Mjaft ju shfrytëzuan

Ndiheni të përdorur nga çdo person që njihni? U thoni gjithnjë “po” kërkesave që ju ofrojnë? E keni të pamundur të mos ndihmoni dikë në nevojë, por nga ana tjetër do të dëshironit të mos ju konsideronin kaq naiv? Është koha të thoni “mjaft”!

Sjellja

Sociologët shprehen se shoqëria bashkëkohore po priret gjithnjë e më shumë nga individualizmi. Të jesh human në këtë kohë, anon më shumë nga naiviteti. Njerëzit nuk do të ndalen derisa të marrin gjithçka keni, pastaj do t’ju flakin tej sikur të mos kishit ekzistuar kurrë. Si të ndaloni që të jeni një “njeri i mirë”, që të gjithë e telefonojnë vetëm kur kanë nevojë? Ja një listë me këshilla që do t’ju ndihmojë të rregulloni jetën tuaj.

Mjaft ratë dakord më këdo dhe për çdo gjë. Kjo nuk do të thotë që të filloni të kundërshtoni çdo njeri vetëm për hir të të mos rënit dakord, por nënkupton që të ruani personalitetin tuaj dhe ta shprehni mendimin aty ku është vendi i duhur. Nëse vini re se jeni dakord me këdo, atëherë keni probleme me mënyrën sesi i logjikoni gjërat. Të kundërshtosh dikë ndonjëherë ka pasoja pozitive, sepse nxit mendimet interesante dhe qartëson më mirë mendimet tuaja për gjërat.

Mos u përpiqni të kënaqni të tjerët. “Njeriu i mirë” ka dëshirën që të bëjë këdo të ndihet i kënaqur dhe duke vepruar kështu harron veten. Nëse përballeni me problemin e të qenët “njeri i mirë”, atëherë jeni ai tip njeriu që pëlqen të ndihmojë të tjerët dhe kjo i duket diçka e mrekullueshme. Të jesh human është detyrim i çdo njeriu, por nuk duhet të bini në grackën e skllavërisë. Është normale që gjithkush të ketë nevojat dhe qëllimet e tij dhe të gjejë mjetet për t’i realizuar këto. Nëse dikush ofrohet të na ndihmojë, kjo duhet të jetë një bonus për situatën ku ndodhemi dhe jo një domosdoshmëri. Përpiquni të shmangni marrëdhëniet ku vetëm jepni dhe nuk merrni asgjë në këmbim.

Mësoni të thoni “jo”. Kur të njohurit tuaj ju kërkojnë ndihmën për diçka, të cilën ju nuk ndiheni në gjendje për ta plotësuar, ose realizimi i së cilës do t’ju dëmtonte interesat tuaja, ekziston gjithnjë mundësia që të thoni “jo”. Bëjeni zakon që para se të pranoni të ndihmoni dikë, të kontrolloni axhendën tuaj, sepse kjo do t’ju japë kohë që të reflektoni me qetësi për mundësitë tuaja reale për të plotësuar atë kërkesë. Mos u ndieni fajtor nëse nuk pranoni të ndihmoni dike, në qoftë se kjo ju dëmton juve edhe ai person do të vepronte në të njëjtën mënyrë.

Shpëtoni nga manipuluesit. Miqësia është një bekim për këdo, por na ndodh që të biem pre e personave që si qëllim parësor kanë plotësimin e interesave të tyre. Në shumë mënyra këta persona manipulues do t’ju kërkojnë ndihmë herë me dëshirë e herë me imponim. Është thelbësore që të mësoni të dalloni miqësinë e vërtetë nga gracka të tilla të errëta. Largojini njerëzit e shtirur nga rrethi juaj miqësor dhe matuni dy herë para se të zini një mik të ngushtë. Mendoni se miqësia e mirë është si vera, sa më e vjetër të jetë ajo, aq më e vlefshme është.

Vendosni kufij. Ekziston gjithnjë një vijë imagjinare që nuk duhet kaluar. Vendoseni këtë kufi në marrëdhëniet tuaja me njerëzit. Është e qartë se qenia njerëzore është ndërtuar e tillë që të mos ngopet kurrë, asgjë nuk është e mjaftueshme për të. Në këtë mënyrë miqtë që ju rrethojnë do të kërkojnë gjithnjë e më tepër nga ju, derisa të mos ketë mbetur asgjë që mund të jepni për të tjerët. Vendosni një ndarje mes nevojave tuaja dhe ndihmës që jeni gati të jepni për të tjerët, do t’ju ndihmojë të arrini më lehtë qëllimet tuaja.

Kini durim. Jeta ka një kohë të saj të brendshme, e cila nuk mund të ndryshojë. Gjërat rrjedhin ngadalë dhe në momentin e duhur. Duhet të keni durim dhe të mos nxitoheni të krijoni mendime pozitive për njerëz që nuk i njihni mirë, sepse ekziston gjithnjë mundësia që të zhgënjeheni. Në marrëdhëniet tuaja dashurore, mos u afroni shumë shpejt me partnerin ose partneren, jepini çdo çasti vlerën e duhur. Dashuria është një marrëdhënie e dyanshme, ndaj duhet të prisni që edhe tjetri të japë pjesën e tij.

Vlerësoni kohën tuaj. Jeni ai që gjithnjë punon deri vonë pa ia kërkuar askush ose ai që merr përsipër të bëjë i vetëm punën e grupit? Duke vepruar kështu ju u tregoni shefave dhe kolegëve që nuk e vlerësoni kohën tuaj. Duke iu përkushtuar punës deri në vetësakrifikim, në mënyrë indirekte pohoni se jeta juaj nuk është interesante dhe se nuk keni asgjë më të mirë për të bërë. Ky problem mund të arrijë deri aty sa kolegët tuaj të mendojnë se ju pëlqen që të punoni shumë dhe deri vonë. Për të zgjidhur këtë situatë të pakëndshme ka disa mënyra. Së pari, mund t’u kërkoni eprorëve tuaj një rritje rroge apo rritje në detyrë. Së dyti, mund t’i këshilloni atyre të punësojnë një ndihmës për ju ose që puna e vështirë të rëndojë në të gjithë stafin me turne. Së treti, bindini kolegët tuaj se nuk jeni aq naiv sa të mbani mbi supe të gjithë peshën e detyrave që nuk i takojnë kompetencës suaj. Duhet ta dini se kur bie fjala për të larguar përgjegjësinë nga vetja të gjithë janë të gatshëm ta bëjnë dhe askush nuk merr parasysh asgjë.

Vazhdoni të jeni njeri i mirë. Të jesh një person i këndshëm dhe human është një veti që lind natyrshëm te kushdo. Këshillat e mësipërme ju tregojnë rrugën sesi të mos abuzohet me mirësinë tuaj. Vazhdoni të bëni mirë, por deri në masën e duhur dhe pa dëmtuar interesin tuaj personal.

Shenjat që karakterizojnë “njerëzit e mirë”

“Njerëzit e mirë” besojnë se do të arrijnë plotësimin dhe lumturinë vetëm duke u bërë të tjerëve mirë.

Pranojnë të bëjnë ndere për persona që nuk i njohin.

U shmangen debateve duke mos e shprehur mendimin e tyre, por gjithmonë bien dakord me këdo edhe kur mendojnë ndryshe.

Përpiqen të rregullojnë problemet e të tjerëve edhe kur nuk u kërkohet ndihmë.

Janë kurdo në pritje të aprovimeve të të tjerëve, nuk ndihen të sigurt me veten.

Duan të bëjnë gjënë e drejtë në çdo moment.

Kanë prirjen të analizojnë më tepër sesa t’i ndiejnë gjërat.

E kanë të vështirë t’i bëjnë parësore problemet e tyre.

Varen emocionalisht nga partnerët e tyre.

Author: admin