Era e keqe nga goja në shumicën e rasteve është pasoje e mbetjeve të ushqimit në gojë ose baktereve. Shkaktar i erës së keqe mund të jenë dhëmbët e sëmurë ose mishi i dhëmbëve, ndërsa rrallëherë ajo është pasojë e problemeve të lukthit ose mushkërive.
Duke qenë se në shumicën e rasteve era e keqe është pasojë e asaj që hamë dhe që mbetet në gojë, zgavra e gojës gjithmonë duhet të pastrohet. Për këtë është e nevojshme që së paku dy herë në dite të lahen dhëmbët dhe të tentohet largimi i të gjitha mbetjeve të ushqimit.
Përveç dhëmbëve, rregullisht duhet të pastrohet edhe gjuha, sepse bakteret të cilat mbeten në të sjellin deri te era e keqe e gojës. Prandaj, pastrimi i gjuhës le të jetë pjesë e ‘paketës’ së larjes së dhëmbëve.
Erën e keqe mund ta shkaktojë edhe goja e thatë. Kjo mund të rregullohet me njomjen e hapësirës së gojës me pështymë. Ajo ka veprim antibakteror dhe largon pjesët e mbetura të ushqimit. Në fakt, era e keqe e gojës në mëngjes vjen pikërisht nga zvogëlimi i prodhimit të pështymës gjatë natës.
Nganjëherë kur jeni duke u ngutur dhe nuk arrini t’i pastroni dhëmbët siç duhet, rekomandohet shpëlarja e gojës me ujë pas ushqimit, sepse uji do të largojë pjesëzat e mbetura të ushqimit dhe do t’ua freskojë aromën.
Në luftën kundër erës së keqe të gojës ndihmojnë edhe majdanozi, selino, karotat dhe kikirikët.