Procesin e dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe situatën në Kosovën Lindore po e përcjellin thuaja me ankth ish faktori ushtarak i atjeshëm. Njëri nga ta Shefket Hasani ish-luftëtar i UÇPMB-së (komandant Poeti), i cili qe i pari që e krisi pushkën kundër Serbisë në Dobrosin, fshat ky simbol i rezistencës së atjeshme, para 13 vjetësh (15 nëntor 1999) përballë forcave serbe, duke folur për takimin e sotëm në Bruksel mes Thaçit dhe Daçiqit pohoi “çdo marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel për Veriun e Kosovës, pa përfshirjen e çështjes së Kosovës Lindore është ilegale dhe e papranueshme dhe për ne luftëtarët dhe komandantët e UÇPMB-së.” Ai thotë: “Lugina e Preshevës e diskriminuar nga Beogradi, tash e anashkaluar nga Brukseli në procesin e dialogut ka izoluar tërësisht Luginën duke e shndërruar atë në një vrimë të zezë në Evropë. Ne ketë nuk do ta tolerojmë, pra që të vuaj popullata jonë, e cila sot po jeton as në paqe e as në luftë…” ka deklaruar Hasani për PJ.
Sipas, Shefket Hasanit zhvillimet në terren, po e fusin rajonin në fazën “Pranvera e Luginës”. “Ne kemi pasur durim dhe kemi respektuar komunitetin ndërkombëtar duke menduar se edhe ata do të na respektojnë dhe nuk do të injorojnë kërkesat e liderëve tanë, vullnetin e popullit tonë të inkuadrohet në këtë proces të dialogut edhe çështja jonë. Por, duket se edhe kësaj radhe po na anashkalojnë. Prandaj, për çdo eskalim i situatës në Luginën e Preshevës është përgjegjësi e Beogradit. Injorimi jo vetëm nga Beogradi, por edhe nga Brukseli po na shtyn t’i veshim sërish çizmet dhe uniformat e UÇPMB-së. Ne deri tash nuk kemi kërkuar t’i rrokim armët, por kemi kërkuar dialog…”, thotë Hasani. BS