Ndërroi jetë Prof. Dr Muhamed Aruçi

Gostivar, 17 nëntor 2013 – Prof. Dr. Muhamed Aruçi, pedagog në Universitetin e Stambollit, Departamenti i Teologjisë, ka ndërruar jetë të shtunën, më 16 nëntor 2013, në moshën 57-vjeçare, në Stamboll, ku po mjekohej për kancer.

Trupi i pajetë i prof Aruçit është sjellë mbrëmë, në vendlindjen e tij, në Gostivar, ndërsa varrimi i tij është bërë sot (e diel), në Vrapçishtë, me përcjelljen e një numri të madh të qytetarëve.

Prof. Dr Muhamed Aruçi lindi në Maqedoni, Gostivar, më 1956. Edukimin e parë e mori nga njëri prej dijetarëve më të shquar në Maqedoni, babait të tij, Kemal Efendia.  Arsimin e mesëm e mbaroi në Medresenë “Gazi Hysrev Beg”, në Sarajevë, studimet universitare i kreu në universitetin Al-Azhar, në Egjipt, ndërsa doktoratën e mbaroi në Stamboll.

Muhamed Aruçi u përfshi për shumë vite me ISAM-in, në përgatitjen e artikujve për Ballkanin për Enciklopedinë Islame. Ai punoi edhe si instruktor arsimi në Universitetin e Maramarasë, Sarajevës, Prishtinës dhe Sofjes.

Në vitin 2011 e filloi punën si pedagog në departamentin e Teologjisë në Universitetin e Stambollit. Ai fliste dhe shkruante si gjuhën amtare, shqipen, ashtu edhe maqedonishten, serbishten, boshnjakishten, bullgarishten, arabishten, turqishten dhe anglishten, të cilat i shërbyen për përhapjen e dijes dhe vetëdijes shpirtërore të studimeve sociale dhe shkencore në Ballkan.

Fryt i punës së tij janë mjaft libra dhe studime e kërkime shkencore, letrare, kulturore dhe shoqërore, nga fusha të ndryshme, të publikuara në gjuhën shqipe, turke, boshnjake dhe arabe.

Prof. Dr Muhameed Aruçi, që prej një viti, trajtohej për kancerin në zorrën e trashë. Ai la prapa gruan dhe katër fëmijë.

Author: admin