Industria ushqimore është treguar aq e aftë sa të drejtojë zgjedhjet tona pikërisht në ato produkte që do të kenë përfitimin më të madh. Komuniteti shkencor, nga ana tjetër është në një luftë të vazhdueshme me biznesin e ushqimit dhe deri tani duket se ky i fundit ka fituar. Blerina Bombaj, dietologe klinike, shpjegon të fshehtat e industrisë së ushqimit duke theksuar se “ne dietologët jemi në kontradiktë me tregun dhe ky i fundit as nuk do t’ia dijë për çfarë bën mirë e çfarë bën keq për shëndetin, mjafton të sigurojë dhe mundësisht të rrisë të ardhurat e tij”. Po shteti ku është? Diku në mes! Ose të paktën ashtu duhet të ishte… Si konkluzion, çfarë jemi duke ngrënë dhe çfarë pasojash rrezikojmë të ndeshim? Këto detaje, si pozitive, si negative i shpjegon më poshtë dietologia.
Përpunimi tradicional apo përpunimi industrial i ushqimit? Për këto dy lloje përpunimesh dietologia Bombaj shpjegon se përpunimi i ushqimit i ka sjellë njeriut mjaft benefite pasi e ka bërë atë më lehtë, më të tretshëm dhe më jetëgjatë. Ushqimi është përpunuar prej qindra vitesh në kushtet e shtëpisë duke krijuar produkte të mrekullueshme si buka, pudingat, djathërat, gjalpi, turshitë, salcicet, verërat etj. Ky përpunim kryhej nga fermerë, fshatarë, artizanë, etj. Ky lloj përpunimi e bënte ushqimin të shijshëm dhe ruante vlerat e tij ushqyese. Ndërsa përpunimi industrial fatkeqësisht e zhvendosi prodhimin dhe përpunimin e ushqimit nga proceset artizanale në procese industriale të cilat me shumë e shkatërrojnë ushqimin sesa e bëjnë atë të tretshëm, sikurse e bën përpunimi tradicional. Përpunimi industrial është i varur nga sheqeri, mielli i bardhë, vajra bimore të hidrogjenizuar (margarina), kimikate shtesë, vitamina artificiale si dhe nga makineria e përpunimit të drithërave. Këto janë shtyllat e industrisë së përpunimit të ushqimit. Sa i takon morisë së ushqimeve, dietologia i lë një vend të veçantë frutave, zarzavateve por edhe kimikateve. Sipas saj frutat dhe zarzavatet janë pika më fortë e dietës së rekomanduar sot, sepse janë të pasura në vlera ushqyese dhe nga ana tjetër nuk kanë shumë kalori të cilat po merren me tepricë. Gjithashtu, këto ushqime përmbajnë antioksidante që janë jetike për të mbrojtur qelizat tona nga një ambjent tepër toksik që na rrethon tashmë. Por ashtu sikurse gjithçka në këto kohë moderne, edhe frutat dhe zarzavatet nuk janë lënë pa ndërhyrje për të rritur sa më shumë prodhimin dhe për të zbukuruar pamjen e tyre.
Ndërhyrje të tilla përfshijnë modifikimin gjenetik të farave (për të rritur rezistencën e tyre ndaj insekteve), përdorimin e fertilizuesve dhe të pesticideve e herbicideve. Këto të fundit përdoren për të eliminuar insektet, por, për fatin tonë të keq, ato depërtojnë në brendësi të shumë frutave dhe zarzavateve dhe me konsumimin e tyre këto kimikate përfundojnë në trupin tonë. Natyrisht që këto substanca janë tepër toksike dhe madje kancerogjene. Produktet që kanë ngarkesë më të lartë të pesticideve janë: pjeshkët, mollët, specat rrumbullake, selino, nektarinat, luleshtydhet, qershitë, sallata jeshile, rrushi, karrotat, dardhat. Ndërsa produktet me ngarkesë më të ulët të pesticideve janë qepët, ‘avocado’, ananasi, pjepri, asparagu, bizelja, kivi, lakra, patëllxhani, shalqini, domatja, brokoli, patatja e ëmbël, etj. Por, në fakt, pyetja është se si mund ta ulim ekspozimin ndaj këtyre kimikateve? Për këtë problem, dietologia jep disa zgjidhje. Sipas saj pastrimi dhe larja e kujdesshme e këtyre produkteve e ul sasinë e tyre. Edhe heqja e lëkurës ndihmon në uljen e pesticideve por asnjëherë nuk eliminohet krejtësisht. Ajo që dietologia thekson është që larja të bëhet me ujë të bollshëm dhe duke i fërkuar sa më shumë këto produkte. Nuk do të rekomandoja përdorimin e detergjenteve. Kujdes i veçantë në sasinë e pesticideve që merren nga ushqimet duhet të tregohet për fëmijët pasi ata janë shumë më të riskuar nga efektet e dëmshme të tyre.
A është qumështi “i pafajshëm”…?
Qumështi është një nga ushqimet më cilësore që na ka ofruar natyra. Ne momentin që qumështi përpunohet fillon dhe humb shumë nga vlerat e tij të vyera. Por dietologia Blerina Bombaj thekson se ky nuk është i vetmi problem shqetësues. Ajo që është tepër alarmante është se lopët sot vendosen në një regjim ushqimor i cili është shumë larg nga ai që lopa ka qenë e mësuar të ndjeke. Ja se çfarë ndodh në industritë e mëdha të prodhimit të qumështit: qumështi depozitohet i gjithi në depozita të mëdha inoksi. Fillimisht ai ndahet nëpërmjet disa centrifugave në yndyrë, proteina, mbetje të tjera të ngurta dhe ujë. Këto përbërës ribashkohen duke vendosur nivelin e dëshiruar të yndyrës për të nxjerrë produktet: qumësht me pak yndyrë dhe qumësht pa yndyrë. Ajo që mbetet shkon për të prodhuar gjalpë, krem qumështi, qumësht pluhur, si dhe një sërë produktesh bulmeti të tjera. Kur yndyra hiqet nga qumështi ajo zëvendësohet me koncentrat qumështi pluhur i cili formohet nga një spërkatje e thatë në temperature të lartë. Gjithë qumështi pa yndyrë kanë në përmbajtjen e tyre qumësht pluhur, ndryshe qumështi nuk do të kishte formë të plotë. Pas kësaj procedure qumështi vendoset në enë të posaçme për pasterizim në 100 gradë Celsius për 15 sekonda. Kur qumështi zihet në 160 gradë ky proces quhet ultrapasterizim dhe kjo e bën qumështin të jetojë nëpër raftet e marketeve. Ai s’ka nevojë as për frigorifer dhe as mizat nuk do ta preferojnë. Ky qumësht është edhe i homogjenizuar dhe kur gatuhet nuk pritet. Ai rron jo disa ditë por disa javë. Por në fakt përpunimi i qumështit nuk është aspak i vetmi problem. Ajo çka na shqetëson më shumë është mënyra se si trajtohen lopët që prodhojnë këtë qumësht. Duke synuar maksimumin e prodhimit të qumështit lopët stimulohen me hormone. Ato trajtohen me antibiotike për sëmundje të ndryshme dhe me e trishtueshmja është se ato nuk ushqehen me ushqimin që janë të predispozuara të tresin. Ato marrin ushqime artificiale të cilat kane kosto shumë më të ulët dhe arrijnë të mbajnë peshën e dëshirueshme të lopës. Te gjitha këto lenë gjurme ne qumështin e kësaj lope. Pothuajse gjithçka që lopa ka në trupin e saj depërton në qumështin që ajo prodhon. Shumë mund të pyesnin nëse qumështi i fshatarëve është me i preferuar. Cilësia e qumështit është një çështje, por siguria është vendimtare. Zgjidhja për qumështin është se nuk duhet kurrsesi konsum i qumështit nga burime të panjohura për ju dhe të pakontrolluara nga specialiste veterinere.
Cila është zgjidhja dhe kur është një produkt “bio”
Bëhet fjalë për produkte ushqimore të cilat jo vetëm nuk janë të shëndetshme por na rrezikojnë çdo ditë. Zgjidhja e këtij problemi madhor sipas dietologes Blerina Bombaj është refuzimi i industrializimit dhe preferimi i produkteve “organike” ose ndryshe “bio”. Deri tani ky biznes nuk është dukur shumë i suksesshëm pasi kanë kosto të lartë dhe fitim të ulët megjithatë, pa dyshim është një biznes me të ardhme. Kur flasim për produkte organike duhet të kemi parasysh zbatimin e disa kritereve tepër të rrepta dhe nganjëherë të pamundura. Këto produkte, pasi kontrollohen rigorozisht, nëse plotësojnë çdo kriter dhe standart të vendosur, çertifikohen si “organike” nga institucionet përkatëse që mund të jenë shtetërore ose dhe private. Në Shqipëri dëgjojmë shumë shpesh termin “bio”, madje në tregun e madh të fruta-perimeve trecereku i tregtuesve pretendon qe produkti i tij është “bio”. Në fakt, shumë pak njerëz janë në dijeni se cilat janë të gjitha kriteret që duhet te plotësohen. Ndërkohë dietologia shpjegon rregullat që duhet të plotësojë një produkt që të certifikohet ”bio” janë: Te mos jetë përdorur asnjë lloj pesticidi sintetik, herbicid, fertilizues. Të mos jenë mbjellë fara të modifikuara gjenetikisht, të mos jenë trajtuar produktet me rrezatim. Të jetë mbajtur raportim për gjithçka është përdorur dhe ju është treguar rregullisht inspektoreve për kontrollet përkatëse. Toka të mos jetë përdorur as më parë për mbjellje konvencjonale dhe madje edhe tokat përreth. Toka e mbjelljes të jetë larg zonave industriale, aeroporteve dhe rrugëve nacionale. Në fakt që të plotësohen të gjitha këto kushte është disi e pamundur por dietologia në ktë rast këshillon që mund të bëjmë është të zgjedhim produkte të stinës pasi minimalisht mund të shpresojmë që janë të vendit dhe janë të freskëta edhe nëse nuk janë “bio”. Do të ishte mirë të gjenim mënyrat për të mbështetur prodhues vendas, afër shtëpive apo qytetit ku banojmë pasi koha që produkti bimor kalon gjatë transporteve të gjata është shkatërruese për nutrientet e vlefshme që ai përmban. Dhe se fundmi, me mundësinë e parë mbillni frutat dhe zarzavatet tuaja.
Situata
Sot komuniteti shkencor është mjaft i alarmuar për situatën aktuale të ushqyerjes dhe pasojave të saj në shëndetin e popullsisë në pothuajse gjithë rruzullin tokësor. Shqetësimi kryesor është se ku po shkojmë dhe ku do përfundojmë. Si do ti vejë halli njeriut i cili po ushqehet sot sipas interesave te industrisë ushqimore, një biznes miliarda dollarësh që është i aftë të kontrollojë çdo institucion shtetëror në sajë të pagesave kolosale që disponon për të blerë studimet, për të manipuluar rezultatet dhe për t’ju bërë lavazh trurit konsumatorëve.
Kosi
Kosi sa i shëndetshëm mund të jetë, aq i abuzuar është. Kosi është i shëndetshëm kur ai përmban mikroorganizma të shëndetshëm për aparatin tonë tretës. Shumë pak nga koset e gatshëm që tregtohen përmbajnë sasi të kënaqshme të tyre. Abuzimi me i rëndë me kosin është tregtimi i kosit me fruta i cili vetëm fruta nuk ka. Një kos me fruta është i ngopur me sheqer, përmban lëng frutash dhe në shumicën e rasteve ngjyrosjes që të japin idenë e frutit dhe miell për të krijuar masë më të mpiksur. Ju propozoj të bëni një prove me kosin tuaj: mbulojini kapakun me një celofan kuzhine të puthitur mirë. Nëse celofani të nesërmen nuk fryhet kosi që keni blerë nuk vlen një lek.
Drithërat e mëngjesit
Sa i takon drithërave të mëngjesit si corn flakes, rice puffs etj, dietologia shpjegon se janë disa nga llojet e drithërave të cilat reklamohen si zgjidhje për mëngjesin dhe këshillohen me qumësht. Këto drithëra kalojnë në një përpunim duke u futur në një makineri e cila ushtron nxehtësi të lartë dhe presion të forte duke i nxjerrë nga disa vrima të vogla me shpejtësi të madhe. Nxehtësia dhe presioni i zhvesh drithërat nga elemente te rëndësishëm ushqyes. Pas kësaj ato spërkaten me një lloj yndyre vegjetale dhe me sheqer për të qenë krokante dhe për tu zbutur në qumësht. Ka disa mendime se ky përpunim i deformon proteinat e drithërave dhe i bën ato tepër toksike!
Kushtet
Kushtet në të cilat rriten bagëtitë duhet të jenë tepër korrekte. Ajo që ndodh realisht në vendin tonë është një rrëmuje e madhe. Konsumatori duhet të jetë në dijeni të plotë per origjinën e mishit dhe kohën e therjes. Produkti shtazor duhet te vijë me një etiketë ku të shkruhen me imtësi të gjithë ingredientet që janë shtuar për konservim dhe të bëhet e qartë nëse mishi është natyral, bio apo konvencional.
Mishi
Mishi mund të përmbajë doza antibiotikesh që janë përdorur për të trajtuar kafshën dhe kjo ka bërë që të rritet shumë rezistenca e mikrobeve dhe baktereve duke na bërë shumë më të dobët ndaj sëmundjeve. Natyrisht, pasoja me tronditëse që alarmoi gjithë botën por që u harrua shpejt, është e ashtuquajtura “sëmundja e lopëve të çmendura” e cila goditi për vdekje disa persona.
Të hash apo të lëvizësh…?
Kësaj pyetjeje unë i pergjigjem me shumë pak fjalë: hani më pak, levizni më shumë, rrisni konsumin e fruta-zarzavateve të prodhuara në vend dhe zvogeloni sasinë e ushqimeve të gatshme.
Një thirrje personale
Ju ftoj te gjitheve të mendojme se në këtë toke jemi mysafire. Ajo na ofroi të gjitha mundesite që ne të mbijetojmë dhe të zhvillohemi. Dhe si shpërblim, minimumi që mund të bëjmë është të respektojme rregullat e saj. Konsumi i tepruar i mishit rrit ngrohjen globale. Kimikatet si pesticidet ndotin ujrat dhe ambjentin. Ambalazhet plastike të artikujve ushqimore dhe lëngjeve mbeten në natyrë dhe e ndotin atë. Një ditë, të gjitha këto do te kthehen te njeriu siç po ndodh, nëpërmjet ciklit të jetës dhe ai do të gjendet viktimë e veprimeve të tij.