DAFINA ZEQIRI: PRISNI SHPËRTHIMIN TIM NË 2013

Ndërkohë që të tjerët ende nuk kanë filluar përgatitjet e këngëve të reja që nga publikimi i atyre për festa, këngëtarja e njohur Dafina Zeqiri tashmë është futur në studio për realizimin e albumit të ri, i cili pritet të dalë në treg këtë vit, ashtu siç e ka parashikuar këngëtarja Zeqiri.

Ndonëse është shumë e ngurtë për të folur te mediat e shkruara, ajo nuk ngurron të rrëfehet për mediat televizive në Kosovë, duke treguar eksperiencën e saj gjatë qëndrimit në Amerikë, ndryshimin e look-ut, projektet e reja, si dhe kënga e fundit e cila është e inspiruar nga një ngjarje reale që këngëtares i ka ndodhur në fundvit. Madje kjo është dilema më e madhe kur Dafina në fund të intervistës flet mbi jetën e saj private ku thotë se është single, ndërsa në anën tjetër mediat kanë shkruar se ajo ka krijuar tashmë lidhjen e saj të dashurisë.

Si ka qenë viti i kaluar për ju, si jeni ndier?

Unë mendoj se viti i kaluar ka qenë shumë dinamik, ka pasur batica e zbatica, dhe e kam kaluar shumë mirë në fund të vitit si një një start i fuqishëm për mua.

Ke qenë dhe në Amerikë, mund të na e tregoni arsyen e kësaj vizite?

Shkova në Amerikë për pushime për inspirim, takova Fadil Berishën, kemi bërë disa foto për pavarësinë dhe disa të tjera që ende nuk janë publikuar, disa vizita të tjera dhe thjesht jam inspiruar shumë dhe jam rikthyer për projekte interesante për publikun tim.

Atje ke realizuar edhe disa covera, a ke në plan realizimin e ndonjë kënge tjetër në anglisht?

U njoha me Faton Maculën, ai kishte kitarën dhe ia nisi të luajë, unë nisa të improvizoj dhe bëra disa covera për fansat, filluam një lloj bashkëpunimi që ende s’e kemi finalizuar se unë u ktheva në Kosovë për të pëfunduar klipin e ri, si dhe planet për albumin që jam duke e përfunduar këtë vit dhe shpresoj që pasi të përfundoj, do kthehem përsëri në Amerikë.

Ju keni qëndruar në Amerikë edhe gjatë uraganit Sandy, mund të na e përshkruani pak situatën atje?

Kur e morëm lajmin se vjen Sandy, unë kam qenë pak me emocione, kam qenë në banesë dhe vetëm shikoja çfarë bëhet, aty ku kam qenë unë, nuk ka qenë vështirë si në vendet e tjera. Vetëm se një javë s’kemi pasur drita. Ka pasur disa vende që kanë përjetuar katastrofa prej uraganit. Më e keqja ka qenë se bllokohej qyteti nga terri. Natën ka qenë vendi si në filma horror.

Pamja e re është kopjim apo inspirim nga dikush?

Flokët e shkurtër më janë dukur shumë seksi, shumë speciale, kur kam qenë e vogël jam inspiruar nga Pink, Halle Berry, dhe të gjithë besoj kanë pasur inspirim nga dikush tjetër për ndonjë gjë të re. Unë nuk mendoj që është lloj kopjimi, por them se është inspirim.

Ju keni ndryshuar edhe stilin e muzikës, duke sjellë një këngë të re të zhanrit reggae…

Është një këngë e veçantë për mua, është një frymëzim që më ka ndodhur nga fundi i vitit 2012 dhe që vazhdon edhe më tutje.

Është shkruar shumë rreth jetës suaj private, si qëndron statusi juaj për momentin?

Ka pasur shumë shkrime interesante, statusi im qëndron single dhe mendoj kur të ketë diçka të re, do ju tregoj.

Author: admin