Këngëtarja e njohur është surpriza e parë e “Portokallisë”. Sezoni i ri nis javën e parë të marsit. Eneda sapo ka nënshkruar një kontratë për të prezantuar spektaklin popullor dhe të vetëm të humorit në Shqipëri. Bëhet pjesë e kësaj përvoje të re, sepse Eneda është e gatshme të provojë në art
Eneda Tarifën jemi mësuar ta njohim si këngëtare. Suksesi i saj më i fundit ishte çmimi i parë i “Top Fest 7”. Tashmë do të njohim edhe një anë tjetër të karakterit të saj artistik. Eneda prezantuese. Do të përshëndesë e para sezonin e ri të “Portokallisë”. Këngëtarja sapo ka nënshkruar një kontratë për të prezantuar spektaklin popullor dhe të vetëm të humorit në Shqipëri. Në krah të saj mund të jetë aktori Salsano Rrapi, por gjithçka mbetet për t’u parë. Është një përvojë e re, për të cilën Eneda shprehet e entuziazmuar. “Ishte propozimi i regjisorit Altin Basha për të qenë prezantuese e ‘Portokallisë’. Kjo më bëri të ndihesha e privilegjuar, sepse ai ka vite që e drejton këtë spektakël dhe synon veçse rritje profesionale dhe cilësore”, shprehet ajo. E njeh mirë skenën, ndihet e lirshme dhe spontane dhe ka besim se do të japë më të mirën.
Ju sapo keni firmosur një kontratë për të qenë prezantuesja e sezonit të ardhshëm të “Portokallisë”. Si erdhi ky bashkëpunim?
Pikënisja ishte numri humoristik që pata me Salsano Rrapin për programin e Vitit të Ri në “Top Channel”, ku unë bëra rolin e një këngëtareje që donte të futej në rrugën e artit dhe për këtë interpreton me këngëtarin e “Portokallisë”. Ky numër rezultoi i suksesshëm dhe unë kam marrë urime për një anë tjetër të karakterit tim artistik, që nuk e kisha nxjerrë më përpara. Ishte shumë e natyrshme, ashtu si edhe marrëdhënia që pata me stafin gjatë atyre ditëve. Më pas ishte propozimi i regjisorit Altin Basha për të qenë prezantuese e “Portokallisë”. Kjo më bëri të ndihesha e privilegjuar, sepse ai ka vite që e drejton këtë spektakël dhe synon veçse rritje profesionale dhe cilësore. Nga ana tjetër, kjo ofertë më vuri në përgjegjësi të jashtëzakonshme. Mund të kesh dëshirë dhe pasion për të bërë diçka, por puna reale është shumë më e madhe. Fatmirësisht them se e kam vullnetin për të mësuar e punuar gjatë kësaj faze parapërgatitore. Miqtë e mi të “Portokallisë” më kanë premtuar mbështetjen e tyre.
Ju jeni mësuar me skenën, por si këngëtare. Keni tentuar më parë të prezantoni?
Kam tentuar edhe më parë, por kanë qenë eksperienca të vogla. Kam prezantuar një javë mode, “Show Fest”-in në Kosovë dhe në fillimet e mia si këngëtare kam prezantuar edhe “Telebingon”. Propozimi për të prezantuar “Portokallinë” mendoj se vjen në kohën e duhur, kur përvoja e fituar dhe pjekuria artistike mendoj se mund të më favorizojnë. E shikoj si një mundësi për rritje të mëtejshme profesionale, për të shpërfaqur edhe anë të tjera të karakterit artistik. Natyra e këtij spektakli mund të më vërë përpara realizimit të një numri baleti, mund të provoj grimca aktrimi ose mund të jem edhe thjesht prezantuese, por të gjitha këto e plotësojnë figurën time. Nuk e di nëse do arrij atje ku duhet, por unë do të mundohem të bëj maksimumin dhe më të mirën time.
Do të keni një partner tjetër në skenë?
Ideja e parë është që krah meje të jetë fillimisht Salsano. Asgjë nuk është përfundimtare dhe do të mendohet më e mira.
Keni filluar ta përjetoni në vetvete idenë e kësaj përvoje të re?
Kam filluar të bluaj në mendje situata të ndryshme dhe të imagjinoj sikur jam në skenë. Në mënyrë të pashmangshme diskutoj me familjen time për pesë minutat e para kur do t’u tregoj njerëzve që prezantimin e këtij spektakli do ta bëj unë. Mendoj për shumë gjëra dhe e gjithë kjo situatë më ka bërë të jetoj një gjendje brenda “Portokallisë”.
Cila është lidhja juaj me humorin?
Unë nuk shquhem si njeri me shumë humor, por kam momentet e mia gazmore, di ta sjell në gjendje një mikeshë të mërzitur apo të dal nga një situatë e rënduar. Besoj që nuk më mungon spontaniteti. Të bësh humor në mënyrë profesionale është çështje profesioni dhe unë nuk e kam këtë kompleks. Çdo gjë do të më vijë, do të jetë pjesë e spontanitetit dhe lirshmërisë që më jep skena. Por e vogël dhe deri në shkollë të mesme kam qenë një imituese e përkryer. Familjarët dhe njerëzit e afërt e njohin këtë pjesë timen.
Si e pritën familja apo miqtë tuaj më të ngushtë propozimin për të qenë pjesë e “Portokallisë”?
E pritën me kënaqësi të jashtëzakonshme. Familja ime gjithnjë më ka nxitur të shpërfaqja edhe anë të tjera përveç këngës. Gjithsesi mua m’u desh pak kohë të sigurohesha për veten dhe për të marrë mendimin e njerëzve më të afërt. Të gjithë më kanë këshilluar të mos i them “jo” kësaj eksperience.
Nëse do të shohim çdo javë një Enedë prezantuese, ç’do të bëhet me Enedën këngëtare?
Nuk do ta lë të kënduarin për asnjë çast. Kontratën me “Portokallinë” e kam si prezantuese dhe “show girl”, por planet e mia në muzikë nuk do t’i lë mënjanë. Në fund të fundit më njohin si këngëtare. Jeta ka të papritura dhe unë kam guximin e duhur dhe bindjen që kjo detyrë do të bëhet në maksimumin e saj.
Ju keni përjetuar një periudhë të mirë si këngëtare. Vjen pas çmimit të parë në “Top Fest”, pas shumë koncertesh e angazhimesh. Cilat janë projektet e afërta në muzikë?
Krahas prezantimit të “Portokallisë” është realizimi i albumit. Do të ishte shumë interesante nëse do ta lançoja në sezonin e “Portokallisë”.
Është albumi juaj i parë. Ka këngë të reja?
Është albumi i parë dhe mund të jetë edhe i vetmi sepse këtu albumet nuk janë për t’u shitur e për të fituar. Shërbejnë më shumë si një pasaportë dhe një mundësi për të qenë afër fansave të tu. Albumi thuajse ka mbaruar, ka ngelur vetëm pjesa e prodhimit fizik dhe marrëveshja me ndonjë shtëpi diskografike për shpërndarjen. Pjesë e tij janë këngë të reja, por nuk do të lë jashtë edhe këngë të vjetra që më përfaqësojnë. Në të ardhmen, ndoshta mund të ketë një album tërësisht me këngë të reja.
Duke pasur parasysh karakterin tuaj, sa i hapur jeni si person për eksperienca të reja?
Kam qenë më e rezervuar, por koha më ka bërë të ndryshoj. Kam parë se duke fituar eksperiencë, duke qenë e vërtetë dhe e lirshme, mund ta zhvillosh karakterin tënd. Një njeri është gjithnjë në kërkim dhe profesioni nuk mbaron ndonjëherë. Fakti që pranova të prezantoj nuk do të thotë se e kam ezauruar të kënduarin, por jam natyrë në vëzhgim e mësim të vazhdueshëm. Në fushën e artit nuk më trembin eksperiencat e reja, dua të provoj.