Moti i ftohtë dhe sëmundjet e zemrës

Gjatë motit të ftohtë duhet kushtuar një kujdes më i veçantë mbrojtjes së zemrës, sidomos nëse vuani nga sëmundjet kronike të zemrës – paralajmëron Shoqata amerikane për sëmundjet kardiovaskulare.

Sëmundjet e zemrës dhe gripi

Studimet shkencore kanë treguar se vdekshmëria nga gripi është më e shpeshtë te personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, në krahasim me ata që vuajnë nga sëmundjet tjera kronike. Prandaj të sëmurëve me sëmundje kardiovaskulare u rekomandohet vaksinimi kundër gripit.

Barnat për kongjestionin nazal dhe tensioni i gjakut

Shumë ilaçe që jepen pa recetë, ndërsa shërbejnë për lehtësimin e simptomave të gripit dhe ftohjes, përbëhen nga substanca të ndryshme. Një nga to është edhe ilaçi për kongjestionin nazal (hundët e zëna), që zakonisht është pseudoefedrin ose fenilefrin. Personat që vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut nuk duhet t’i marrin barnat që kanë përbërës të tillë, sepse ata e rritin shtypjen e gjakut. Ndërkaq, nëse doemos duhet t’i përdorin, atëherë fillimisht duhet të konsultohen me mjekun.

Pastrimi i borës

Sipas hulumtimeve shkencore, vdekjet e papritura të zemrës shumë shpesh ndodhin gjatë dimrit. Aktiviteti, siç është pastrimi i borës, sidomos te personat që nuk merren vazhdimisht me aktivitet fizik, mund të jetë nxitës i problemeve të zemrës që mund të përfundojë në mënyrë fatale. Prandaj personat me sëmundje të zemrës dhe ata që kanë rrezik të shtuar për sëmundje kardiovaskulare duhet të kenë kujdes.

Author: admin