FJALË QË PO JU NDËRRON KUPTIMI

Gëzim MUÇOLLI

gezim mucolli 1

FJALË QË PO JU NDËRRON KUPTIMI

– 8 shkurt viti i 15 i lirisë-

Gjuha jonë e bekuar ka fjalorin e vet mjaft të pasur. Shqiptarët e Kosovës fjalorin e shqipes nuk e kanë në shtëpi prandaj flasin gjithqysh e sa për rregulla gramatikore mjer mësuesit e arsimtarët nëpër shkolla që ju duhet shumë mund t’ua mësojnë atë nxënësve të kohës së Google përkthyesit.

Fjala kurbet ka pasur kuptim të veçantë te ne plot peshë dhe emocion, me të mirat dhe vështirësitë e mungesës së atdheut sovran.

Tash kur iu pik njerëzve ideja e braktisjes së Kosovës dhe nga stacioni i autobusit të Prishtinës shohim plot imazhe epike të mirë organizuara nga grupe të afta të presin pare përherë duke shkelur mbi vështirësitë dhe hallet e përditshmërisë.
Njerëz normalë plotësojnë pamje të ditarëve të lajmeve çdo natë ku duke u shtyrë dhe u përplasur hipin në autobusë duke marrë me vete edhe bebet e tyre me biberonin me qumështin e ftohur gjatë pritjes nën shi e borë.

Autobusët nisen me barrën e tyre humane në rrugën e organizuar si udhëtim turistik plot ngjyra trafikimi të qenieve humane : via Serbia.

Sot fjala migrues apo mërgimtar ka tjetër kuptim : njeri që e len shtëpinë dhe tokën e vet dhe niset rrugëve të botës për të kërkuar jetë ” më të mirë”.
Një gjë duhet theksuar edhe njëhere : po thonë se në mesin e atyre që po ikin më së paku ka njerëz që vërtetë janë në kushte të vështira për ekzistencë.
Sepse i varfëri nuk ka para aq sa duhet për ti paguar trafikantët që shqiptarëve ua bëjnë dimrin verë.

Mashtrimi zakonisht nuk hetohet. Është sikur injeksionet që zakonisht vetëm në fund kur kryhen na djegin kur nxirret gjilpëra nga trupi. Edhe ngel dhimbja si kujtim i pazëvendësueshëm.

Mos gaboni, mos u nxitoni, mos lejoni t’ju grabitin ardhmërinë e fëmijëve tuaj.
Mos bini pre e trafikantëve , mos i jepni paratë e fundit mafisë dhe mos ja plotësoni projektet Serbisë. Nesër kur t’ ju kthejnë në shtëpi zor nuk mund të arsyetoheni e as të pajtoheni se nuk e keni ditur.

Kjo nuk është koha e budallenjëve. Ajo kohë ka vdekur në Bllacë Përgjithmonë.

Author: admin