Nga panorama.com.al
Gjykata e Tiranës ka pushuar disa ditë më parë çështjen e Flori Mumajesit kundër “Acromax GmbH” dhe “Arkiva Shqip”, padi e depozituar më 2 dhjetor të vitit të kaluar nga kantautori. Më datë 25 prill, Gjykata ka firmosur vendimin për pushimin e çështjes së sipërpërmendur me nr.6493, pasi paditësi Florjan Mumajesi kishte depozituar në Gjykatë, më datë 24 prill, një kërkesë me shkrim me numër protokolli 5430, me atë të së cilës kërkon pushimin e gjykimit. Gjatë kësaj seance është paraqitur pala e paditur “Acromax GmbH”, e përfaqësuar me prokurë të posaçme nga avokat Gerhard Velaj, ku është marrë dhe vendimi për mbylljen e çështjes në fjalë. Gjykata vendosi pushimin, citohet në dokumentin zyrtar, dhe ngarkimin e shpenzimeve gjyqësore ndaj Flori Mumajesit, i cili është paditësi. Mumajesi kërkoi t’i zgjidhte me gjyq mosmarrëveshjet me “Acromax GmbH”. Me anë të kësaj padie që u mor në shqyrtim nga gjyqtari Asim Vokshi, ai kërkonte detyrimin e palës së paditur të pushonte cenimin e të drejtave autoriale lidhur me publikimin dhe shfrytëzimin e veprave muzikore të këngëve “Qaj”, debutuar nga 2 po 2 ft. Capital T, dhe “I Wanna bring it up”, kënduar nga Elvana Gjata, si dhe ndalimin e publikimit dhe shfrytëzimin e mëtejshëm të këtyre krijimeve. Për këtë çështje gjyqësorë janë zhvilluar gjithsej gjashtë seanca, por Flori Mumajesi nuk ka asistuar në asnjërën prej tyre. Nuk dihet pse ai ka vendosur të heqë dorë nga kjo çështje, ndërkohë që brenda prillit në Gjykatë janë regjistruar tri çështje të tjera me firmën e tij, ku në këtë rast padit direkt kolegët artistë. Mes tyre mund të përmendimin: Soni Malaj, Altuna Sejdiu (Tuna), Getoar Selimi (Tingulli Trent, Babastars), Emrush Thaqi (EMRACOM, producenti më i sukseshëm i muzikës popullore sot në treg, Meda) etj.