Te jetosh duke notuar ne ar

Tendenca e fundit për pasanikët e së gjithë botës është të jetojnë një jetë të mrekullueshme, të rrethuar nga metali i çmuar. Hobitë e tyre kalojnë çdo limit: nga celulari te makina, gjithçka e veshur me flori.Në Japoni, olimpi i tregut të luksit, një argjendar i famshëm, realizoi pak kohë më parë një palë bikini, tërësisht me flori 24 karatësh, të cilat kushtonin 82 mijë dollarë. Ato peshojnë 500 gramë, por për fat të keq, me to veshur nuk mund të notohet. Blerësit mund ta veshin vetëm për ndonjë mbrëmje në pishinë. Krijuesit e kësaj vepre të vërtetë arti shpjegojnë se për punimin e kostumit u desh një muaj kohë, pasi çdo fije floriri që u përdor për krijimin e saj ishte e hollë sa një fije floku dhe duhej shumë kujdes në vendosjen e tyre. Ideja e një kostumi të tillë banje erdhi nga përfytyrimi i mbulimit të trupit të një femre me xhevahire dhe elegancës që do të kishte një pamje e tillë. Kostumi i shndritshëm i banjës është krijuar nga një bashkëpunim mes argjendarisë “Tanaka Kinkizoku” dhe stilistit Akihiko Izukura. “Ndjesia e të pasurit një kostum të tillë në trup është e mrekullueshme. Është njësoj si të notosh në flori”, ka thënë e entuziazmuar modelja që e mbante veshur. “Tanaka” nuk është e re në provokimet e këtij lloji, mjafton të mendosh për krijimet e çmuara që ka bërë më parë: një çantë platini, të punuar me 2182 gurë diamanti (e cila kushton 1.63 milionë dollarë), apo një pemë të dendur floriri për Vitin e Ri, që peshonte 21 kilogramë dhe kushtonte 850 mijë dollarë. Por luksi i shfrenuar vërtet nuk ka kufij. Kompania e famshme “Widex”, e cila njihet për prodhimin e protezave akustike, ka krijuar një aparat akustik, sigurisht i pazakontë, i veshur me flori 24 karatësh dhe 220 diamante. Më shumë se një pajisje mjekësore, kjo protezë akustike duket si një xhevahir i vërtetë, nëse mbahet në vesh dhe mund të blihet për 25,000 sterlina.
Por nëse luksi është në ADN-në tuaj dhe tërhiqeni nga çdo gjë e shtrenjtë, e cila ndodhet në një dyqan, mos harroni të blini edhe produktin “Gold Flakes Supreme”, që është një vodka e distiluar me ujë që rrjedh nga burime nëntokësore, e cila përmban as më shumë dhe as më pak përbërës floriri 24 karatësh. Është një shishe me një dizajn të rafinuar, ashtu si përmbajtja brenda saj. Kushton 60 dollarë dhe shpërndahet nga firma “Shaw-ross”. Pra nëse vërtet jeni të tërhequr nga shkëlqimi i arit, përse të mos e vishni me flori edhe pjesën më të përdorur të shtëpisë suaj, banjën? Këtë e ka bërë një argjendar nga Hong Kongu, i cili ka veshur me flori të gjithë banjën e shtëpisë së tij, duke filluar që nga gotat e deri te rubinetet, sepse edhe në intimitetin e atyre momenteve, ajo që vlen më shumë është shkëlqimi. Nga kompjuteri, celulari, reçipetat e deri tek aparatet akustike, mjafton që të shkëlqejnë dhe të jenë të punuara me flori 18 karatësh. Tendenca e fundit për pasanikët e së gjithë botës është të jetojnë një jetë të mrekullueshme, të rrethuar nga metali i çmuar, ndryshe nuk ka se si të shpjegohet kjo mani e çmendur, për koleksionistët e luksit. Kompania e famshme japoneze “Sanrio”, nxori në shitje 54 letra bixhozi, secila prej tyre është e bërë me metal të petëzuar, ku gjendet 0,37 gramë ar i pastër. Kjo është bërë për t’i dhënë vlerë edhe më të madhe dizajnos së çuditshme. Letrat në anën e pasme janë të punuara me këtë material, ndërsa në anën e brendshme kanë një mollë të vogël me flamurin anglez në sfond. Letrat e bixhozit janë vetëm një nga objektet e shumta të jetës së përditshme, që janë transformuar në një xhevahir të vërtetë, të cilat janë nxjerrë në shitje. Ari, si dje, ashtu dhe sot, mbetet një element i pazëvendësueshëm në kërkesat e shoqërisë. Por për ta shijuar në maksimum jetën ose për të jetuar vërtet, duke notuar në ar, listës së sendeve të përdorshme i shtohen edhe dy objekte shumë të rëndësishme: celulari dhe kompjuteri. Sot gjen shumë lloje telefonash të punuar me platin, flori të verdhë, të bardhë dhe rubin. Këta telefona kushtojnë një djall e gjysmë. Për sa i përket kompjuterit, shumë kompani kanë menduar t’i zëvendësojnë kasat e aluminit që veshin kompjuterin portativ “Apple”, me kasa floriri 24 karatësh. Kostoja e modifikimit shkon nga 1200 në 1500 dollarë dhe kush e dëshiron vërtet këtë kompjuter të modifikuar dhe luksoz në të njëjtën kohë, mund t’i shtojë ndonjë detaj edhe më shik. Çmimi i këtij kompjuteri të transformuar është 2400 euro. Por kjo nuk është e gjitha. Sigurisht ka edhe sende të tjera të cilat kanë pësuar ndryshime rrënjësore.

Author: admin