“Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike”

pllana1

Shkruan: Enis Baftijari
Shoqata qytetare “Uniteti Progresiv” – Shkup vizitë në Kosovë, nën moton:
“Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike”
Shoqata qytetare “Uniteti Progresiv” – Shkup realizoi një vizitë në Kosovë me ç’rast morën pjesë 49 studentë kryesisht nga Shkupi, Tetova, Kumanova dhe qytete tjera shqiptare. Kjo vizitë u bë nën moton “Mos – harresa në shërbim të kujtesës historike” e cila kishte për qëllim të kontribuojë në të mirën e marrëdhënieve ndërmjet rinisë shqiptare ndërmjet dy vendeve dhe simbolizon unitetin kombëtar të rinisë shqiptare ku do që gjenden, pa dallim besimi, përkatësie politike, partiake, etj., dhe dëshmoi se ideali kombëtar është mbi të gjitha interesat tjera.
Gjatë kësaj vizite u vizituan disa vende duke filluar nga Fakulteti i Edukimit, Komuna e Prishtinës, Kuvendi i R. së Kosovës dhe Kompleksi Memorial i dëshmorëve të kombit në Prekaz.

pllana2
Vizita filloi në Prishtinë në Fakultetin e Edukimit ku u bë një pritje vëllazërore nga ana e Prof. Dr. Nusret Pllanës me studentët e Prishtinës me nga një karanfil të kuq në dorë, të cilët në shenjë miqësie dhe vëllazërie u uruan mysafirëve mirë se ardhje.
Pastaj vizita vazhdoi në Komunën e Prishtinës ku u bë një pritje nga Kryetari i Komunës së Prishtinës Z. Shpend Ahmeti. Gjatë këtij takimi mbajti një fjalim përshëndetës kryetari i Unitetit Progresiv, Enis Baftijari, i cili në shenjë mirënjohje Kryetarit të Komunës i dhuroi si dhuratë modeste një kopje të librit me titull “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999” të autorit Prof. Dr. Nusret Pllana. Të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës i cili u uroi mirëseardhje në kryeqytetin e Kosovës si dhe foli për punën dhe aktivitetet e administratës së Komunës.

pllana3
Në vazhdim studentët e Unitetit Progresiv në shoqërim të Prof. Dr. Nusret Pllanës vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku u pritën nga Z. Sherif Konjufca (Drejtor i Drejtorisë për informacion në Kuvendin e Kosovës). U vizitua ndërtesa e Kuvendit dhe salla e seancave plenare, me ç’rast Z. Konjufca u përgjigj pyetjeve të studentëve rreth punës së Kuvendit.

pllana4
Vizita mbaroi në Kompleksin Memorial të dëshmorëve të kombit në Prekaz, ku u bë pritja nga Z. Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari. Në mënyrë që mos të harrohen dhe të ngelin përgjithmonë në kujtesën historike lufta dhe vepra e dëshmorëve të kombit, u mbajt një minutë heshtje në shenjë respekti për përjetësinë e tyre në altarin e lirisë.

pllana5