OFERTË EKONOMIKE, NË VEND TË PLATFORMËS PËR VERIUN

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do ta prezantojë në dialogun me homologun e tij serb Ivica Daçiq një ofertë ekonomike për qytetarët e veriut të Kosovës.

Oferta, që përfshin krijimin e fondit për veriun në këmbim të ndaljes së financimit nga Serbia të strukturave të saj në veri, është prezantuar muaj më parë para diplomacive të shteteve perëndimore. Një e tillë i është prezantuar edhe Zyrës së ndërmjetëses Catherine Ashton.

Në bazë të saj, ndërmjetësuesja e dialogut ka arritur t’i përafrojë paraprakisht qëndrimet e të dyja palëve sa i përket aranzhimit të parë për çështjen më problematike në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë- veriun, raporton Koha Ditore.

Oferta ekonomike është hartuar në koordinim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane, ngase një ofertë e tillë për veriun ka qenë edhe kërkesë e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit të vitit 2011.