish Bllokut, lokalet e natës, lokalet nëpër shkolla dhe lokalet që kanë shumë punë nëpër lagje të mëdhaja.

Operatorë telefonikë në “Call Center”.

Paga e tyre bazohet në një rrogë bazë e cila varion nga 200-350 lek/orë pune, plus mëpas bonuset nëse shet produkte apo përqindje fitimi në produktet e shitur. Bonusi varion zakonisht në 1000-1500 lek.

Shitëse.

Është punë që përgjithësisht kërkon studente. Shitëset kërkohen kryesisht në butikë rrobash, parfumeri, galanteri, etj. Pagesa është 6000-8000 L/muaj.

Vajza Promocioni.

Një tjetër punë tipike për femrat, e cila bazohet në reklamimin e një malli të caktuar në publik, nëpër rrugë të qytetit, nëpër lokale, etj. Pagesa nëpër promocione shepsh herë është afro 2000 lek/ditë dhe konsiderohet si një punë part-time.

Administrator qendre interneti.

Është një vënd pune që konsiston në administrimin e kompjuterave të një qëndre internet. Pagesa në këtë punë varjon nga 15000-20000 lek/muaj.

Marketing i produkteve të ndryshme.

Janë persona të caktuar të cilët kontaktojnë me qytetarët dhe lënë takime për të prezantuar produktet e tyre.

Punonjës kazinoje.

Konsiston në krupiere e thënë ndryshe personi që kthen lekët në fisha për të luajtur ( zakonisht janë femra ) dhe “Dealer” që është personi që shpërndan letrat në fushën e lojës (një punë për meshkujt). Pagesa varjon nga 30000-45000 lek/muaj, por dillërat dhe krupieret mundet të përfitojnë edhe nga ndnjë bakshish të dhënë nga lojtarët.

Punonjës fast-foodi. Rroga, sipas dëshirës së pronarit.

Konsiston në përgatitjen e ushqimeve të shpejta, si sufllaqe, doner, hamburger, etj.

Shpërndarës të fletushkave të reklamave të kompanive të ndryshme.
Punët e tjera që i përshtaten zanatit për të cilën janë duke u shkolluar. Punë të tilla si asistent noter, asistent avokat, asistent ekonomist, etj.

Xhek Preçetaj

Burimi: Gazeta Shekulli

Author: admin