Si ti perballojme djegiet nga dielli

Ditët e nxehta të verës kanë filluar. Ju pëlqen të rrini për një kohë të gjatë nën rrezet e diellit? Apo keni dëshirë të nxiheni pak, për të larguar ngjyrën që mbizotëron prej muajsh në lëkurën tuaj?

Megjithatë, duhet të bëni kujdes, sepse nëse nuk jeni mësuar me asnjë ekspozim diellor dhe po nisni ditët e plazhit në muajin korrik, mund t’iu shkaktojë probleme të ndryshme, mes të cilave djegiet, që shpesh dihet që mund të jenë të rrezikshme. Zgjidhja që dimë prej kohësh, duke shmangur ekspozimin në orët e drekës, është përdorimi korrekt i kremrave kundër diellit. Nga faktorët mbrojtës, më i këshillueshmi është 50+. Kremrat me faktor mbrojtës më të ulët se 6 nuk sigurojnë asnjë lloj mbrojtjeje nga rrezet e dëmshme të diellit, thonë specialistët. Po ashtu, studimet e bëra për rreziqet që i kanosen lëkurës nga dielli kanë treguar se janë shfaqur vetëm disa cilësi të efikasitetit të vitaminës D kundër kancerit, ndërkohë që lidhja mes ekspozimit në diell dhe tumoreve të lëkurës është forcuar. Gjithashtu, nuk duhet të qëndrojmë gjithë ditën para diellit për të marrë një ngjyrë të bukur. Në ndihmë do të na vinin edhe dhjetë minuta, apo një dietë e shëndetshme me fruta e zarzavate.

Nëse djegiet janë të lehta dhe nuk lind nevoja e ndërhyrjes mjekësore, dermatologët këshillojnë përdorimin e mënyrave alternative, edhe pse kujtojmë se ajo natyrale nuk është sinonim i sigurisë së plotë. Kështu, para se t’i nisim, është mirë t’i drejtohemi një specialisti. Ndërkohë, ja një listë e kurave natyrore për të lehtësuar djegien dhe skuqjen që mund të pësojë lëkura nga dielli.

Livanda
Që prej shumë kohësh, kimisti francez, Renè Gattefossè, filloi të bënte eksperimentet e para mbi esencën e livandës, duke marrë rezultate të mira edhe në rastet e djegies. Dihet se livanda kryen edhe një veprim antiseptik dhe ndihmon në shërimin e shpejtë të plagëve. Kundër djegieve nga dielli mund të përdorni një çaj të thjeshtë të përgatitur me të. Lyejeni krejt trupin, por përgatitja nuk duhet të jetë shumë e nxehtë për të shmangur një tjetër djegie.

Aloe vera
Është ndoshta një nga kurat natyrore më të njohura dhe më të përdorura kundër diellit. Arrin të reduktojë inflamacionin, skuqjen dhe dhimbjen. Studimet e bëra mbi këtë lloj bime janë të shumta, mes të cilave edhe ajo e vitit 1995 kur është përdorur për të kuruar viktimat e atentatit të qytetit të Oklahomës. Kurat u kryen nga mjeku T. Moore, që kishte trajtuar rreth 4000 raste djegiesh në botë dhe rezultuan efikase. Grini një fletë aloe vera dhe xhelin që del prej saj vendoseni në vendet e djegura.

Mjalti
Është një prej qetësuesve më të “bezdisur”, por që funksionon në mënyrë perfekte, nëse nuk keni në dispozicion asgjë tjetër më praktike. Sipas kërkimeve të kryera në “Clinical Trials Research Unit” të Universitetit të Auklandit në Zelandën e Re, mjalti të qetëson dhembjet, kryen një veprim antibakterial dhe në rastet e djegieve të rënda, arrin të heqë qelizat e vdekura nga indet për një rigjenerim më të shpejtë.

Kamomili
Një tjetër qetësues natyror efikas është edhe kamomili, që jo më kot qëndron i pari në listën e bimëve mjekësore që përdoret për të gjitha sëmundjet. Mirë është të përdoren kremrat pas diellit me kamomil, ose mund të përgatitet një çaj kamomili. Lihet të ftohet dhe vendoset direkt në pjesët që të dhembin, dy ose tre herë në ditë.

Molla
Redukton të skuqurën dhe ndihmon në qetësimin e plagëve. Qëroni një mollë, priteni në copa dhe vendosini te pjesët me djegiet dhe dhembjet më të mëdha.

Uthulla e verës së bardhë
Gjyshet prej dekadash kanë aplikuar uthullën për djegiet nga dielli dhe shërimin e lëkurës së djegur. Me kompresat e uthullës së ftohtë në lëkurë, gjyshet dikur na thoshin se shërimi është i garantuar.

Kosi
Provoni të zëvendësoni kremin tuaj pas diellit me kos të ftohtë, kjo mënyrë shërben për të dezinfektuar lëkurën dhe për të hequr ndjesinë e djegies. Vendoseni kosin mbi trup për 15 minuta dhe më pas shpërlajeni.

Uji
Këshillohet të pini shumë ujë edhe kur jeni në det, por edhe kur jeni kthyer në shtëpi. Hidratimi i lëkurës e ndihmon trupin t’i administrojë më mirë djegiet.

Dushi
Bëni herë pas here dush me ujë të ftohtë dhe kompresa me akull në vendet e dëmtuara. Është e sigurt se do të ndiheni më mirë.

Author: admin