Agron Llakaj gjobitet nga Top Channel

Largimi i parakohshëm i moderatorit të njohur, Agron Llakaj nga spektakli i humorit “Portokalli” në “Top Channel”, i erdhi paksa e papritur publikut të afeksionuar pas këtij “show” të përjavshëm televiziv. Teleshikuesit, të cilët ishin përgatitur për largimin e tij në janar, në fillim menduan se ishte një “shaka”apo “truk” regjisorial mungesa moderatorit kryesor dhe partnerit të Amarda Toskës, e cila e nisi e vetme dhe e përfundoi po vetëm spektaklin e së dielës së shkuar, duke kaluar dhe një sprovë që mund ta drejtojë pa partner këtë format, edhe në javët në vazhdim. Në shtatë vjet të diela spektakël, moderatori i dhjetëra karaktereve humoristike nuk kishte munguar asnjëherë, ndaj të gjithë menduan se diçka mund të kishte ndodhur pas kuintave. Thashethemet e para ishin se, “Llakaj kishte marrë një urdhër pushimi nga puna”, pas shfaqjes për disa minuta në natën finale të Festivalit “Kënga Magjike” në një tjetër ekran, si ai i “Tv Klan”. Por moderatori i njohur, pas thashethemeve të ndryshme thjesht përgënjeshtroi zërat se ishte pushuar nga puna, duke pohuar se ishte larguar vetë para kohe, por pa dhënë asnjë shpjegim në mediat e interesuara rreth largimit të tij, duke e cilësuar si një çështje krejtësisht personale. Në intervistat e tij, ai u përpoq t’i jepte nota paqësore këtij vendimi të ndërmarrë prej tij. Ndërkohë që pas hulumtimeve tona kemi zbuluar se në fakt nuk bëhet fjalë për një largim të parakohshëm me dëshirë, edhe pse gjithçka është bërë pa zhurmë.

Arsyeja, Pas shfaqjes në “Klan” i hiqen rolet në momentin e fundit

Marrja pjesë në natën finale të festivalit “Kënga Magjike”, ku luajti një numër parodik bazuar në krijimtarinë muzikore të Ardit Gjebresë, u bë në fakt shkak që Agron Llakaj të largohej përpara mbylljes së kontratës me “Top Channel”, ashtu siç e kishte njoftuar në media. Arsyeja ishte, pasi ai nuk kishte respektuar një rregullore të brendshme të këtij televizioni për t’u shfaqur në një ekran tjetër, pikërisht në “Tv Klan”, televizioni me të cilët Agron Llakaj ka lidhur kontratën e re. Moderatori duhet të kishte njoftuar drejtuesit e këtij televizioni dhe të merrte një leje paraprake nëse duhej apo jo të shfaqej te “Kënga Magjike”, qoftë edhe si i ftuar special. Pas kësaj, u vendos që atij t’i hiqeshin rolet në momentin e fundit, ndërsa iu la vetëm një rol, ai i imitimit të kryeministrit Sali Berisha. Agroni është ndier i fyer dhe ndaj ka vendosur të bojkotojë spektaklin e së dielës në momentin e fundit.

Shkelja e kontratës i
kushtoi 8 milionë
lekë gjobë

Askush nga stafi i “Top Channel” nuk ka pranuar të japë detaje, por nga burimet tona konfidenciale kemi mësuar se shkelja e kontratës i ka kushtuar një gjobë të majme Agron Llakajt. Pas largimit të tij në momentin e fundit, Agroni ka marrë një fletë gjobe nga “Top Channel” në shumën 8 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që pas kësaj ai është larguar drejt Greqisë, ku thuhet se po i nënshtrohet një operacioni kirurgjikal, ndaj ka qenë e pamundur marrja e një konfirmimi prej tij. Gjoba e vendosur është llogaritur për kohën që ai kishte nënshkruar kontratën pikërisht deri në fund të dhjetorit.

në janar në Tv Klan

Gjithsesi, në mes të muajit janar, Agron Llakaj do të shfaqet në një tjetër format dhe në një tjetër ekran, ku gjithçka deri atëherë do të jetë harruar. Por në “Tv Klan”, në show-n “Kush do bëhet milioner”, ai do të dalë në transmetim çdo të hënë, ndërsa paralelisht po punon për një show tjetër komik, për të mos hequr dorë nga humori. Kompania “Grand Media” e cila ka ekskluzivitetin e këtij show për 10 vjet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ia bëri ofertën Llakajt në muajin mars. Fillimisht, ai këtë projekt ia ofroi “Top Channel”, por pas një refuzimi nga drejtuesit ra dakord që ta prezantojë në “Tv Klan”, duke marrë kështu dhe vendimin përfundimtar për të hequr dorë në të njëjtën kohë nga “Portokalli” dhe “Top Channel”, pas plot shtatë vjetësh punë dhe sukses në këtë televizion.

Author: admin