Shqipëri: Rriten çmimet në prag të festave

Produktet bazë të konsumit kanë pësuar sërish rritje në muajin nëntor, ndërsa tendenca për shtrenjtim të mëtejshëm vihet re edhe në fillim të muajit dhjetor. Shqiptarët, ashtu si në vitet e kaluara, në prag festash të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri duhet t’i bëjnë mirë llogaritë, sidomos për disa lloje produktesh që kanë pësuar rritje të konsiderueshme çmimesh.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi dje gjendjen e çmimeve për artikujt bazë të konsumit.

Kështu, në muajin nëntor indeksi i çmimeve arriti 107.2 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (periudha bazë e krahasimit), duke shënuar një rritje të prej 0.2 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm.

Ndryshimi vjetor (inflacioni) në muajin nëntor ishte 2.8 për qind, që do të thotë se me këtë nivel janë rritur çmimet e produkteve në vend, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 3 për qind.

Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 2.3 për qind vërehet në nëngrupin “sheqer e ëmbëlsira”, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të sheqerit me 6.3 për qind. Grupi “zarzavate përfshirë patatet” shënoi një rritje prej 2.1 për qind.

Author: admin