Letër e mbyllur dashurie për ty Shqiptaria ime

largea_1625pi1412151227

Nga Gëzim Muçolli

Po ia nisi ta shkruaj këtë Letër të Mbyllur pasi letrat e dashurisë gjithmonë janë shkruar dhe nisur të mbyllura, dhe sa herë janë hapur kanë pasur emocione dhe shqetësime me drithërima zemre.

Nuk desha qëllimisht të shkruaj Letër të Hapur sepse tash njerëzit bëhen sikur lexojnë aq shumë saqë nganjëhere krijohet përshtypja se as vetë ai që shkruan diçka hapur nuk e lexon me vëmendje deri në fund se lëre më lexuesit e saj .

Tashmë edhe kur dikush ju drejtohet Të pushtetshmëve dhe Organeve të pushtetit, me ndonjë letër të hapur, ata gati nuk denjojnë ti përgjigjen letërshkruesit sepse sot marrja ka dimension tjetër dhe pihet nganjëherë me kafenë e mëngjesit në pushime obligative ku reflektohet për biznese dhe tenderomani si për trashëgimi të detyruar.

Letra ime ka nxitje nga dashuria dhe njeriu për dashuri sakrifikon shumë. Dashuria nuk është vetëm pasuri morale e poetëve si Naimi i madh që u shkri si qiriri apo si Çajupi hiq më i vogël që dashurinë kishte marak ta ndiente dhe ta prekte. Pastaj dashuria ime nuk është si ajo e adoleshentëve që duke dashuruar duan ta zbulojnë gjithë botën pa e zbuluar ende mirë vetveten.

Dashuria është problem sepse të dashurosh është më keq se t’ia futësh vetit therrën në këmbë. Sepse kjo therrë rritet vetvetiu dhe bëhget shigjetë si ato të rrëfimeve mitike ku shpon tejpërtej zemrat e njerëzve të vuajtur për dashuri. Gjeneratës time jo rrallë i është prezentuar modeli i shekullit XX princit Anglez i cili për dashurinë e tij të vjetër hoqi dorë nga froni mbretëror.

Por për ne shqiptarët etnikë dashuria është më shumë se ndjenjë, është edhe obligim. Sepse shqiptari nuk din të dashurojë varfër-isht. Shqiptari kur e rrok dashuria ai edhe dashuron edhe don , me efektin e hatashëm që mund ta krijojë ndjenja kur edhe je borxhli edhe të kanë borxh.
Shqiptari di të dashurojë deri në dhimbje.( Kush nuk ka dëgjuar edhe për grate dhe të dashurat që kanë krijuar elaborate për dhunën duke pasur temë gjithë argumentet që shqiptari i jep vetës në emër të burrërisë ? !). Por ka ditur edhe të vuajë me të njëjtin efekt përmasat e dhimbjes , sidomos kur është përballur me tradhëtinë. Me ligje kanunesh dhe me ide revolucionesh tradhëtinë e ka paguar me numërime krismash bile edhe midis Parisit.

Pse po hyn Parisi i madh këtu në këtë letër të vogël që ka përmasa sa ta zëjë kutia postare deri sa ta sjellë postieri te T? Sepse Ti që i thua vetit dikushi midis rreshtave nuk ke mundur ndoshta ta kuptosh se shqiptari shqiptaren e vet dhe tokën e babës i don më së shumti në jetë. Le që ngatërrohet afër po na fut në telashe të gjithëve për kufinj mexhash. Nuk ka alternativa para dashurive tokësore të shqiptarit sepse ai gjithmonë ka kohë për të pritur dashuritë e amshimit që ia prediikojnë disa të vetquajtur që një lloj shkolle e kanë kryer shkretëtirave të botës ku pëlcet shapini nga zhegu.

Kam pas lexuar disa versione të një libri shumë të dashur të periudhës sime të (mos)sherrit aty kur njeriu e kupton se nuk është më fëmijë por askush nuk të llogaritë për të rritur. Libri ishte shkruar nga dibrani i madh Haki Stërmilli dhe Dija e vuajtur fliste se babai i saj nuk donte asnjë fotografi në shtëpi dhe i shqyente ato. Por edhe babai i saj , burri i njerkës së saj sepse ajo ishte jetime dy fotografi nuk i shqyente vetëm 2 fotografi edhe pse i kishte thënë hoxha se të mbash fotografi në shtëpi është haram . Një ishte fotografia e Naltmadhnisë (aha !) se ai e dinte çka është tuta dhe nuk donte të ngatërrohej me qeverinë dhe fotografia tjetër ishte ajo e Flamurit. Nuk e kam ende të qartë se a ishte doppio tutë nga Naltmadhnia apo ishte dashuria e veçantë për flamurin kuqezi që në shtëpinë e Dijes hallemadhe të përgjëruar për të dashurin e saj Shpendin, refugjat nga Kosova e djegur dhe shkatërruar nga naçellnikët dhe vodnikët e ushtrisë dhe Xhandarmërisë serbijane në midis dy luftërave botërore.

Ky flamur më është shfaqur shpesh parasysh në kohët e shkollës.Ishte bërë edhe pjesë e pajës së çikave kosovare që qëndisnin flamurin dhe kur shkonin nuse e dërgonin të vendosur në kornizë si kuadër artistik me vlerë tepër të çmueshme.

E kam parë këtë flamur në radhët e para të demostratave të vitit 1981 atëherë kur duke shikuar tankset e të ashtuquajturës Armatë Popullore e Jugosllavisë që kishin dalur nga kazermat dhe po vinin me uturimën dhe kërcënimin e tyre për ta zaptuar Prishtinën dhe shtypur hovin e rinisë kosovare që po kërkonte gjithçka që mund të quhej e drejtë kushtetuese e mbi të gjitha Republikën. Tankset hynë në Prishtinë nga drejtimi i Pejës, Mitrovicës Podievës dhe Shkupit dhe vulosën krimin në emër të barazisë së Jugosllavisë e cila atë ditë vdiq përgjithmonë në ndërgjegjet e çdo shqiptari.

Edhe kur nga tankset mitralozët kositën jetët e heronjve të thjeshtë të pranverës së Tetëdhjetenjëshit , flamuri nuk u lejua të binte në tokë sepse e kapte dikush tjetër duke e ngritur lart.Ishin role dhe epoka që jeta i cakton njerëzve që kanë fatin ta takojnë lirinë duke lindur shpirtërisht. Ideale që zbresin sheshit duke përqafuar përjetësisht shpresën e madhe në shpirtin e njerëzve të dashuruar për liri.

Ky ishte edhe flamuri i gjashtëdhjetë e tetës , i cili në krye të demostratës dridhi Beogradin dhe Partinë e diktatorit Tito. Midis shiumë këngëve që iu kënduan flamurit është i pavdekshëm vargu :”çmimi yt është çmimi i gjakut”.

Po ky flamur që ngriti sa e sa herë në këmbë shtetin e sllavëve të jugut , ishte nder kur i besohej Bajraktarit të dasmës sepse në viset etnike shqiptare nën ish-Jugosllavi krushqit shkonin e merrnin nusen me flamur kuqezi në krye të kolonës së dasmorëve. Flamuri i cili ngritj e dhe valonte qysh nga e enjtja deri të hënën kur kryhej dasma. Flamuri i poetit Fazli Grajçevci që kriminelërt e UDB-ës e mbytën në burgun e Prishtinës. Për hir të këtij flamuri doktori i madh i kohës dr.Ali Sokoli nuk pranoi të nënshkruajë raportin e përgatitur nga UDB-a se Poeti i Flamurit kishte vdekur nga “shkaqe natyrore”. E më pastaj mjeku i Prishtinës pas pak kohe vdiq nga “shkaqe natyurore” dhe populli e përcolli te varrezat e qytetit duke qenë varrimi ,më i madh dhe dinjitoz i kohës.

Eh sa dashuri ka ky flamur , i cili nga kohë e të madhit Skënderbe na u la trashëgim bashkë me shqipen dykrenare. Bashkë me mallin e arbëreshve që lanë Morenë e tyre të dashur në brigjet e detit Jon dhe u tretën në tokat e reja të Skenderbeut në jug të Italisë.

Ky flamur nuk u tret kurrë as nga ëndërrat e të burgosurve shqiptarë duke forcuar qëndresën dhjetvjeqarëve përballë torturave që kaluan nën hekurat e burgjeve sllave. Ishte fjalëkalimi i lirisë, e cila ishte rruga e çdo shqiptari drejt Tokës së Premtuar, Shqipërisë etnike në kohështrirjen natyrore të saj deri te Molla e kuqe. Ishte vaji dhe kënga e muhaxhirëve të Toplicës , që me shkrumb e plumb i përzunë nga shtëpitë e tyre në viset veriore të vilajetit të Kosovës. Ishte krenaria e qëndisur në ballë nën plisin e bardhë të shqiptarëve të Peshterit dhe Pazarit të Ri e gjithë Sanxhakut edhe në gjerësi deri në Kotorrin e Tanushës dhe Imzot Nik Prelës, të cilin udbashët e kishin dërguar para tytave në kufi me Shqipërinë shtetrore duke dashur ta vritnin me gjasje sikur kishte ikur nga burgu dhe po dilte në Shqipni.
Eh sa vuajtje, sa dhimbje, sa qëndresë kanë bërë që ky flamur të ketë diçka të veçantë që shëmbëllen me shenjtërimin. Sepse çmimi i sakrificës për ta ruajtur ishte gjithmonë çmimi i gjakut sikur kishte nevojë për ta rinuar ngjyrën e vet .Dhe Shqipja e flamurit të rrijë sa më lart drejt qielllit që Perëndia e caktoi për shqiptarët.

Kur po provonim egërsinë e dhunës dhe pushtimit , na bënte krenarë valvitja e flamurit shesheve para dyerve të fuqive të Botës. Shqiptarët e dalur që thjesht regjimi i quante armiqësisht emigracion politik po i tregonin botës se njerëzit e këtij flamuri po vuanin skllavërinë e pushtimit nga shteti që kishin krijuar ato fuqi me bekimin e tyre në Londrën e vitit të largët 1913.

Kur ky shtet filloi të digjej nga brenda në nëntëdhjetenjëshin ngaqë themelet paraprakisht ia lëkundën përgjithmonë grevat e minatorëve të Mitriovicës dhe studentët dhe populli i Kosovës , na takoi edhe neve mërgimtarëve ta marrim me vete nga një copë flamur e të dalim jashtë nëpër botë për të kërkuar atë që na kishin hequr bashkë me bukën e gojës. Lirinë dhe të drejtën për të jetuar nën qiellim e përflakur të rrafshit të Kosovës.

Me këtë flamur duke u endur shesheve të Evropës plotësuam imazhet urbane të demostratave para ministrive dhe qeverive, para Natos dhe OKB-së. I kërkuam llogari Evropës që tashmë ka shkurtuar emrin në BE dhe i premtuam se llogaritë do ti bënim vetë kësaj here si gjithherë me çmimin e gjakut.

Pushka e Zahirit, Ademit, Hamzës, Fehmiut, Havës, Agimit e Shkëlzenit, me shokë ishte kushtrimi i fundit për dasmën e madhe që dridhi ndërgjegjet e ndryshkura të ish Perandorive që kishin vizatuar kufijt e vjetër të shënuar me gjakun e derdhur që ndante një komb në zemër të Evropës në 5 shtete. Drejt lirisë që zbriti nga qielli dhe toka në qershorin e nëntëdhjetenëntës duke varguar bashkë me brigadat e UÇK-së dhe kolonat e refugjatëve që po ktheheshin në trojet e tyre në tokën e djegur të Kosovës. Prap valoi flamuri i sjellur nga Vlora heroike e Ismail Qemalit mbi kullat e djegura të Drenicës së Azemit dhe Ademit dhe mbi themelet e kullave të Isës në Boletin të Mitrovicës.

Prap valëvitet ky flamur i zemrave në duart e djemve dhe çikave të Shqiptarisë kudo që ndodhen ata sepse përfundimisht ka rënë kompleksi i atyre që dikur kishin mendim se ngritja e flamurit ishte çështje e bashkisë me rast festash . Kolorit i veçantë për të vizatuar krenarinë rinore me ritmet e këngës “O sa mirë me qenë shqiptar” kur brohorasin shqiptarët e rinj që të lirë e të bashkuar mbushin sheshet dhe stadiumet duke shprehur atë që thjesht quhet dashuri për mëmëdheun.

Ti tashmë që i lexove këta letra të kësaj letre që unë ta dërgova të mbyllur mund të thuash po të gjitha këto i kam ditur.Po mirë se kjo letër është dhe letrat e dashurisë nuk janë kurrë të mërzitshme. Dhe kjo dashuri e jona e bukur dhe tmerrësisht e ashpër forcohet sa herë që neve na ndalojnë të duhemi. Desha të them të dashurohemi ,siq i kam pas thënë dikur të dashurës sime në takimin e parë se shqiptari i vërtetë edhe don edhe dashuron , prandaj ka gatishmërinë e lindur të sakrificës për të mbrojtur atë që shekujt i dhanë shenjtërinë e simbolit kombëtar.

Pa qenë asnjëherë fajtor për tkurrjen e pësuar gjatë shekullit të fundit , në absolutizmin e absurdit (historik) që dintë bëjë Evropa , duke ditur se ka shumë që duan edhe lojën dhe topin , shqiptarëve iu ndalua të shoqëronin ekipin e vet të futbollit .sepse kishte frikë Evropa se po i prishen parametrat e paqes me Nënën e madhe të gjithë sllavëve , me Rusinë e cila është cariste edhe kur ka president dhe thith gjakun e popujve të vegjël e të pafajshëm të kontinentit aziatik duke shtrirë kërcënueshëm interesat e saj deri në brigjet e ngrohta të Adriatikut dhe Mesdheut.
Dhe loja e topit në vend që të ishte festë sportive dhe moment pajtimi u bë përkujtesë e egërsisë, dhe budallallëkut serbian të cilit jo rrallë herë dikush në Evropë i bënë roje nderi.

Në një fushë 100 metërshe 11 djem shqiptarë kënduan himnin e Flammurit nën zhurmat poshtëruese të njerëzve që moti e kanë humbur lirinë e vet duke u shëndërruar në adhurues të kriminelëve dhe të fashizmit serbomadh që ka lënë gjithkah nëpër republikat e ish Jugosllavisë vazhdën e gjakut të tharë të viktimave të pafajshme. Loja e futbollit ishte tmerrësisht e vënë nën brohoritjet e çmendura të koreve djallëzore të kriminelëve nga luftate fundit që po thërrisnin për të derdhur gjakun e shqiptarëve: “Vritni, therrni që shqiptari mos të ekzistojë më !”.

Të gjata ishin 42 minuta derisa si U.F.O. nga qielli i Beligradit zbrit dalëngadalë në stadium një flamur me simbolikën kombëtare të përmbledhur në domethënien e fjalës Autoktonë me hartën e Shqipërisë së vërtetë që pos natytralitetit të saj ka edhe emrin Shqipëri Etnike dhe Ismailin e Isën e 1912 që ngritën flamurin e shtetit që një vit më pas fuqitë e Evropës për shtatë palë qejfe të mbretërive të kohës e prenë copë e grimë me gërshërë.

Nuk mjaftojnë rreshtat për të shkruar atë që natyrshëm bijtë e shqipës bënë për ta mbrojtur këtë simbolikë me shqiponjën dykrenare midis hartës shqiptare. Por mjaftojnë fjalët e gjuhës sonë të bukur për ta përshkruar bukurinë e dashurisë më të natyrshme për të lartësuar dinjitetin e (mos) nëpërkëmbur shqiptar nga përgjegjësit sllavë dhe evropian të sportit të këmbëve. Një Taulant me 10 shokët e tij kaloi në efiçencë historike vullnetin e shqiptarëve se sa e duan lirinë dhe të drejtën e të qenit të barabartë para botës. Edhe ata që kurrë nuk kishin shikuar ndonjë ndeshje me top u bënë tifozë të flaktë dhe patriotë që nuk u shterrojnë bateritë kurrë.

Historia e re do të palojë fletët e saj me dëshmi statutesh dhe komentesh pa numëruar milionat e “Like-ve “ në rrjete sociale. Të gjithë u bëmë njëlloj patriotë sepse më nuk jemi veq për Shqipërinë të cilës kosovarët duan ti bashkohen por edhe për Shqipërinë Etnike, e cila do ti bashkojë të gjithë shqiptarët bashkë me trojet e vërteta që lëkundin ekuilibrat e interesave të Evropës. Hall mos me na dashtë e hall edhe më i madh me na dashtë Evropa kaq sa jemi. Sepse evropianët e BE e dinë që shqiptarët kur bien në dashuri edhe duhen edhe dashurojnë.

Unë atë natë të humbur të Evropës u bëra një nga miliona dëshmitarë të huqjes së madhe të Evropës e cila përsëriti gatishmërinë të eksperimentojë me durimin e e shqiptarëve . Në të njëjtin akt të dramës së fundit të paftyrësisë së civilizimit evropian i cili ra në kurthin e shovinizmit serb të motivuar nga shembulli i konsumuar i politikës së segregacionit dhe racizmit të Millosheviqit i cili shqiptarët i pat klasifikuar në qytetarë të rendit të dytë duke futur modelin e apartheidit kolonialist midis kontinentit të vjetër.

Shqiptarët u kërcënuan nga tifozeritë çetnike serbe dhe nga thirrjet makabre të tyre, u trajtuan me dhunë joproporcionale (thënë politikisht) dhe mbrojtën dinjitetin e tyre dhe të një populli që edhe me një gjest gati virtual dhe jashtë koncepteve epike theu në kurriz cinizmin e udhëheqësve të UEFA-s dhe pragmatizmin alternativ të zyreve të qelqta të Brukselit që sakrifikojnë përherë sovranitetin e pjesshëm të shqiptarëve në emër të rregullave të çuditshme të integrimeve që vlejnë vetëm për etnikumin shqiptar.

Atë natë shqiptarët me patriotizmin e tyre kozmik prekën qiellin dhe po tu kërkohej do të ishin të gatshëm për ta prekur edhe hënën apo diellin me dorë. Pa llogaritur këtu ndonjë shqiptar të kategorisë që dikur e paten standardizuar millosheviqët si “shqiptar të ndershëm” halli i të cilëve ishte pse një tifoz i mbetur jashtë stadiumit po mençurisht i “çmendur” provokoi dhe theu rregullat e “mikpritjes” serbe.

Unë shpesh kthehem me dhimbje nga e kaluara dhe them se ajo është domosdo e lavdishme vetëm nëse ne nuk harrojmë. Derisa latinët e vjetër thonin me respekt se “përsëritja është nëna e mësimit” më duhet të pranoj se ne botërisht shumë shpesh kemi përsëritur gabimet tona. Të njëjtin mall e paguajmë shumë herë dhe nuk i kërkojmë as kusurin që historia na e servoi me bollëk. Sidomos në Kosovën tone “të lirë dhe demokratike” mbrëmja kur shqiptarët zbuluan edhe njëherë se ku gjenden në atë hartën që i rrinin si roje nderi imazhet historike të tribunëve nga skajet e të dy poleve të kombit tone , më shtroi dilemën e madhe se a mos do të jetë kjo ngjarje si ato çuditë që simbas kodit duhet të zgjasin vetëm tri ditë dhe pastaj harrohen.

Pyetje pas pyetje , kërkoja përgjigjje se në mëngjes a do të vazhdojnë të blejnë mallrat e njëjta si ditëve tjera e që me bollëk vijnë nga fqinjët tanë bijtë e të cilëve këndonin poshtërsisht duke thirrur të na vrisnin e të na prisnin deri në zhdukjen komplete të shqiptarëve. A do t’ua qesin fëmijëve bukën e gatuar me miellin e grurit serb, apo të arave të Kosovës të mbushura me produkte kimike të quajtura fertilizantë. Apo fruta dhe perime të stërpikura me pesticide të prodhuara nga fabrikat serbe ku prodhohen edhe helmet ushtarake kimike. A do tu qesin mysafirëve çaj me biskotat e “meshavinave” serbe, a do ta blejnë mishin dhe qumshtin e ardhur nga Serbia me arsyetimin se kushton më lirë se të tjerët . Dhe shumë pyetje të tjera që më duket vetja gati se jam “i vogël” për t’u përgjigjur sepse ndërruam kaq qeveri e lidera e nuk qenë në gjendje ta nxjerrin vendin nga varshmëria ekonomike e produkteve ushqimore dhe industriale të Serbisë.

Kisha frikë se pa kaluar tri ditë do t’u harxhohen bateritë e stërmbushura atë natë sfide e sakrifice të denjë për njerëz që i treguan botës legjendën e Davidit dhe Goliatit. Unë e di se arsyetimet ngamnjëherë janë fëmijëe demagogjisë dhe shqiptarët për hir të prakticitetit dhe kursimit do të vazhdojnë të udhëtojnë rrugëve të Serbisë gjatë vajtje-ardhjes në vendlindje. Unë vet nuk kam shkelur më territorin e Serbisë nga viti nëntëdhjetëe shtatë por jo rrallë më arsyetohen disa se udhëtimi nëpër Serbi është më lirë dhe më shpejt. Por fjala e urtë populore thotë se udha e shkurtër gjithmonë të del më e gjatë, sepse ata që numërojnë kilometrat dhe orët e udhëtimit , këtyre ua shtojnë edhe nga një 10 orësh pritjeje në diell,shi apo ngrica nëpër vendkalimet kufitare të Serbisë. Edhe këta janë nga ata shqiptarë që u ekzaltuan me gjestin dinjitoz të djemëve të kapitenit Lorik Cana të cilit me dhëmbë egërsirat serbe gati sa nuk ia këputën gishtin e dorës.

Unë e shkruajta këtë letër të mbyllur sepse aq i dua patriotat e shqiptarisë sime saqë e ndjej veten të tradhëtuar nga patriotizmi selektiv i tyre , i dukshëm vetëm kur të tjerët sakrifikohen, kurse vetë me para të vetat blejnë bukën, qumështin , plazma keksat dhe produkte tjera nga industria e Serbisë.
Dhe nuk janë shtuar rastësisht fëmijët me raste sëmundjeje të kancerit apo leukemisë tash kur edhe pas 15 vitesh nga mbarimi i luftës në Kosovë , serbët e duan shqiptarin të vdekur duke përsëritur idenë e tyre se vetëm “shqiptari i vdekur është shqiptar i mire”.
O të dashurit e mi, patriotat dhe patriotet e mbrëmjes së gjithëlavdishme të 14 tetorit kur poetikisht ndodhi tërmeti midis Beligradit , dëshmoni patriotizmin tuaj duke hequr dorë nga blerja e prodhimeve të Serbisë dhe mos udhëtoni nëpër territorin e saj, ku ju rjepin edhe me ndëshkime në trafik e për gjëra koti, sepse ka prodhime edhe më të mira e më të lira si nga prodhuesit shqiptarë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.

A ja vlen që në mbrëmje të jeni patriotë e në mëngjes tradhëtarë të kombit?!

Mos e bëni për mua por për patriotizmin tuaj. Bëjeni ashtu siq po e bëjnë vendet evropiane duke bojkotuar ekonominë ruse të cilat pothuajse e kanë gjunjëzuar Putinin me perandorinë e tij pas agresionit të tij në Krime dhe veriun e Ukrainës.

Edhe atëherë do t’ju shkruaj një tjetër letër dashurie , kësaj radhe të Letër të Hapur me vetëm një fjali:
“ Ju lumtë shqiptaria ime , se për veti e kini ! “.

Author: admin