Situata politike në trojet etnike, e veçanërisht në Kosovë ende nuk gjen stabilitet, përkundrazi, ajo luhatet në hullinë e ngjarjeve, të cilat ecin më shpejtë se sa parashikimet e politikës shqiptare në Kosovë. Kohët e fundit Kosova u përball me ngjarjet në Mitrovicën Veriore, me ndërhyrjen e trupave speciale, sipas vendimit të institucioneve qeveritare, të cilat i kemi përshëndetur në kohën e duhur, por kjo nuk është gjithçka. Analiza politike çon në përfundime serioze, për të cilat duhet nxjerrë mësime për të ardhmen.
Shikohet me shqetësim se politika shqiptare në Kosovë nuk është e përgatitur për t’u ballafaquar me realitetin dhe për t’u paraprirë ngjarjeve, por operon sot për nesër, duke u ndodhure përpara vështirësive në rritje. Edhe pse u ndërmor një veprim i karakterit special, gjykoj se, nuk ishte kjo rruga e vetme për të shmangur përkohësisht vetë dilemat e Kryeministrit të Nderuar të shtetit të Kosovës. Ka njëmijë mënyra të tjera për ta kontrolluar situatën dhe parandaluar deri në asfiksim të gjitha fijet e kontrabandës dhe të krimit të organizuar në kufirin Kosovë – Serbi, të cilat rrezikojnë seriozisht të ardhmen e shtetit të ri.
I ndodhur përballë presioneve të brendëshme dhe të jashtëme, zoti Thaçi, ndërmori një veprim për të ndryshuar disi opinionin e brendëshëm mbi qeverisjen e tij, por kjo nuk është gjithçka. Ai pa dashje, është futur ne lojën që po aplikon diplomacia serbe, e cila e ka krijuar këtë situate, duke shkuar drejt braktisjes së bisedimeve me Kosovën. Kosova, si shtet fitimtar në luftë, po i nënshtrohet një politike pasive, duke dhënë të kuptohet se, është ajo që, deri në lutje, po kërkon vazhdimin e këtyre bisedimeve. Vizita e zonjës Merkel në Beograd duhet të çkodifikohet. Po kush do ta bëjë këtë?
Paralelisht me këtë situatë, në planin e brendshëm politikat shtetërore fatkeqësisht kanë bërë një gabim trashanik. Ato kanë unifikuar veprimtarinë dhe misionin e institucioneve legjitime shtetërore me rolin dhe misionin e UNMIKUT dhe EULEKs-it, të cilat janë një gjë krejt tjetër në praninë e tyre në Kosovë. Është e pafalëshme, që sot të asfiksohet shërbimi informativ i shtetit, të dalë jashtë loje policia kriminale, organet tatimore dhe të mbahen përreth një dyzinë me “këshilltarë” të paaftë, të cilët mendojnë me megallomani se janë “koka” e zgjidhjeve.
Koha vërtetoi se Lëvizja Vetvendosje doli nga misioni i saj dhe është bërë pa dashje pjesë e përgjegjësisë në këtë situatë politike. Populli e votoi Vetvendosjen, jo sepse donte Albin Kurtin, së në të kundërt ai sot do të ishte Kryeministër i shtetit, por sepse pati pakënaqësi ndaj PDK-së, si parti në pushtet. Në një situatë tjetër zgjedhore, Vetvendosje është e destinuar të dalë jashtë lojës politike në Kosovë.
Koha po vërteton se në politikën shqiptare në Kosovë mungojnë alternativat me objektiva afatmesme dhe afatgjatë, për të konsoliduar hap pas hapi institucionet demokratike të shtetit dhe shoqërisë. Nuk është normale që zonja e Nderuar Presidente e Kosovës, deklaron se, “është gati të takohet me Tadiçin për të mirën e Kosovës”. Kush e këshillon zonjën Jahjaga që të deklarojë, pikërisht atë që nuk mund të ndodhë kurrë? Kush nuk e kupton sot se, takimi i saj me Tadiçin e detyron këtë të fundit të ketë deklaruar botërisht njohjen e Kosovës? Pse deklarohet pikërisht ajo që nuk funksionon, kur ka plotë rrugë të tjera që të ngrenë rolin e Presidencës në shtetin e ri?
Koha vërtetoi se me këtë politikë, faktori ndërkombëtar, veçanërisht politikat e gatuara në kulisat e errëta të kancelerive evropiane, po ja dalin të denigrojnë dhe përdhosin vlerat e luftës çlirimtare të UÇK-së së lavdishme dhe të barazojnë fajtorin me viktimën, duke dhënë një goditje shumë të fortë morale e psikologjike opinionit të shëndoshë shqiptar në Kosovë. Farsa e politizuar e Hagës kundër Haradinajt me shokë nuk ka shpjegim tjetër. A i ka llogaritur kush pasojat e kësaj situate?
Koha po vërteton se përkulja me një servilizëm të skajshëm ndaj faktorit ndërkombëtar të drejtuesve kryesorë të shtetit, po sjellin pasoja të pariparueshme, të cilat do të çojnë pa tjetër në ngjarje të reja edhe më të rënda për shtetin e ri të Kosovës. Nuk bëjmë profetin në politikë, por analizën jemi të detyruar ta bëjmë me këmbë në tokë, më gjakftohtësi, por nuk e kemi aspak të lehtë, sepse këtë analyze po e bëjmë me shumë tronditje, pasi këtu kemi të bëjmë me një shtet shqiptar, të cilin e duam dhe do ta dëshironim serioz e në forcim e sipër.
Kemi kurajon qytetare e patriotike të paralajmërojmë politikën shqiptare në Kosovë, sepse ajo po bëhet bashkpëgjegjëse me politika asfiksuese, produkt i ngjarjeve të ditës, pa vizionin e qartë e largpamës të ngritjes dhe konsolidimit të një shteti të ri demokratik. Po krijohet bindja se kjo situatë do të sjellë me siguri ngjarje të reja, me një kosto të lartë morale e politike.
Koha po vërteton se, në planin e politikës dhe diplomacisë, institucionet e shtetit të ri janë në rrugën e dështimit. I vetmi që sot po gjendet në vendin e duhur, është zoti Pacolli, i cili me pasaportën në xhep, nuk po lë vend pa vajtur për të lobuar në njohjen e shtetit të Kosovës në kufijtë e kërkesave për sovranitet.
Koha po vërteton se, skenarët e shërbimit inteligjent të Serbisë po funksionojnë. Në të njëjtën kohë, konstatojmë më shumë shqetësim se, qeveria e Maqedonisë po imiton në këtë plan Serbinë dhe këto skenarë po përsëriten dhe po funksionojmë edhe në hapësirën shqiptare të Maqedonisë, duke e diskretituar politikën shqiptare në Shkup.
Koha po dëshmon përgjegjësinë e politikës së Tiranës zyrtare, e cila i kalon plotësisht në heshtje problemet në Prishtinë, Shkup e Podgoricë, sepse ajo nuk ka kohë e as ndërmend të dijë dhe të ndihmojë për interesat e shqiptarëve jashtë kufijve të saj, por ajo po jeton me ankthin e krizën e saj të thellë, pasojë e shitjes së interesave të Shqipërisë në Beograd dhe në Athinë.
Shkurt, të nderuar politikanë, nuk është kjo që dëshirojmë, përkundrazi, kërkojmë nga ju dinjitet, vizion, këshillim, vendosmëri, distancim nga e keqja, kërkojmë nga ju t’i riktheni nderin dhe dinjitetin popullit shqiptar në Kosovë, i cili sakrifikoi shumë, derdhi gjak, për të fituar lirinë. Kërkojmë nga ju t’i gjeni rrugët e bashkëpunimit. Politikat vërtet bëhen në tavolinat tuaja, por ato po dëshmojnë se, ju jeni futur në rrugën e dështimit. Kjo është e dhimbëshme, por më mirë kështu, tua themi hapur e me dinjitet. Gozhda nxirret me gozhdë. Kështu thotë populli ynë.
Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)
Tiranë, më 28 gusht 2011.