15 vjecarja qe eshte shnderruar ne nje fenomen te internetit

Tavi Gevinson krijoi tre vjet më parë një blog të suksesshëm mode. Atëherë ishte vetëm 12 vjeçe. Sot në moshën 15-vjeçare ka krijuar një revistë online për t’u pasur zili nga shumë profesionistë të fushës.

Ajo është konsideruar tashmë mrekullia e uebit. Quhet Tavi Gevinson dhe u bë e famshme në vitin 2008 në moshën 12-vjeçare, kur blogu i saj “Style Rookie” u bë një nga më të klikuarit në botë për të gjithë dashamirësit dhe admiruesit e botës së modës dhe të stilit. Që nga ai vit, kur u shndërrua në një fenomen të vërtetë mediatik, ajo ka ardhur duke u forcuar dhe duke u bërë shumë e famshme dhe e njohur në të gjithë botën dhe nga prapaskenat është zhvendosur tani në dritën e skenës dhe ftohet vazhdimisht nga revistat e modës, një pjesë e të cilave e kanë vënë në kopertinat e saj, aty ku qëndrojnë yjet e modës dhe të kinemasë. Këtë javë ajo ka lançuar revistën e saj online në vijim të blogut. Është kryeredaktorja e kësaj reviste, të cilën e kuron më pas në të gjitha aspektet e tjera. Kjo vajzë, vetëm 15 vjeçe, tani drejton një staf prej 40 personazh, pjesa më e madhe e të cilëve janë më të mëdhenj se ajo në moshë. Tavi e përditëson përmbajtjen e revistës tri herë në ditë. E fillon punën menjëherë pasi kthehet nga shkolla, e përditëson edhe njëherë në mbrëmje dhe së fundi për herë të tretë bën ndryshime ose shtim materialesh të reja në orët e vona të natës para se të shkojë për të fjetur.

Formula e kësaj reviste është shumë e thjeshtë dhe në të njëjtën kohë mjaft e suksesshme dhe pikërisht suksesi ndodhet te thjeshtësia dhe mënyra e shpalosjes së informacioneve. Revista është e gjallë, me shumë grafikë e fotografi që e bëjnë sajtin interaktiv dhe të lehtë për t’u kapur nga admiruesit. Fotot dhe shkrimet janë ndërthurur në mënyrë të tillë për të ngjarë shumë integrale dhe të tretshme. Veç modës, që është në qendër të vëmendjes, gjen edhe shkrime dhe informacione për muzikën, artin, sportin, tendenca të reja dhe madje edhe këshilla të çmuara nga njerëz të shquar mbi çështje që janë shumë praktike dhe të rëndësishme për të gjithë në jetën e përditshme. Ajo është një adoleshente që ia ka kushtuar vitet fëmijërisë dhe ato të adoleshencës së pari një pune që nisi dhe vazhdon të jetë për të një kënaqësi. Ajo është shumë serioze dhe njëherazi nuk merr asgjë seriozisht në atë që bën dhe mbi të gjitha thotë se zbavitet pa masë, kjo është arsyeja që e ka bërë vazhdimisht të vazhdojë në rrugën e nisur që hershëm.

Ajo jeton së bashku me familjen e saj në periferi të Çikagos dhe duket se ka vendosur një lidhje jashtëzakonisht të fortë me fansat e saj në të gjithë botën përmes një mënyre shumë të thjeshtë të të komunikuarit dhe mbi të gjitha të drejtpërdrejtë në lidhje me çështjet e dashurisë, të shkollës dhe të modës. Blogu i saj u bë i famshëm përmes mënyrës së thjeshtë të trajtimit të disa prej emrave më të famshëm të botës së modës, stilistëve dhe të modeleve, të cilët me kalimin e kohës nisën që t’i kërkonin vetë krijueses së blogut që t’i ftonte në faqet e saj elektronike. Ajo që 15-vjeçarja inkurajon më shumë në blogun dhe tani edhe në revistën e saj online, janë debatet pa dorashka e të lira të të rinjve me njëri-tjetrin në lidhje me çështjet më të prekshme dhe më të nxehta të sotme. Ajo ka një grup bashkëpunëtorësh, të cilët ia dëgjojnë këshillat dhe i japin ide të reja për të mbajtur të freskët revistën. Por edhe ajo, sado novatore që është, e ka një frymëzim dhe ky frymëzim vjen nga revista tashmë e mbyllur amerikane që merrej me çështjet e adoleshentëve, “Sassy”, që në fakt ka frymëzuar një brez të tërë të rinjsh gjatë viteve ’80 dhe ’90. Ajo çka vihet re në sajtin e saj, është se vajza nuk është aspak e fiksuar që të përfshijë dieta të ndryshme apo këshilla bukurie përmes operacioneve plastike dhe se përmbajtja e asaj që ajo shkruan është shumë e shëndetshme. Një tjetër e veçantë e kësaj adoleshenteje është se ajo ka ditur që të ndërthurë me këtë revistë dhe një mënyrë të veçantë menaxhimi të lajmit dhe të reklamave dhe ta shndërrojë revistën online, sikundër ndodhi edhe me blogjet e saj në një burim fitimesh për t’u pasur zili edhe nga revista online të afirmuara tashmë në treg.

Author: admin