Derisa kompania publike e Kosovës PTK paraqitet dominuese në tregun e telefonisë mobile, kompania IPKO shfaqet lider në dhënien e shërbimeve të internetit në Kosovë. Sipas të dhënave të Autoritetit Rregullativ të Telefonisë rezulton se IPKO zotëron 45.4% të tregut, PTK rreth 34%, kurse Kujtesa ka nën zotërim 19.6%.Në tremujorin e tretë të vitit 2010 janë rreth katër sipërmarrës që kanë njoftuar ART-në për ofrimin e shërbimit të qasjes në internet. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2010, ofrimi i shërbimeve të internetit në brez të gjerë vazhdoi me rritjen e numrit të përdoruesve dhe rritjen e numrit të ofertave”, thuhet në raportin e ART-së për përdorimin e internetit në Kosovë.
“Përveç pozitës së liderit në treg, IPKO si ofrues i shërbimeve të internetit ofron çmimet më te volitshme për shpejtësinë më të madhe të internetit në Kosovë. Dhe kjo politikë, na pozicionon fuqishëm në vendin e parë, sa i përket shërbimit të internetit, dhe shërbimeve tjera telekomunikuese që ne ofrojmë në këtë treg”, tha për portalin Qendra, zëdhënësi i IPKO-s, Alban Kastrati.
Sipas të dhënave zyrtare më të fundit të raportuara nga operatorët, numri i familjeve që kanë qasje në internet me brez të gjerë është rreth 31.5 mijë apo afërsisht 30%. Bazuar në këto të dhëna, numri i linjave broadband/penetrimit të internetit në K3-2010 (të dhënat e fundit të azhurnuara) rezultojnë me një nivel prej 5.08%.
“Në këto të dhëna nuk janë përfshirë të dhënat nga operatorët lokal (vlerësohet diku mbi 150 ISP lokale të palicencuar), ku po që se marrim si mesatare që çdo ISP e palicencuar ka përafërsisht 150 përdorues (vlerësim i ART-së) shtrirja e internetit vlerësohet të arrijë 6.31%”, saktëson raporti i ART-së.
Tutje në raport theksohet se numri i përdoruesve të internetit nëpërmjet modemit kabllor është teknologjia me dominuese me rreth 65.000 përdorues.
Ndërsa, qasja në internet përmes teknologjisë ADSL deri në fund të tremujorit të tretë të vitit 2010, është rreth 35.500 përdorues, nga të cilët rreth 94% janë përdorues individual, kurse pjesa tjerët prej 6 për qind janë përdorues të biznesit.
“Të dhënat e tremujorit të tretë të këtij viti për shërbimet e internetit tregojnë për një rritje të përdoruesve të internetit nëpërmjet ADSL-it, e cila krahasuar me fundin e vitit 2009 është rritur rreth 11për qind”.