I ka kënduar muzikës “Tallava”, duke fshehur fytyrën pas një Ipod-i. Sepse kjo muzikë është gati një paradoks, pasi edhe pse nuk ka vlera, në fakt sjell shumë para. Të gjithë e dinë vendin ku dëgjohet, por shumë pak e pranojnë se e pëlqejnë. Ndaj, Flori Mumajesi ka vendosur t’i kushtojë këngën e tij të re këtij fenomeni të përhapur muzikor, ndërsa ka kënduar dje në ditën e fundit të “Top Fest 8”, festivali që pas tri javësh nis garën e 32 gjysmëfinalistëve. I apasionuar pas fenomeneve të tilla artistike në muzikë, tregon për çmimin që do të kishte preferuar dhe planet e verës në muzikë.
Në dy këngë si “Play back” dhe “Making of” ke bërë ironi me këngëtaret e playback-ut. Kësaj here me “Tallava”, i ke vënë syrin dikujt apo diçkaje tjetër për ta bërë objekt ironie tani e tutje?
Do të thosha që siç e keni vënë re, i pëlqej shumë fenomenet artistike dhe të vërteta për t’i trajtuar në krijimtarinë time. Dhe nuk ia kam vënë askujt syrin…
Para konkurrimit të këngës “Tallava”, u fol se zëri që ju shoqëron është i një vajze rome. Është e vërtetë?
Në fakt, vajza nuk është rome, ajo është gati 17 vjeç dhe quhet Gena. Për të më kishte treguar miku im Ervin Gonxhi, i cili e kishte dëgjuar të këndonte dhe e kishte pëlqyer shumë. Ishte pikërisht Ervini që ma mundësoi një takim me Olsin, djalin që në njëfarë mënyre është agjenti i këtij rasti..
Ndërkohë je në konkurrrim edhe me Elvana Gjatën, këngën e së cilës “Me ty “ e ke realizuar ti. Si ndihet krijuesi kur konkurrron “me veten”? Në këtë rast dëshiron më shumë fitoren e këngës se Elvanës, apo këngës sate?
Nuk e ndiej asnjëherë si të tillë e sidomos në rastin e Elvanës. Përkundrazi, ndihem shumë mirë.
Ti vetë çfarë çmimi ke dëshirë të fitosh në “Top Fest 8”, cilat janë pretendimet e tua për këngën?
Do më pëlqente ndonjë çmim, si për shembull çmimi “Tendencë” apo diçka e ngjashme…
Duket se nga krijimi në krijim, shfaqesh gjithnjë me gjetje. Çfarë të frymëzon në këtë realitet për të qenë kaq produktiv?
Birrat! (Qesh) Më frymëzon puna.
Shumë këngëtare të reja janë afirmuar në sajë të këngëve të tua, ke tani ndonjë këngëtare të re që po e përgatit për ta afirmuar këtë verë?
Mendoj se po, por kurrë nuk i dihet… Sidoqoftë këtë vit do jem pak i rezervuar.
Cilat janë planet e verës për Florin, ndonje bashkëpunim surprizë, klip të ri, album, koncerte?
Do të bëj shumë qejf dhe muzikë.