HAFIZ ALI KORÇA – DIJETARIT QË NUK IA ZHDUKËN AS EMRIN AS VARRIN

hafiz-ali-korc3a7a

Shkruan: Ndriçim Iseni

Një nga hoxhallarët më të përvuajtur shqiptar për arsye politike, fetare dhe patriotike, padyshim është Hafiz Ali Korça. Dijetar poliglot, i zot fjalës, penës, punës dhe pushkës. Ai në shërbim të atdheut nuk kurseu asgjë, madje as jetën e tij. Ishte caktimi i Allahut që ai i shpëtoi disa atentateve dhe dënimeve me vdekje.

Për veprimtarinë e tij patriotike në përhapjen e shkronjave shqipe, nga xhonturqit u shpall si ‘latinxhi’. Pas shpalljes së pavaresisë, nga kryengritësit fanatiko-fetar përsëri u pa si një reformues me mendime të rrezikshme. Në kohën e Zogut u shpall si fanatik dhe anti-përparimtar. Në kohën e komunizmit si anti-komunist me mendime të rrezikshme.

Pavarësisht ketyrë, H. Ali Korça nuk u tërhoq, nuk u mposht, nuk e friksuan kërcënimet, dënimet me vdekje etj. Aq të shumta do ishin këto vuajtje saqë H. Ali Korça do shkruante një libër i mbetur në dorëshkrim “Vuajtjet dhe dënimet e mia me vdekje”.

Gjithë jetën e tij i’a kushtoi fesë dhe atdheut. Midis vuajtjeve të shumta, tragjedive familjare, internimeve, skamjeve dhe sëmundjeve të pleqërisë do ndërronte jetë më 31.12.1956, në Kavajë. Populli i Kavajës, i cili e mbajti, e perkrahu pavarësisht presioneve dhe përndjekjeve të sistemit, do ta përcillte për në banesën e fundit me lutje dhe nderime.

I varrosur në varrezën e vjetër të qytetit të Kavajës, eshtrat e tij prehen të qeta dhe të paprekuara, pavaresisht se kjo varrezë nuk ekziston më për shkak të ndryshimeve demografike të qytetit. Aktualisht në këtë ish-varreze vetëm varri i H. Ali Korçës ka mbetur i paprekur dhe i identifikueshem edhe sot, por jo rastësisht.

Gjatë periudhes komuniste varreza e vjetër e qytetit do të prishej për të fshirë gjurmet Islame në to dhe do të ndërtohej stacioni hekurudhor. Megjithatë varri i tij qendroi i paprekur. Ja dy histori te shkurtra se si arriti të mbijetojë varri deri më sot i paprekur.

Kur filluan të prishen varrezat e qytetit dhe të rrafshoheshin me eskavator, e merr vesh gjithë qyteti por askush nuk pati guximin të kundërshtonte. Sistemi pati prishur xhamia, kisha, teqe, pati vrarë dhe prerë shumë klerikë fetar, mysliman dhe të krishterë. Tashmë kjo ishte diçka e vogël në krahasim me vuajtjet që kishin kaluar dhe kalonin.

Ndërkohë H. Ali Korça kishte lënë edhe disa nxënës të cilëve në fshehtësi i kishte mësuar mësimet e Islamit. Njëri prej tyre, i cili tashmë njihet nga e gjithë Kavaja por jo vetëm është edhe Haxhi Xhafer Shkodra. Gjatë asaj kohe kur merr vesh këtë gjë vrapon për tek varrezat e qytetit dhe takon eskavatoristin që po rrafshonte varrezat. I kërkon që varrin e H. Ali Korçës ta kursejë dhe të mos e prishë. Traktoristi heziton sepse kishte urdhër që çdo varr të rrafshohej. Atëhere H. Xhaferri i propozon që varrin e Hafizit ta lëre për në fund dhe të mos e prishi. Nëse dikush do ta shihte dhe do ti kërkonte llogari do ti thoshte që i mbaroi nafta dhe nuk mundi ta prishte. Traktoristi pak i hezituar pranoi dhe ashtu e la. Mbasi mbaroi punë askush nuk e pyeti për atë varr, askush nuk i kërkoi llogari dhe askush nuk e preku deri në ditën e demokracisë.

Me rënien e sistemin komunist dhe me ardhjen e demokracisë filluan lëvizjet demografike. Edhe zona e ish-varrezave të qytetit të Kavajës filloi të popullohej me ndërtime të reja dhe banesa. Ç’do njeri që kishte mundësi rrethonte një truall, e pastronte nga mbetjet e varrezave dhe ndërtonte shtëpi. Të njëjtin fat e priste dhe varrin e H. Ali Korçës. Atë që nuk e bëri dot komunizmi do të bëhej tani. Vetëm qëllimi ndryshonte, asgjë më tepër. Personi që do të ndërtonte shtëpinë filloi nga pregatitjet. Rrethoi vendin, e pastroi dhe e vetmja pengesë është varri i Hafizit. Ç’problem do të kishte me këtë varr të vjetër? Ndoshta asnjë nga familjarët nuk i kishin mbetur gjallë ta vizitonin. Kush do interesohejmë tepër për këtë varr? Kush mund ta kishte në mendje se ekzistonte apo jo më ky varr. Ndoshta edhe kujtimet e këtij personi ishin varrosur bashkë me të. Dhe kështu nisi punën.

Mori një eskavator dhe filloi të gërmonte vindin. Mbasi kishte mbaruar përreth tashmë dhe një orë punë mund të duhej të sheshonte të gjithë vendin. Dhe eskavatori i drejtohet varrit me gjithë fuqinë e tij. Askush nuk ishte ti thoshte ndal. As edhe nje i gjallë. Veç varri i heshtur përballë eskavatorit. Sulet eskavatori me gjithë fuqinë e tij, por nuk bën dot as edhe një hap përpara… Papritur fiket… E rindez dhe sulet përsëri… Por përsëri fiket sapo i afrohet varrit. Eskavatoristi e kupton arsyen dhe largohet i trembur.

Mirëpo personi që do ndërtonte shtëpinë ishte i vendosur. Kishte bërë gjithë ato plane, i kishte gati të gjitha, tani vetëm një varr i kish prishur punë. Megjithë këshillat e njerëzve që të hiqte dorë, ai ishte i vendosur ta prishte këtë varr. Mori një eskavator tretër dhe përsëri iu sul varrit… Por, përsëri i njëjti përfundim. Sapo eskavatori i afrohej varrit ndalej dhe fikej. Përsëri punë që s’bëhëj, ky varr duhet të sheshohej patjetër… madje duhet të zhdukej nga faqja e dheut. Kështu vendosi të marrë një eskavator tjetër. Vjen edhe eskavatori i tretë por përsëri i njëjti përfundim. Sapo eskavatori i afrohej varrit, papritur ai ndalonte dhe shuhej. Nuk mund ta sheshonte dot. Tashmë të gjithë u bindën që nuk bëhej luftë me këtë varr. Më në fund edhe personi bindet që një fuqi e mbinatyrshme e mbronte këtë varr. Ishte Allahu mbrojtësi i tij dhe tani që askush nuk e mbronte dot, as ai me veten. Një varr i heshtur që ulërinte me heshtjen e tij.

Më pas përsëri u thurën intriga për ta lëvizur këtë varr, duke kërkuar dashamirësisht ta zhvendosin tek varrezat e qytetit, por përsëri çdo tentativë shkoi kot. Ai varr përsëri qëndron i heshtur, por triumfues. Nën të qëndron një trup, ndërsa mbi të një emër dhe një mbishkrim:

 

Hafiz Ali Korça

Kushdo që varrin të na vizitojë

Një Kulhuvallahu të na këndojë

Shpirtin tonë të na gëzojë

Author: admin