RADIO ILIRIDA

Ditën e enjte në parlamentin e ‘Severnës’ në Shkup është përcaktuar të luhet loja e pokerit politik në votëbesimin e qeverisë mes pozitës dhe opozitës.

Ditën e enjte në parlamentin e ‘Severnës’ në Shkup është përcaktuar të luhet loja e pokerit politik në votëbesimin e qeverisë mes pozitës dhe opozitës.

Opozita e bashkuar ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Zajko pasi ai më 31 tetor, pas humbjes së zgjedhjeve lokale premtoi se do të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit.

Por, deri në mbledhjen e fundit të këshillit qendror të partisë së tij të ditës së djeshme, ai nuk e dërgoi në parlament aktin e dorëheqjes, sepse SDSM nuk e pranoi dorëheqjen e tij duke e shtyrë për më vonë.

Opozita e taksur thotë se ka siguruar 61 vota të nevojshme për ta rrëzuar këtë qeveri të mbrapshtë duke llogaritur në tre deputetët e ‘Besës’ të cilët si duket të pakënaqur me postet ministrore e prenë në besë Zajkon, duke kaluar në kampin opozitar.
Për shkak të orekseve të babëzitura dhe të parezistueshëm ndaj karremit të Mickos për oferta interesante të pushtetit, besatarët e Bilit dezertuan nga kampi i ‘partizanëve’ për t’u futur në llogoret e komitëve, me mendimin se së fundmi do t’i kënaqin orekset e tyre për një a dy ministra më shumë se te kampi tjetër.

Nga ana tjetër edhe pozita në këtë ndeshtrash të ditës së nesërme nuk po qëndron duarkryq, edhe ajo do të luaj lojën e pokerit politik në rastin më të keq rënien e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme, ku ajo shpreson të rikthehet fuqishëm duke e diskredituar të opozitën shqiptare pasi ajo bashkoi votat me një parti antieuropiane si ‘Levica’ për ta rrëzuar qeverinë e Zaevit.

Kjo do të ishte vetëvrasje e opozitës shqiptare jo për faktin se iu bashkuan koalicionit me VMRO-në (tashmë të moderuar për shkak të domosdoshmërisë për koalicion me partitë shqiptare), por sepse i bashkuan votat me ‘Levicën’ shoviniste antishqiptare të deklaruar botërisht në këtë mocion mosbesimi.
Si konkluzion atyre do t’u vihet njolla e zezë para opinionit publik shqiptar se kanë luftuar së bashku në një front me një të keqe të madhe si ‘Levica’ për interesat e ngushta për ta rrëzuar këtë qeveri të papërgjegjëshme të kredhur në krim dhe korrupsion.

Një tjetër kartë e fortë e pozitës që do mund ta përdor është dhe mosbërja e kuorumit në fillimin e seancës për ta hedhur në votë mocionin e mosbesimit të opozitës.
Kësisoj, pozita do provojë të përdor të gjitha format e mundshme për ta përdorur në rast rreziku ‘xhokerin’ kuorum për ta bërë të pavleshme dhe antiligjore mbajtjen e seancës së votëbesimit.
Një dështim i mocionit të parë ( mospasja e 61 votave kundër )do ta shtynte për tre muaj kërkesën për një mocion të dytë.

Ndaj, ata që do ta lozin më mirë lojën e pokerit politik do të mbijetojnë, në rastin tjetër nëse ndodh që këtë lojë do ta humbas opozita shqiptare pasojat në ringritjen e tyre si subjekte politike do të jenë të parikuperueshme.

Të gjitha letrat janë në tavolinë, kush do ta loz më mirë do vazhdojë tutje ndërsa ai që do ngec do ngelet në klasë dhe do përsëris vitin!

Medai Shaholli