Prof.dr.Fatmir Sulejmani
USHT, 23 mars 2015
U R A G A N I I U Ç K – s ë
I nderuari staf drejtues i USHT-së në krye me Rektorin – Prof. dr. Vullnet Ametin,
i nderuari z. Adem Demaçi – legjendë e gjallë e rrezistencës shqiptare,
i nderuari baba i dëshmorit Feriz Guri, familjarë dhe miq të tij,
të nderuar kolegë, studentë, mysafirë dhe përfaqësues të medieve,
i nderuar autor i librit që përurojmë sot – Profesor Nusret Pllana…
Sa herë që më bie hise të flas për vepra të rëndësishme ndihem i privilegjuar, aq më tepër kur ato vepra lidhen me jetën dhe rënien heroike në altarin e atdheut, të heronjëve të luftërave çlirimtare.
Një vepër e rëndësisë së veçantë është dhe “URAGANI I UÇK-së”, që vjen e shkruar nga Profesor Nusret Pllana – i mirënjohur edhe përtej trojeve shqiptare me monumentin e tmerrit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”, me të cilin, më bindshëm se diplomacia e fjetur shqipare, ka alarmuar botën, për gjenocidin e paparë që ka ushtruar Serbia mbi shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm ata. Në sajë të përkushtimit të pashembullt të autorit, vepra në fjalë ka rënë tani më në duart e gjithë kancelarive të fuqive të mëdha, përfshirë në këtë mes edhe Senatin e SHBA, që përherë ka mbajtur anën e Shqipërisë së bërë pik-e-pesë në tryezat e konferencave dhe kongreseve antishqiptare. USHT ka meritat e tij brenda ndërmarrjes vetmohuese të Profesor Pllanës, sepse, në vitin 2013, botoi versionin e plotësuar dhe të përkthyer në 7 gjuhë botërore të albumit të tmerrit dhe lemerisë që s’guxon të përsëritet kurrë më.
Të nderuar të pranishëm!
Për heronjtë e betejave shqiptare ka shkruar e shkruan shumëkushi, por jo të gjithë kanë besueshmërinë e duhur; jo të gjithë kanë qenë bashkëluftëtarë të martirëve të lirisë dhe dëshmorëve sypatrembur. Nusret Pllana është pjesëmarrës i drejtprdrejtë në luftën e lavdishme për çlirimin e Kosovës, madje më shumë se kaq: zëri i parë i Radio Kosovës së lirë, që kumbonte fuqishëm nga thellësitë e bunkerëve të UÇK-së, shpesh të gjendur vetëm disa metra larg vijës së zjarrit të ushtrisë armike.
Profesor Nusreti, krahas veprimtarisë së tij arsimore e shkencore, nuk është ndalur me studimin e jetës dhe veprës së martirëve të atdheut, i bindur se vetëm një komb që e njeh mirëfilli historinë e vet, nuk lejon që t’i përsëritet e keqja tim për tim, si në baladat e epopeve të së shkuarës.
Produkt i këtyre preokupimeve është dhe vepra URAGANI I UÇK-së kushtuar dëshmorit Feriz Guri. Fjala është për një vepër të veçantë monografike, që në katër kapitujt e saj hedh dritë, jo vetëm mbi luftën dhe rënien heroike të martirit, po edhe mbi fëmijërinë, shkollimin, formimin intelektual dhe familjen e tij liridashëse…, të gjitha të ndërlidhura me të kaluarën e hidhur të kombit, që në fakt përbëjnë sfondin e jetës dhe bëmave të Feriz Gurit.
Parë nga ky prizëm, vepra paraqet një simbiozë periudhash të ndryshme historike, ku vijnë e gërshetohen ngjarje kohërash të largëta epike me padrejtësitë e perandorive të mëdha, që bënë pamëshirshëm zap lirinë dhe vullnetet shqiptare. Autori ndalet në fenomenet më tragjike dhe më kobzeza të këtyre sundimeve, si: aneksimet dhe copëtimet e territorreve shqiptare në kongreset famëkëqia, shpërguljet e shqiptarëve me marrëveshje tinëzare e gjenocidiste, asimilimi sistematik i tyre dhe terrori i pandërprerë shtazarak, i kamufluar nën ombrellën e vëllazërim-bashkimeve të trilluara për të përkundur budallenjtë dhe laraskat e kësaj bote.
Pikërisht në sfondin e sipëpërmendur të dramave të së shkuarës, autori gjen fillimisht inspirimin për luftën heroike çlirimtare të Feriz Gurit, të cilat heroi i nisi që në rininë e hershme, kur nga familjarët dhe librat e ndaluar të historisë mësoi për padrejtësitë e bëra ndaj kombit të tij. Ai qysh si nxënës i shkollës së mesme u gjend në krye të protestave të vitit 1988 kundër nëpërkëmbjes së autonomisë së Kosovës nga çetnikët e Millosheviqit. Ajo që nuk mund ta gëlltiste dhe ta pranonte assesi ishte tendenca për ricopëtimin e territoreve shqiptare, nëpërkëmbjen dhe përbuzjen e tyre dhe kultivimin e shpirtit të robit nëpërmjet metodave të sofistikuara. Feriz Guri ishte hero intelektual, ndaj i kishte të qarta këto gjëra. Veç kësaj, ai ishte pinjoll i një familjeje martire, ishte kaçanikas dhe bashkëvendës i titanit Idriz Seferi. Si i tillë, nuk mund të rrinte duarkryq për të bërë sehir krijimin e mollëkuqeve të reja, si puna e Sanxhakut të Nishit me 720 copë katunde dhe 3-4 qytete me numër dominant shqiptarësh, që u aneksua pakthyeshëm nga serbët në vitin 1877, me Traktatin famëkeq të Shën Stefanit.
Natyrisht, në qendër të kësaj vepre është Feriz Guri ushtar i UÇK-së (alias -Komandant Shpata), përkatësisht veprimtaria e tij që lidhet me furnizimin e njësiteve kosovare me armë të sjellura nëpërmjet kufijve anakronikë shqiptaro-shqiptarë, me trajnimet në kampet e Shqipërisë, me kontributin e shquar si komandant dhe projektues bombash e materialesh të tjera luftarake me mjete rrethanore dhe, në fund, me rënien heroike në altarin e lirisë së atdheut, akt ky që pavdekësoi emrin e Feriz Gurit në mesin e martirëve më të paepur të kombit.
Në fund të fjalës sime, dua të them edhe diçka.
Një komb që nuk di t’i çmojë dëshmorët e luftës së vet nuk është i denjë për t’jetuar në liri. Prezenca juaj kaq impresive në aktin e këtij përurimi është ogur i mirë dhe shenjë respekti, shenjë përuljeje dinjitoze para gjakut të dëshmorëve, që nuk arritën ta shohin Kosovën e lirë, por që ikën të qetë në jetën e përtejme me bindjen se gjeneratat e ardhshme të shqiptarëve do të dinë ta çmojnë pavarësinë, ta duan dhe ta ruajnë si sytë e ballit
Lufta për Kosovën e pavarur përbën vetëm njërin prej kapitujve të historisë në vazhdën e përpjekjeve të njëpasnjëshme për t’realizuar ëndrrën tonë shekullore. Atë kapitull të ndritshëm e shkruan me gjakun e tyre dëshmorët e rënë në betejat e pabarabarta të bëra anekënd trojeve shqiptare. Kapitujt e tjerë përbëjnë amanetin e tyre të rëndë që na bie hise ta realizojmë ne të gjallët, veçmas klasa politike dhe intelektuale shqiptare e cila ka vetëm një mandat: të mos i çojë vetëdijshëm huq shpresat që populli ynë i shumëvuajtur i lidh për misionin dhe politikat e tyre.
Dëshmi për pjekurinë tonë në rritje është dhe kjo vepër kushtuar martirit Feriz Guri, që pikërisht për këtë që gezojmë sot ne bëri sakrificat më sublime. Ëndrra e tij më e madhe ishte të shohë shqiptarët e bashkuar, të lumtur dhe të lirë, që nuk pranojnë ngjyrëra të tjera përpos ngjyrës dhe shijes së atdheut; që qëndrojnë larg ideologjive përçarëse, sepse edhe më e mira ideologji është kategori e harxhueshme dhe e përkohshme…, kurse populli dhe interesat e tij vitale janë ato që mbeten të përjetshme.