Peripecitë e Safetes pas vdekjes së burrit

Safete Mustafa e njohur në opinion si dyshja ‘Motrat Mustafa’, për herë të parë ka vendosur të flasë në opinion pas vdekjes së bashkëshortit. Ka një vit që kur vdiq Bujari dhe Safetja sikur i është përmbysur jeta dhe me muaj të tërë ka qenë e mbyllur në shtëpi për shkak të mërzisë së madhe që ka pasur me rastin e vdekjes së bashkëshortit. Tani e disa muaj ajo iu kthye këngës, me insistimin e motrës Sahides, familjes dhe miqve të saj.

“Vdekjen e Bujarit nuk e kam pritur, por ai shumë shpejt u sëmurë dhe vdiq. Nuk kam mundur të pajtohem me faktin se ai shkoi dhe për 35 ditë nuk kam dalë fare nga shtëpia. Më është dukur sikur jeta po merr fund edhe për mua. Në realitet edhe nuk kam dashur më të merrem as me këngë, sepse Bujarin e kam pasur menaxher dhe kështu që ai është marrë me tërë aranzhimet e koncerteve të mia. Mirëpo me insistimin e motrës sime me të cilën këndoj bashkë, Sahidja dhe familja ime bashkë me miqtë e mi më kanë bindur që unë të dalë nga shtëpia dhe të nisë me këngën”, ka thënë ajo për “Zëri”.

Pas vdekjes së Bujarit në opinion kanë qarkulluar fjalë nga më të ndryshmet për Safeten dhe familjen e burrit, gjë që edhe Safetja nuk e mohon, por disa fjalë thotë se kanë qenë vetëm thashetheme.

“Unë gjashtë muaj pas vdekjes së Bujarit, kam realizuar këngën kushtuar atij, me titull “Shpirtit tim”, një baladë që është pëlqyer mjaftë shumë në opinion. Kam dëgjuar të thonë se unë kinse paskam kënduar dy javë pas vdekjes së bashkëshortit, por kjo nuk është e vërtetë. Madje ka njerëz që kanë dashur të më pengojnë të mos vazhdoj më me këngë, apo thjeshtë të bie nën këmbët e tyre, mirëpo unë këtë nuk e lejoj. E lus Zotin që të më rriten dy vajzat e mia shëndoshë dhe mirë dhe të kam jetën time përpara”, thotë ajo.

Edhe pse ka jetuar vetëm me bashkëshortin dhe dy vajzat në shtëpinë e saj në Suharekë, pas vdekjes së bashkëshortit, ajo është penguar nga rrethi të jetoj në shtëpinë e saj dhe kështu që është detyruar të vij në Prishtinë për të jetuar.

“Pas presionit që kam pasur nga rrethi menjëherë pas disa muajve të vdekjes së Bujarit, nuk kam qenë e sigurt dhe e lirë të jetoj në shtëpinë time, andaj jam detyruar të vij në Prishtinë dhe të jetoj në banesën time me dy vajzat. Tani vajzat vijojnë mësimet në shkollën fillore “Millenium” dhe uroj që të mësojnë mirë”, shton ajo.

Safetja ka vendosur që të merret intenzivisht me këngë dhe të dërgoj deri në fund amanetin e Bujarit sepse ai ka qenë shumë i dhënë pas këngës dhe ithtar i shumë këngëve të saj.

“Bujari ka qenë një menaxher shumë i mirë, këngën e ka dashur jashtëzakonisht dhe e kam pasur krahë të djathtë sepse kudo kemi qenë bashkë nëpër koncerte. Andaj do të mundohem që të arrijë sa më shumë në karrierën time muzikore në mënyrë që edhe amanetin e Bujarit ta realizoj deri në fund”, ka përfunduar ajo.

K. Bajrami

Author: admin