Trajneri më i mirë u shpall Rafet Prekazi, golashënuesi i vitit Berat Hyseni i Drenicës. Te femrat, Qëndresa Krasniqit i takoi çmimi i më të mirës. U shpërblyen edhe të gjithë ata që u dalluan në vitin 2012. Ajo që u pa qartë ishte mosprezenca e zyrtarëve më të lartë të klubit të futbollit, Prishtina, të cilët në njëfarë mënyre e bojkotuan këtë ceremoni
Florim Maliqaj
Futbollisti i Trepçës ’89, Shpëtim Idrizi, është shpallur më i miri i vitit 2012, nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), të martën pasdite në një ceremoni të organizuar nga FFK-ja në hotel “Emerald” në Prishtinë. Idrizi ishte më i votuari nga trajnerët e skuadrave të Superligës, ku kishte mbledhur 82 pikë, vetëm katër më shumë se futbollisti i Prishtinës, Besnik Krasniqi. I treti u rendit Fillim Guraziu me 66 pikë.
“Puna në stërvitje dhe angazhimi im në të gjitha ndeshjet, ka bërë që unë të shpallem më i miri. Ky shpërblim është i veçantë pasi po e marr në një datë të rëndësishme, për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Falënderoj të gjithë shokët e skuadrës, kryesin e klubit dhe të gjithë ata që më kanë votuar dhe mbështetur”, ka deklaruar Shpëtim Idrizi, futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2012, i cili shpërblimin e pranoi nga kryetari i Federatës së Kosovës, Fadil Vokrri dhe ai i Shqipërisë, Armand Duka, që ishte i pranishëm në ceremoninë e FFK-së.
Prekazi, trajner i vitit, Hyseni, shënuesi më i mirë
Ish – trajneri i Trepçës ’89, Rafet Prekazi, që fitoi Kupën e Kosovës dhe Superkupën e Kosovës në vitin 2012, u shpall trajner më i mirë për vitin 2012 nga Federata e Futbollit të Kosovës. “Është një shpërblim për punën që kam bërë sa kam qenë trajner i Trepçës ’89, ku kam fituar dy trofe. Mendoj që është titull i merituar dhe i falënderoj për shpërblimin që ma kanë dhënë”, u shpreh Prekazi.
Ndërkaq, FFK-ja nuk kishte harruar që të shpallë edhe shënuesin më të mirë në vend. Ky çmim i takoi futbollistit të Drenicës, Berat Hyseni, që shënoi 17 gola, por me skuadra të ndryshme. Punëtorët sportivë më të mirë në Kosovë, u shpallën Abedin Zeka (Trepça ’89) dhe Rexhep Baholli (2 Korriku). U shpërblyen edhe punëtorët sportivë në Diasporë, Zija Shoshi (Gjermani), Fehmi Kangjeli (Gjermani) dhe Ismet Mehmeti (Francë).
Enis Manxholli, portieri më i mirë, gjyqtar Përparim Hasani
Portieri i Trepçës ’89, Enis Manxholli, u shpall si portieri më i mirë i vitit, pas sukseseve të arritura me skuadrën mitrovicase. Ndërkaq, çmimi i gjyqtarit i takoi Përparim Hasanit nga Prishtina, i cili që një kohë të gjatë është duke u shpallur si gjyqtari më i mirë në Kosovë. Klubi më “fair play”, u shpall skuadra e Istogut që bën gara në Ligën e Parë të Kosovës në futboll. Ndërsa, futbollisti i Prishtinës, Argjend Malaj, u shpërblye me titullin, futbollisti më me perspektivë në vitin 2012. Çmim mori edhe Valon Behrami, i cili nuk ishte i pranishëm, por babait të tij iu dhurua çmimi për të birin, si futbollisti më i mirë kosovar që luan jashtë Kosovës.
Qëndresa Krasniqi, më e mira te femrat
Futbollistja e Prishtinës, Qëndresa Krasniqi, u shpërblye si futbollistja më e mirë e vitit 2012. Pas marrjes së çmimit, ajo deklaroi se do të jetë motiv për të që të tregojë rezultate edhe më të mira. “Jam shumë e lumtur që kam fituar çmimin e futbollistes më të mirë në Kosovë. Puna ime është shpërblyer dhe ky është një motiv që unë të vazhdoj të luaj edhe më shumë dhe të tregoj rezultate edhe më të mira. Falënderoj të gjithë ata që më kanë votuar”, u shpreh Krasniqi. Futbollistja më me perspektivë u shpall Blerina Musa e Trepçës ’89, kurse klubi më i suksesshëm për femra u shpërblye Kosova e Prishtinës.
Liburni dhe Ramadan Alaj, më të mirët në futsall
Federata e Futbollit të Kosovës, nuk i kishte harruar shpërblimet edhe në futsall, ku u shpërblyen më të mirët. Skuadra e futsallit Liburn nga Gjakova, për sukseset e arritura në vitin 2012, u shpërblye si klubi më i mirë i vitit. Kurse lojtari i kësaj skuadre Ramadan Alaj, mori dy çmime. Lojtari më i mirë në Kosovë për vitin 2012 në futsall dhe golashënuesi më i mirë. Ai ishte i vetmi nga skuadra gjakovare që ishte i pranishëm dhe mori tri shpërblime. Çmimin “Post Mortum”, u nda për shtatë persona, që në kohën e tyre kishin treguar rezultate të mira, dhe kishin ndikuar në avancimin e futbollit kosovar. Jakup Arbashi, Selami Osmani – Bezi, Kemajl Çarkaxhiu, Ali Maralusha, Xhelal Bajrami, Sabit Bogujevci dhe Reshat Osmani, ishin personat që u kujtuan nga FFK-ja për kontributin e dhënë për futbollin kosovar. U shpërblyen edhe sponsorët si Raiffeisen Bank, Air Prishtina dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për ndihmën financiare që i kanë dhënë FFK-së.
Duka: Vullneti është, por kemi pengesa
I pranishëm në Prishtinë të martën në ndarjen e shpërblimeve nga FFK-ja për më të dalluarit e vitit, ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armand Duka. I pyetur nga gazetarët për deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, për ligën mbarëkombëtare, ai u shpreh: “Federata e Futbollit të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë të gjithë vullnetin dhe dëshirën që të bashkëpunojnë për ngritjen e futbollit dhe për bashkimin e shqiptarëve. Realisht sot janë nëntë futbollistë kosovarë që luajnë për kombëtaren A të Shqipërisë, por janë afër 30 që luajnë edhe për grupmoshat tjera të Shqipërisë. Duhet parë pengesat që janë tani, por duhet bashkuar forcat që të kalohen këto pengesa. Vullneti është, por kemi pengesa nga shtëpitë e futbollit evropian dhe botëror”, deklaroi Duka, i cili foli edhe sa i përket çështjes që Kosova të kërkojë drejtësi për ndeshje miqësore nëpërmjet Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. “Nuk mendoj që është mirë të bëhet padi për këtë çështje. Unë jam ithtar i asaj që të gjitha punët të zgjidhen me bisedime dhe të arrihet te rezultati”, theksoi Duka.
Prishtina bojkotoi ndarjen e çmimeve
Klubi i Futbollit Prishtina u shpall më i miri i vitit 2012 për sukseset e arritura. Por një gjë që ra në sy në momentin e ndarjes së çmimit, ishte se për ta marrë shpërblimin nuk doli askush nga skuadra bardhekalter dhe në atë rast trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku nuk pati kujt t’ia dhurojë shpërblimin dhe atë e mori me vete. Të vetmin në këtë ceremoni që ishin nga Prishtina, kanë qenë dy futbollistët, Mentor Mazrekaj dhe Besnik Krasniqi.
Dhjetë futbollistët më të mirë
1.Shpëtim Idrizi (Trepça ’89), 82 pikë
2.Besnik Krasniqi (Prishtina), 78
3.Fillim Guraziu (Hajvalia – Ferizaj) 66
4.Mentor Mazrekaj (Prishtina), 40
5.Leonit Abazi (Drita) 39
6.Enis Manxholli (Trepça ’89) 38
7.Shpëtim Babaj (Trepça), 34
8.Bajram Jashanica (Hysi) 30
9.Enis Zabergja (Trepça) 30
10.Atdhe Gashi (Vëllaznimi) 23