Mentor Haziri: Pas MTV, nje rol kryesor ne Hollywood

Single-i i ri i Mentor Hazirit të grupit kosovar “Kthjellu” titullohet “Engjëll”, një këngë që transmetohet dhe në rrjetet e MTV-së. Por, me sa duket, artisti me zërin e kthjellët, e ka realizuar një këngë të tillë si për t’i caktuar vetes një ëngjëll mbrojtës për suksesin e tij të më vonë. Dhe kësaj here pas sfidës së MTV-së, ai shkon më larg, në Amerikë ku ka zbuluar një tjetër talent tek vetja, aktrimin. Në këtë intervistë flet për historinë e këngës “Engjëll” dhe rolin protagonist, që ka marrë përsipër të interpretojë në projektin e një filmi të ri hollywoodian me titull “Landlord”.
Je këngëtari që ke prekur ëndrrën e MTV-së. Si do e përshkruaje këtë ndjesi, që për shumë kolegë të tu mbetet dëshirë?
Po, është shumë ndjesi e mirë që të prezantosh këngët e tua në atë kanal prestigjioz muzikor. Madje, vitin e kaluar ne ishim edhe në listën e ngushtë të nominimeve në MTV, EMA. Këtë vit lançohem pikërisht  me klipin “Engjëll” në MTV-të rajonale dhe e veçanta është që kënga e dytë është në gjuhën shqipe. Është arritje e vërtetë, duke pasur parasysh impaktin e këtij kanali të madh muzikor botëror në publik.
Në klipin e ri “Engjëll”, ju shfaqeni shumë interpretativ. Ka ndonjë histori të veçantë nga jeta jote mbi të cilën është krijuar kënga?
Kënga “Engjëll” nuk është bazuar mbi ndonjë histori, vetëm se shprehet aty një shpirt engjëlli që vjen natën tek unë dhe më viziton, mirëpo djajtë (në këtë rast vajzat) që kam përreth nuk më lënë të mendoj për të.
E, në disa media kosovare është folur për një projekt hollywoodian që është mbajtur deri diku sekret nga ty. Ka ardhur momenti ta zbulosh?
Në fakt po. Fjala është për një projekt të pavarur të aktorit me origjinë shqiptare, Nickola Shreli, i cili është dhe producent dhe që po shkëlqen me filmat më të suksesshëm hollywodianë, siç janë “Abduction”, “Hostel”, “Mafia” etj. Nickolen e kam njohur që nga viti 2007-2008, dhe filmi në të cilin unë do luaj rolin kryesor titullohet “Landlord”, dhe do të xhirohet në Detroit Michigan.
Kjo është hera jote e parë si aktor dhe fati të hedh direkt në Hollyvood. Ç’mund të na tregosh më shumë për këtë film të ri, sa i rëndësishëm është ky produksion?
Skenari i filmit është shkruar nga vetë Nickola dhe bashkëpunëtorët e tij. Për regjinë ende pritet të vendoset, ndërsa janë duke u intervistuar regjisorët, për t’u zgjedhur ai që do ta marrë përsipër filmin. Sigurisht do jetë një produksion shumë i madh, me efekte speciale dhe kolonë zanore të zgjedhur.
Meqë përmendëm Amerikën dhe Hollyvood-in, cilat janë planet e tua të vërteta në art?
Planet e mia janë të shumta, po do Zoti e të realizohen. Duke pasur parasysh projektet e fundit, nuk e besoj që do ndalem. Asnjë artist nuk duhet të dorëzohet, sepse çfarëdo që ndodh, gjithmonë është dritë në fund të tunelit, “I never Give Up”.
Shumë pak është folur për jetën tënde private, mund të na tregosh diçka se cila është muza jote?
Unë jam ende beqar, për sa i përket jetës sime private. Kurse për frymëzimin, ndoshta më frymëzon gjithçka që na rrethon, edhe pse si artistë jetojmë në një realitet jo të mirë të industrisë muzikore, ku lojtari më i mirë rri në bankën e rezervistëve, kurse lojtari rezervë luan lojën dhe merr paranë. Thjesht mendoj që muzikantët e mirëfilltë nuk vlerësohen në Kosove e as Shqipëri.

Author: admin