Kur kanë mbetur edhe pak javë deri në zhvillimin e ndeshjes së madhe të boksierit të madh shqiptar, gjithçka është në rrugë të mbarë për duelin e 26 shkurtit 2011, kur Luan Krasniqi do të ngjitet në ring shumë i motivuar dhe me synimin për fitore ndaj kundërshtarit, Jonathan Banks.
Intervistoi: Dashnim Hebibi
Ndeshja e Luanit ka një vlerë të veçantë, sepse fituesi i duelit të ardhshëm duhet të takohet me njërin nga vëllezërit Klitschko, dhe ai takim zhvillohet për titullin e kampionit botëror në boks. Nisur nga kjo, edhe ne kemi nderin që ta zhvillojmë këtë intervistë me boksierin që mendon se ka për t’i dhënë ende boksit…
Tashmë është e njohur, se Luan Krasniqi, duelin e radhës e ka më 26 shkurt. Si e shihni këtë ballafaqim?
Si të gjitha duelet e deritashme, sepse secili ka qenë i rëndësishëm. Kështu e shoh edhe këtë luftë të ardhshme, ndonëse kjo dallohet, është më domethënëse për aktualitetin dhe më shpie më afër ëndrrës time sportive.
Është përfolur se, Luani, po plaket. A do t’i tregoni atyre që paragjykojnë me një fitore dhe që të hapet rruga për të fituar titullin e kampionit botërorë?
Sportisti mbetet sportist gjatë gjithë jetës së tij. Kjo ndjenjë më shoqëron kurdoherë dhe për kalimin e viteve nuk kam kohë të mendoj. Në ring ngjitem shumë i motivuar dhe me synimin për fitore.
Dmth, ende keni shumë për t’i dhënë sportit të boksit?
Po angazhohem që të sendërtoj dëshirën time dhe të sportdashësve të shumtë.
E njihni kundërshtarin Jonathan Banks?
Natyrisht që e njoh dhe vlerat e tij sportive i respektoj.
Lëndimi i shpinës që patët gjatë vitit 2009, bëri që të pushoni për gati 2 vjet nga ky sport, por nuk ju ka penguar, që ju të përgatiteni dhe të tregoni forcën tuaj. Si është Luani një muaj e ca ditë para kësaj sfide?
Unë ndihem mirë, asnjëherë nuk jam ndarë nga ushtrimet dhe se jam në formë të mirë. Trajneri dhe shokët që i ndjekin ushtrimet e mia, pak sa ma kanë ‘zili’ për kondicionin dhe përkushtimin tim për këtë duel.
Kundërshtari juaj Banks, thotë, se e respekton Luan Krasniqin, por se ai do të jetë fitues. Kjo po ndodh, sikurse me disa kundërshtarë që i keni pasur, por kanë puthur podiumin. A do të ndodhë edhe me Banks, që ta nakautoni?
Nuk e kam dëgjuar deklaratën e tij, por ringu e pret takimin tonë dhe shikuesit do të ndjekin një luftë interesante.
Po përgatiteni për 12 raundet, sigurisht, pretendoni, ta kryeni para kohe?
Kur njeriu e fillon një udhëtim, paraprakisht e paramendon se do të arrij në cak. Forma se si realizohet udhëtimi, shpeshherë nuk mund të parashikohet. Edhe unë kësaj here jam përgatitur për të arritur në cak.
Deri ku jeni me përgatitjet tua?
Me trajnerin dhe shtabin tim jemi duke i finalizuar përgatitjet taktike. 26 shkurti nuk është shumë larg, por kemi kohë që të zbatojmë planin e përgatitjeve.
Sigurisht se e keni studiuar kundërshtarin tuaj dhe ku e shihni se është më i fortë, me dorën e majtë apo të djathtën?
Kjo është më tepër punë e shtabit tim mbase unë kam njohuri për taktikën e luftës që ai e kultivon. Stilin e tij e njoh dhe në harmoni me këtë jemi duke e bërë konceptin e qasjes time në ring.
Keni fituar 30 nga 35 meçet e zhvilluara, duke pësuar në katër prej tyre, teksa njëri përfundoi në barazim. Tri nga ato katër disfata, kanë ardhur në pesë meçet e fundit, duke përfshirë humbjen nga Lamon Brewster (2005), Tony Thompson (2007) dhe Alexander Dimitrenko (2008). Do të jetë ky duel një rikthim i Luanit drejt qëllimit final, i pari në botë?
Këtë e kam synuar dhe e synoj. Ky duel më shpie më afër realizimit të dëshirës dhe qëllimit tim. Jam i lumtur që më është dhënë kjo mundësi.
Në një intervistë të më hershme më patët thënë se keni ushtruar me Kliçkot dhe, madje, në një luftë që e keni pasur, e keni mundur. Pas duelit të 26 shkurtit, që urojmë të jeni fitues, a do ti kryqëzoni dorëzat me të?
Kështu mund të ndodh. Fituesi i duelit të ardhshëm duhet të takohet me njërin nga vëllezërit Kliçko. Dhe ai takim që do të pasoj zhvillohet për titullin e kampionit botëror në boks.
Kush po të ndihmon në stërvitje?
Një ekip i mirë i udhëhequr nga trajneri Hans-Jürgen Witte, vëllau im Agimi, etj.
Stërvitjet kryesore i keni në Rottweil?
Në Rottweil kam ushtruar një kohë të gjatë, kurse aktualisht ndodhem në Austri. Këtu, po ashtu, kushte janë tejet të mira për ushtrime fizike.
26 shkurti, a do të vendos për të ardhmen e karrierës suaj?
Aktualisht jam i përqendruar për këtë duel. Për të menduar për diç tjetër, hë për hë, nuk kam kohë.
Pse është zgjedhur qyteti Ludwigsburg për këtë duel?
Qytet sportiv me shumë miq të sportit të boksit, me një sallë të mirë ku do të krijohet atmosferë e këndshme sportive.
Sigurisht, se e mirëprisni edhe përkrahjen e bashkatdhetarëve tanë.
Si gjithnjë. Përkrahja kurrë nuk ka munguar dhe kjo më ka bërë kurdoherë të lumtur. Edhe kësaj here me siguri do të jetë kështu.
Cila fjalë do të kishte ndihmuar nga tifozët e shumtë që do të vijnë për të përkrahur, gjersa ju jeni në ring duke luftuar?
Prania e tyre ka domethënie të shumtë. Por unë gjithnjë e kam parasysh se edhe pranë ekraneve televizive, mijëra aderues bëjnë luftë së bashku me mua. Edhe kjo është përkrahje e madhe. U jam mirënjohës të gjithëve.
Nëse do të jesh i pari i botës, a do ta kishe përkrah flamurit gjerman edhe atë kombëtarë, në ballafaqimin kundër Klitschkos, që mezi e presim dhe shumë besojmë në fuqinë tuaj?
Si gjithmonë, jam krenar që kam mundësinë të përfaqësoj shtetin gjerman i cili më ka mundësuar të jam ky që jam në sport, por njëkohësisht jam tejet i lumtur që me sukses kam përfaqësuar edhe Kosovën dhe trevat shqiptare. Ndaj, me kënaqësi, kudo dhe gjithnjë që më jepet mundësia, e përdori edhe flamurin kombëtar, ngjyrat e të cilit më trimërojnë edhe më shumë.
Suksese dhe sigurisht, se do të jemi të mirëseardhur edhe në duelin e 26 shkurtit për së afërmi, dhe, do të kemi, natyrisht, emocione të veçanta?
Faleminderit për interesimin dhe mbështetjen që më jepni ju dhe të gjitha mediet.